Ky projekt, i përbërë nga 16 këngë, shënon një fazë të re krijuese për artistin kosovar, ku ndërthuren me finesë pop-rock-u modern, baladat emocionale dhe një ndjeshmëri lirike që e karakterizon prej vitesh.
Albumi nuk është thjesht një vazhdimësi e suksesit të tij të mëparshëm, por një hap i guximshëm drejt pjekurisë artistike. Ylli shfaqet më i sinqertë, më introspektiv dhe më i vetëdijshëm për identitetin e tij muzikor.




“Thirrëm Sot ose Nesër” tingëllon si një dialog i brendshëm mes dashurisë, pritjes, pasigurisë dhe kohës – tema universale që ai arrin t’i personalizojë me zërin dhe interpretimin e tij karakteristik.
Një element i veçantë i këtij albumi është dimensioni vizual. Çdo këngë shoqërohet me një klip muzikorë, të realizuar në Barcelonë, Spanjë, nën ekzekutimin e label-it Three60 Music.




Këto pamje nuk janë thjesht ilustrime estetike, por shërbejnë si vazhdim emocional i muzikës, duke krijuar një përvojë të plotë audiovizuale dhe duke vendosur një standard të ri në prezantimin e albumeve në tregun shqiptar.
Edhe nga ana e marketingut, projekti u shoqërua me një kampanjë pre-release të menduar në detaje. Brendimi i autobusëve urbanë dhe pritoreve në Prishtinë me inicialet misterioze “TSN”, si dhe billboard-et në pika kyçe të qytetit, ngjallën kureshtje dhe diskutime të gjera.




Ky mister u zbulua gradualisht pas publikimit të titullit dhe artwork-ut zyrtar, kur “TSN” mori kuptimin e plotë “Thirrëm Sot ose Nesër”, duke e shndërruar albumin në një nga projektet më të përfolura të vitit. /GazetaExpress/
Albumin e Yll Limanit mund ta dëgjoni në platformat digjitale si Spotify, Apple Music, etj por edhe në kanalin e tij zyrtar në youtube, që është në linkin më poshtë:
https://www.youtube.com/channel/UCwxa1gR8DEkcOVKXbN5cDkg