Barcelona është goditur nga mungesa e papritur e Ronald Araujos, teksa përgatitet të përballet me Alavesin në “Camp Nou”.
Mbrojtësi uruguaian ka kaluar një javë të vështirë pas përjashtimit ndaj Chelseat dhe nuk u stërvit të premten.
Araujo u përjashtua me karton të kuq pas dy të verdhëve në minutën e 41-të në “Stamford Bridge” dhe u kritikua shumë pas ndeshjes për gabimin e tij, duke shkuar në rrëshqitje për të ndalur Marc Cucurellan.
Edhe pse hezitoi ta kritikonte ashpër, Hansi Flick pranoi pas ndeshjes se nuk ishte “opsioni më i mirë.”
Zëvendëskapiteni i Barcelonës e kaloi seancën e së premtes në palestër dhe jo në fushë me shokët e skuadrës.
“Diario AS” raporton se ai nuk do të jetë i gatshëm për sfidën ndaj skuadrës baske.
Sipas raportimit, Araujo ka një problem fizik, por gjendja e tij mendore është gjithashtu arsye që ai nuk do të përfshihet. Ai vazhdon të rikuperohet nga zhgënjimi i përjetuar kundër Chelseat.
Në ditët para ndeshjes me Alaves, disa media kanë raportuar se Araujo është ndikuar rëndë nga përjashtimi i tij dhe shokët e skuadrës po përpiqen ta mbështesin.
Ka shumë gjasa që Pau Cubarsí të luajë në qendër të mbrojtjes së bashku me Andreas Christensen ose Eric Garcia.
Një problem tjetër për Flick është se Fermin Lopez është përjashtuar për disa javë për shkak të një tërheqjeje muskulore.
Nga ana pozitive, Pedri Gonzalez është rikthyer në stërvitje dhe pritet të jetë gati për të qenë në listën e të grumbulluarve.
Raphinha gjithashtu mund të bëjë startin e tij të parë që prej shtatorit, pasi luajti disa minuta kundër Athletic Club dhe Chelseat.
Gavi dhe Marc-André ter Stegen mbeten të dëmtuar dhe do të jenë në tribunë, së bashku me Araujon dhe Lopezin.
Para ndeshjes kundër Alavesit, Flick i tha “Mundo Deportivos” se Araujo po përballet me një virus stomaku. “Ai ka një virozë stomaku. Sot nuk u stërvit dhe do të mungojë edhe nesër. Të gjithë jemi të mërzitur. Humbja ndaj Chelseat ishte e vështirë. Mendonim se mund të fitonim. Tani duhet të jemi më optimistë për ndeshjen e radhës”, tha ai./GazetaExpress/