Gjysmëfinalja e Superkupës së Italisë, e cila u luajt në Doha mes Napolit dhe Milanit, ishte mjaft e tensionuar, me duele të ashpra dhe momente polemike në fushë.
Futbollisti serb i Milanit, Strahinja Pavlović, goditi qëllimisht me bërryl futbollistin kosovar Amir Rrahmani, i cili përfundoi në tokë pas ndërhyrjes.
Kapiteni i Kombëtares së Kosovës u befasua nga vendimi i gjyqtarit, i cili nuk e ndëshkoi mbrojtësin e Milanit për këtë veprim.
Edhe më e çuditshme ishte mungesa e reagimit nga VAR-i, i cili nuk e ftoi arbitrin Rufferli të rishikonte rastin, ndonëse Pavlović mund të ndëshkohej edhe me karton të kuq, shkruan Gazeta Express.
Pas disa minutash, Rrahmani dhe Pavlović patën edhe një përplasje verbale mes tyre në fushë.
Natyrisht, e kaluara dhe tensionet historike mes dy popujve mund të kenë ndikuar në këtë incident mes dy futbollistëve, një shqiptar dhe një serb. /GazetaExpress