Pep Guardiola ka deklaruar se James Trafford do të qëndrojë “absolutisht” te Manchester City në janar, pavarësisht zërave që e lidhin me një largim pas vetëm gjashtë muajsh.
Trafford iu bashkua Cityt në korrik 2025, duke firmosur një kontratë pesëvjeçare dhe fillimisht zhvilloi tri paraqitje radhazi në Premierligë.
Megjithatë, pas ardhjes së Gianluigi Donnarummës nga Paris Saint-Germain, minutazhi i tij ka rënë ndjeshëm.
Ai pritet të përfshihet në formacionin e Cityt për çerekfinalen e Kupës së Ligës (EFL Cup) të mërkurën, por po përflitet për një largim nga “Etihad Stadium” muajin e ardhshëm, me shpresën për të siguruar një vend në skuadrën e Thomas Tuchelit për Kupën e Botës.
Guardiola, megjithatë, është i bindur se Trafford do të jetë pjesë e skuadrës për pjesën e mbetur të sezonit.
“Absolutisht [do të qëndrojë],” tha Guardiola.
“Ai është një portier i jashtëzakonshëm. Fatkeqësisht për të, Gianluigi është portieri i parë, por James është një portier i jashtëzakonshëm. E di që pozicioni i portierit është shumë i veçantë dhe gjatë vitit, në një ndeshje të vetme, gjithçka mund të ndryshojë. Pozicioni i portierit është i veçantë. Ai është me ne dhe do të jetë me ne këtë sezon, pastaj do të shohim çfarë do të ndodhë”, shtoi ai.
Guardiolës do t’i mungojnë disa emra të rëndësishëm, pasi Omar Marmoush dhe Rayan Ait-Nouri do të marrin pjesë në Kupën e Afrikës, ndërsa Jeremy Doku është i dëmtuar.
Belgu mungoi në fitoren ndaj Crystal Palace në Premierligë të dielën, dhe trajneri i Cityt zbuloi se ai mund të jetë jashtë deri vitin e ardhshëm.
“Nuk e di [kohëzgjatjen]; ndoshta dy ose tre javë,” tha Guardiola. “Mendoj për Vitin e Ri dhe Sunderlandin. Do të shohim”, u shpreh ai.
City kaloi sezonin e kaluar vetëm herën e dytë pa fituar trofe nën drejtimin e Guardiolës dhe tani synon të fitojë Kupën e Ligës për herë të parë që nga sezoni 2020-21.
City pritet të bëjë ndryshime për ndeshjen e mesjavës, por spanjolli është i vendosur të shmangë përsëritjen e gabimit të humbjes 2-0 në Ligën e Kampionëve ndaj Bayer Leverkusen, kur bëri 10 ndryshime në formacion.
“E di që ata [Brentford] janë të mirë, janë ekip i fortë. Problemi kundër Leverkusen ishte se nuk kishim një figurë ‘babai’ në fushë,” tha ai.
“Ka lojtarë ku nuk ka të bëjë me cilësinë e tyre, por me mënyrën si udhëheqin dhe sa të sigurt të bëjnë të tjerët. Disa lojtarë, për shkak të moshës ose procesit, nuk arrijnë të thonë: ‘Nuk ka rëndësi çfarë ndodh’. Por lojtarë të tjerë i bëjnë shokët e ekipit të mendojnë: ‘Jam i sigurt’ dhe të sillen njësoj. Duhet ta gjej këtë ekuilibër. Është një mësim që kam nxjerrë: duhet të gjesh balancën. Por sigurisht që ka lojtarë me shumë minuta në këmbë. Ne udhëtuam në Crystal Palace dhe tre ditë më pas luajmë sërish – nuk kemi shumë kohë për rikuperim. Duhet të shoh me fizioterapistët dhe mjekët, sepse ndeshja vërtet e rëndësishme është ajo kundër West Hamit [të shtunën]. Pas West Hamit kemi shtatë ditë për t’u rikuperuar [për ndeshjen jashtë ndaj Nottingham Forest], por West Hami, më vjen keq, është jashtëzakonisht i rëndësishëm”, përfundoi ai./GazetaExpress/