Në vitin 2021, shkruaja se si roli i shtetit është të krijojë rregullat e lojës, jo të bëhet lojtar. Sot, shteti është bërë gjithçka: arbitër, lojtar, komentator, madje edhe tifoz i vetvetes. Edhe kur e humb ndeshjen, neve na transmeton si një fitore kombëtare. Afaristët, të cilët dikur prisnin reforma, sot janë bërë spektatorë që shikojnë një ndeshje pa top, pasi qeverisë i ka humbur topi. Ka vetëm zhurmë dhe duartrokitje.
Fadil Sahiti
Katër vjet më parë, në një medium kosovar, pata shkruar një editorial rreth programit qeveritar të Vetëvendosjes (VV-së). Programi premtonte “ringjallje ekonomike”. Atëbotë, rezultatet e analizës sime e nxirrinin programin si jo-zhvillimor. E shihja atë si një tekst i shkruar me entuziazëm moral, jo si diagnozë ekonomike. Një dokument i nxituar, që përpiqej të zëvendësonte analizën me predikime dhe planin me retorikë. Mungesën e diagnozës ekonomike atëherë e lidhja me mungesën e përvojës. Këtë konstatim tani e shoh ndryshe.
Në vitin 2021 hartuesit e programit qeverisës e ngatërronin “likuiditetin e amvisërive” me zhvillimin ekonomik. Sot këtë e shoh jo thjeshtë një lapsus ekonomik. Ngatërrimi mbetet thelbi i filozofisë politike të VV-së. Kjo parti vazhdon të besojë se mund të prodhojë mirëqenie duke shpërndarë ndjenja, e jo mundësi; duke shpërndarë solidaritet, e jo kapacitete. Nuk jam i sigurt nëse nuk e kuptojnë apo bëjnë sikur, por kjo është gabim. Një shtet që nuk di të prodhojë, por di të shpërndajë ndihmë, është një shtet që jeton me bamirësi, dhe bamirësia nuk prodhon zhvillim, prodhon ‘fukarallëk’.
Ndonëse para katër viteve fjala “zhvillim” në program përmendej më shumë se tridhjetë herë, sot ajo është zhdukur nga fjalori politik dhe është zëvendësuar me nocionet shterpe si “dinjitet”, “sovranitet”, dekriminalizim i veriut të Kosovës… Fjalë të mëdha që nuk prodhojnë asnjë kilogram vlerë të shtuar. Ekonomia e vendit sot i ngjan një trupi që mbahet gjallë nga infuzione të rastësishme. Ndërkohë, retorika e qeverisë evokon çdo ditë një realitet paralel ku çdo dështim është një fitore dhe çdo varfëri është rezistencë ndaj konsumizmit.
Në vend që të krijojë një mjedis për firmat inovative, qeveria ka krijuar një sistem që shpërblen besnikërinë. Iniciativa private është zëvendësuar nga klientelizmi. Miliona euro u jepen studentëve, inxhinieri elektorale e pastër e maskuar si politikë arsimore. Tingëllon mjaft poetike: një qeveri që nuk ka reformuar asgjë në katër vjet tani po shpërndan miliona për të blerë duartrokitje që nuk i ka fituar me punë të palodhur. Mentalitet tipik i VV-së. Qëllimisht ngatërron donacionet me reformën; shet paratë publike si politikë publike. Një ekonomi emocionesh, e paguar me paratë tona.
Në katër vjet, as “Fondi Sovran”, as “Banka e Zhvillimit”, as “Rilindja Ekonomike” nuk kanë prodhuar ndonjë ndryshim strukturor. Vetëm fjalë të reja për të përshkruar situatën e vjetër. Kemi kaluar nga “kapitalizmi i hajnisë së PDK-së dhe LDK-së” në “socializmin e arrogancës së Vetëvendosjes”. Ndërkohë, bizneset që dikur prisnin reforma tani presin mrekulli. Në vend të politikave industriale, kemi “strategji narrative”. Dhe në vend të konkurrencës, kemi një monopol moral që flet në emër të popullit sikur populli të ishte një ndërmarrje shtetërore.
Programi që dikur e kritikova për mungesën e diagnozës, tani është zëvendësuar nga mungesa e logjikës. Qeveria që dikur premtonte zhvillim përmes “rritjes së likuiditetit të amvisërive” tani promovon “stabilitetin ekonomik” përmes rritjes së çmimeve. Në një ngjyrim orwellian, kriza është shndërruar në “konsolidim fiskal”, papunësia është “vetëpërmbajtje” dhe varfëria është “një shenjë rezistence ndaj konsumizmit”. Qeveria nuk prodhon më politika. Qeveria vazhdon të prodhojë justifikime me outfit patriotik.
Nëse dikush do ta përkthente këtë realitet në gjuhën e ekonomisë, do të dukej se Kosova ka arritur një formë të përsosur të ekonomisë imagjinare. Një sistem ku premtimet zëvendësojnë investimet dhe ku çdo statistikë interpretohet si një fitore morale. Në botën tonë kosovare, rritja ekonomike është një ndjenjë, jo një fakt.
Në vitin 2021, shkruaja se si roli i shtetit është të krijojë rregullat e lojës, jo të bëhet lojtar. Sot, shteti është bërë gjithçka: arbitër, lojtar, komentator, madje edhe tifoz i vetvetes. Edhe kur e humbë ndeshjen, neve na transmeton si një fitore kombëtare. Afaristët, të cilët dikur prisnin reforma, sot janë bërë spektatorë që shikojnë një ndeshje pa top, pasi qeverisë i ka humbur topi. Ka vetëm zhurmë dhe duartrokitje.
Pra, ironia më e pastër e këtyre katër viteve është kjo: shpresa e kosovarëve që VV do ta ndryshonte logjikën e pushtetit, tashmë është përmbysur. VV e ka ndryshuar këtë logjikë, por jo në të mirë të qytetarit të thjeshtë. VV nuk e sheh pushtetin si mjet për zhvillim, por si një art më vete; si altar bamirësie. Çdo shpërndarje subvencionesh i shërben asaj si një rit fetar për ruajtjen e myhibëve. Në këtë univers të politikës kosovare, grantet janë forma besnikërie; subvencionet janë falënderime paraprake për votën. Secila paketë mbështetjeje është një qese me dashuri publike.
Faktet thonë se VV nuk e sheh qytetarin as si aktor dhe as si kritik aktiv. Qytetari perceptohet prej tyre thjesht si një përfitues potencial në listën e bamirësive shtetërore, i ftuar të duartrokasë sa herë që shpërndajnë “sadaka” me paratë e popullit.
Po kthehem te editoriali i katër viteve më parë, jo për t’u mburrur me “e thashë unë”, por për të kujtuar se zhvillimi nuk ndodh me fjalë të mëdha, me ndjenja, me dhurata apo me moral. Zhvillimi kërkon dije, institucione dhe guxim për të bërë reforma që nuk shiten mirë në Facebook. Asnjë nga këto të trija nuk u arrit. Mbeti vetëm iluzioni. Si gjithmonë, i ringjallur, i pastër, i qetë; si çdo farsë që ka mësuar zanatin e përjetësisë.
Si përfundim, për fatin tonë të keq, qeveria e VV-së mbetet gjithashtu prova më e qartë e (mos)zhvillimit.
Prishtinë, tetor 2025 – Medieve në Kosovë u është shtuar një platformë e re që do të raportojë dhe...