Pas shortit të play-offit ku Kosova do të përballet me Sllovakinë në gjysmëfinale, përzgjedhësi Franco Foda është shprehur optimist dhe i bindur se ekipi i tij mund të arrijë rezultat pozitiv në këtë sfidë vendimtare.
Foda ka vlerësuar lartë kundërshtarin, duke theksuar se Sllovakia është një ekip i fortë që ka treguar nivel të lartë në ndeshjet e fundit, shkruan Gazeta Express.
“Sllovakia ka një ekip shumë të mirë, ata fituan në shtëpi kundër Gjermanisë 2-0,” tha Foda, duke shtuar se megjithatë Kosova po hyn në këtë duel me moral të lartë.
Ai kujtoi paraqitjet e fundit të Dardanëve, të cilat sipas tij e kanë rritur ndjeshëm vetëbesimin brenda skuadrës.
“Bazuar në rezultatet tona të fundit, kemi fituar si mysafir në Suedi, në Slloveni dhe gjithashtu kundër Islandës. Ekipi tani ka shumë vetëbesim dhe do të jetë një ndeshje e barabartë,” u shpreh ai.
Trajneri theksoi se fokusi maksimal është te sfida e parë, të cilën e konsideron vendimtare për rrugëtimin drejt kualifikimit.
“Ndeshja më e rëndësishme është ndeshja e parë kundër Sllovakisë, dhe pastaj shohim më tej,” përfundoi Foda.
Kosova do të kërkojë fitoren historike ndaj Sllovakisë për të siguruar finalen e play-offit, ndërsa përgatitjet pritet të nisin menjëherë me intensitet të lartë. /GazetaExpress/