Një ditë para ndeshjes së 15-të të kampionatit, Drita mbajti një konferencë për media, ku Kryetrajneri Zekirja Ramadani dhe futbollisti Blerim Krasniqi ndanë detajet e fundit rreth përgatitjeve për sfidën ndaj FC Ballkanit.
Ramadani e cilësoi këtë ndeshje si një “derbi të kreut të tabelës” dhe theksoi se ekipi është i gatshëm për të dhënë maksimumin.
“Do të japim maksimumin me lojtarët që i kam në dispozicion. Pas lodhjes nga e enjtja, në një derbi kjo do të kalojë më lehtë. Nëse nuk arrijmë objektivin nesër, do të vazhdojmë të luftojmë për çdo ndeshje,” tha ai, shkruan Gazeta Express.
Ndërkaq, Krasniqi shprehu optimizëm për rezultatin e ndeshjes, duke theksuar atmosferën pozitive në grup. “Pasi ndeshjes me Shkëndijën, jemi në maksimumin tonë dhe shpresojmë të vazhdojmë me këtë ritëm,” u shpreh ai.
Sa i përket lëndimit, Krasniqi shpreson të rikuperohet shpejt dhe të kthehet në fushë.
Ndeshja mes Dritës dhe Ballkanit do të zhvillohet nesër, të dielën, në orën 13:00, në Stadiumin Ndihmës te Rrethi. /GazetaExpress/