Ditën e nesërme (e enjte), me fillim nga ora 21:00, do të luhet derbi shqiptar i shumëpritur.
Ky derbi, si asnjëherë më parë, do të zhvillohet në Ligën e Konferencës, në kuadër të xhiros së katërt të fazës së ligës.
Drita e Gjilanit do t’i bëjë konak Shkëndijës së Tetovës në kryeqytetin e Kosovës – në Prishtinë.
Dy skuadrat shqiptare do të përballen në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Kjo ndeshje e madhe bëhet edhe më e veçantë, shkaku se do të luhet më 27 nëntor, një ditë para Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.
Dy tifozëritë, “Intelektualët” e Dritës dhe “Ballistët” e Shkëndijës kanë premtuar spektakël për këtë ndeshje.
Para kësaj ndeshje së madhe, “Gazeta Express” ka bërë një intervistë me trajnerin e Shkëndijës, Jeton Beqirin dhe zyrtarin për media të klubit, Faton Zylbeharin.
Beqiri në fushën e lojës e cilëson si çdo ndeshje tjetër këtë përballje, pavarësisht se është një ndeshje historike.
“Përgaditemi si për çdo ndeshje tjetër, duke analizuar dhe respektuar maksimalisht kundërshtarin edhe pse realisht bëhet fjalë për një ndeshje vërtetë historike”, tha ai fillimisht për “Express”.
Në fundjavën që lamë pas, Shkëndija pësoi një humbje të thellë dhe befasuese nga Arsimi. Beqiri tha se ajo ndeshje do të jetë mësim për skuadrën.
“Ishte një humbje e papritur dhe e rëndë në kampionat edhe pse rezultati përfundimtar nuk pasqyron atë që u paraqit në fushë, por ne analizuam atë ndeshje dhe shpresoj që të nxjerrim mësim si skuadër. Kam shumë besim se do të rikthehemi fuqishëm për ndeshjet e ardhshme”, shtoi ai.
Për t’u kthyer te ndeshja ndaj Dritës, Beqiri shpreson në spektakël në tribuna dhe në fushën e lojës.
“Si për mua ashtu edhe për futbollistët kjo ndeshje paraqet një festë futbolli dhe besoj një spektakël i garantuar si në fushë dhe në tribuna”, vazhdoi trajneri i Shkëndijës.
Pavarësisht se do të jetë vështirë, trajneri i skuadrës tetovare thotë se kjo ndeshje duhet shijuar. Ai thotë që “le të fitojë më i miri”.
“Mesazhi im për këtë ndeshje është: ta shijojmë së bashku këtë ndeshje si shqiptar dhe vëllezër të vërtetë, le të fitojë më i miri dhe ai ekip që do ketë më shumë fat sportiv”, bëri me dije ai.
Beqiri foli me fjalët më të mira për Dritën si kundërshtar.
“Pres një ndeshje të fortë, kundër një kundeshtari shumë serioz dhe kualitativ, por unë kam besim në ekipin dhe futbollistët e mi që do të bëjmë një paraqitje të mirë dhe normalisht që shpresojmë në rezultat pozitiv nga kjo përballje. Kam një respekt të jashtzakonshëm për ekipin e Dritës, trajnerin dhe për të gjithë futbollistët në përgjithësi, nuk do të dëshiroja të potencoj ndonjë në veçanti sepse të gjithë futbollistët e Dritës janë shumë kualitativë”, tha ai.
E, për përgatitjet që po bëhen për ndeshjen ndaj Dritës, ka folur për “Express” zyrtari për media i Shkëndijës, Faton Zylbehari.
Ai ka thënë se gjithçka po shkon më së miri, teksa falënderon edhe Dritën për bashkëpunimin deri më tani.
“Shyqyr Zotit gjithçka ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme, kjo falë edhe bashkëpunimit maksimal nga ana e Dritës dhe përvojës që dyja klubet tashmë kanë në Europë. Presim spektakël dhe festë të madhe në Prishtinë, për më shumë që orari i ndeshjes përputhet me festat e Nëntorit. Dy tifozeritë duket se përgatisin festë të madhe dhe ne urojmë që gjithçka të shkojë sipas planit. Në aspekt sportiv, sigurisht me respekt maksimal për vëllezërit tanë nga Gjilani, ne presim ta fitojmë ndeshjen, të vetëdijshëm se nuk do të jetë e lehtë përballë ekipit cilësor të Dritës”, ka thënë ai fillimisht.
Zylbehari thotë se kjo ndeshje duhet shfrytëzuar për të çuar një mesazh për kulturën sportive.
“Ta shfrytëzojmë këtë mundësi për të çuar mesazh gjithandej për kulturën tonë sportive. Ky takim është për ta shijuar çdo dashamir i futbollit, sigurisht se nga taboret e Dritës dhe Shkëndijës duam suksesin dhe fitoren. Atë le ta kërkojmë me dinjitet, duke përkrah ekipin që duam dhe duke respektuar rivalin sportiv. Kujtojmë se rivaliteti dhe gara është vetëm brenda fushës dhe gjatë 90 minutave. Çdo gjë tjetër është vëllazërore”, shtoi ai.
Zylberhari po ashtu bën me dije se në stadiumin “Fadil Vokrri” do të jenë të pranishëm pothuajse 1 mijë tifozë të Shkëndijës.
“Realisht ne që jemi të involvuar brenda skuadrave kemi goxha angazhime në aspektin organizativ të përballjes, por nga kontaktet që kemi me tifozët kemi paralajmërime për spektakël në tribuna. Ka edhe koordinim mes grupeve të tifozerive dhe besoj që të jetë një atmosferë unike. Kemi paralajmërime se rreth 1 000 ‘Ballistë’ do të udhëtojnë drejt Prishtinës, planifikohet një kortezh nëpër rrugët e Prishtinës drejt shkuarjes në “Fadil Vokrri”. Besoj do të jetë një ndeshje për tu mbajtur mend”, përfundoi ai.
Ndeshja Drita – Shkëndija luhet më 27 nëntor (e enjte), në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të xhiros së katërt të Ligës së Konferencës.
Deri më tash, Shkëndija ka katër pikë, duke fituar (Shelbourne) një herë, barazuar (Jagiellonia) një herë dhe humbur (Rayo Vallecano) një herë tjetër.
Ndërkohë, Drita ka pesë pikë, pas dy barazimeve dhe një fitoreje. Drita barazoi në dy xhirot e para, ndaj KuPS dhe Omonias, teksa e mposhti Shelbournen në udhëtim./GazetaExpress/
Next to Vala Mar Premium, projekti që po transformon bregdetin shqiptar dhe vlerën e investimit në Adriatik, 50% e...