Një turmë e zemëruar i ka vënë flakën një pjese të spitalit për Ebola në Republikën Demokratike të Kongos, pasi familjarëve të një të riu, që dyshohej se kishte vdekur nga kjo sëmundje, nuk iu lejua ta merrnin trupin për varrim.
Stafi mjekësor në spitalin Rwampara refuzoi kërkesën, duke thënë se trupi ishte shumë infektues dhe duhej të varrosej sipas një protokolli të veçantë shëndetësor.
Në shenjë proteste, familjarët tentuan t’i djegin tendat dhe hodhën gurë ndaj stafit mjekësor, ndërsa policia ndërhyri në vendngjarje. Gjatë incidentit u plagos edhe një punonjës i një organizate humanitare.
I ndjeri thuhet se ishte figurë e njohur në komunitetin lokal dhe futbollist i talentuar.
Prindërit e tij besonin se ai kishte vdekur nga tifoja dhe jo nga Ebola, duke menduar se varrimi nuk do të përbënte rrezik për të tjerët.
Sipas një politikani lokal, disa banorë nuk besojnë se virusi Ebola ekziston dhe e konsiderojnë atë si një shpikje të të huajve për përfitime financiare.
Spitali Rwampara ndodhet pranë qytetit Bunia, në provincën Ituri të Kongos, epiqendra e shpërthimit të Ebolës, që deri më tani raportohet se ka shkaktuar mbi 130 viktima.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur shpërthimin e Ebolës emergjencë globale shëndetësore, por ka theksuar se ende nuk i plotëson kriteret për pandemi.
Ebola është një sëmundje e rëndë dhe vdekjeprurëse, e identifikuar për herë të parë në vitin 1976. Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, deri në 90% e rasteve mund të jenë fatale. Simptomat përfshijnë temperaturë, dobësi, diarre dhe të vjella, shkruan Euronews.
Reisebüro Prishtina është partneri juaj i besueshëm për udhëtime të sigurta, të shpejta dhe pa stres. Me përvojë shumëvjeçare...