Një shikim i shkurtër në fillimet e jetës politike të njeriut që hapi epokën moderne të lobimit shqiptaro-amerikan në SHBA
Shkruan: Ruben Avxhiu
Kur Joseph DioGuardi, një mjeshtër i kontabilitetit, por fare i panjohur në politikë, u zgjodh në moshën 44 vjeçare në Kongresin Amerikan, lajmi bëri bujë përtej zonës ku kishte fituar.
Demokrati që kishte përfaqësuar deri atëhere Westchester-in ishte zgjedhur për herë të parë në Kongres në 1964 dhe demokratët e kishin pasur gjithmonë në xhep atë zonë. Kjo ishte një përmbysje historike.
Shqiptarët duhet ta kuptojnë rëndësinë e këtij elementi. Kur afruan pranë tyre DioGuardin, ata nuk afruan thjesht një kongresist të sapozgjedhur. Dhoma e Përfaqësuesve ka më shumë se 430 kongresistë. Pesha e tyre politike në Washington është relativisht e vogël. Sidomos për ata që sapo zgjidhen dhe që e kalojnë vitin e parë duke mësuar emrat e rrugëve dhe duke humbur nëpër korridoret e ndërtesave federale, duke gjetur strehim, e përshtatur me jetën e re. Me ndonjë përjashtim, duhet të rizgjidhen disa herë deri sa fillojnë dhe krijojnë një profil të fortë e të kenë ndikim specifik.
DioGuardi ishte një nga këto përjashtime. Që përpara se të fitonte zgjedhjet, bashkë me disa republikanë të rinj që dukej se kishin shans të bënin histori u ftuan të takohen me Presidentin Ronald Reagan në Shtëpinë e Bardhë. DioGuardi ende nuk ishte bërë kongresist dhe kishte hyrë në qendrën e pushtetit.
Si Republikani që kishte marrë kalanë e Westchesterit në New York nga duart e demokratëve, kontenë e vendosur sapo del nga New York City drejt veriut, ai ishte menjëherë emër i njohur në Washington. Republikanët donin të dinin si e bëri, si mund të përsëritej suksesi i tij edhe në zona të tjera ku elektorati po zhvendosej djathtas.
U takua që në ditë e para, me figura të mëdha si Senatori Bob Dole e të tjerë.
Por nuk mjafton me kaq.
Në 1983, një vit përpara se DioGuardi të shfaqej në jetën politike amerikane, një kongresist demokrat me emrin Tom Lantos, kishte themeluar në Dhomën e Përfaqësuesve, Kaukusin e të Drejtave të Njeriut. I vetmi i mbijetuar i Holokaustit që ishte zgjedhur ndonjëherë në Kongresin Amerikan, ai donte që t’ia kushtonte jetën e tij të drejtave të njeriut në SHBA dhe në botë.
Dëshira e tij ishte që Kaukusi të ishte me përbërje nga të dy partitë, por numri i republikaëve që ishin të gatshëm të merreshin me kauza si ajo e apartejdit në Afrikën e Jugut ishte i vogël. Ai zbuloi te kongresisti i ri republikan nga New York-u një koleg të gatshëm për t’u përfshirë në këto çështje.
Lantos u kthye shumë shpejt në një figurë të madhe me morale në Kongresin Amerikan me influencë të gjerë përtej radhëve të partisë. Ndikimi i tij, gjatë viteve 1990 dhe sidomos në etapën e fundit të pavarësimit të Kosovës është i pallogaritshëm.
Këto histori të vogla kanë rëndësi të madhe për shqiptarët sepse kongresisti që zbuluan dhe e përqafuan si të tyrin kishte krijuar sakaq lidhje të tilla që kongresistëve normalisht u duhen shumë vite që të krijojnë në Washington.
Shqiptarët nuk e njihnin DioGuardin kur ai u zgjodh për herë të parë kongresist. Por shumë prej tyre kishin vite që po zhvendoseshin drejt Westchester-it duke ndjekur shembullin e shumë komuniteteve etnike, sidomos italianëve. Asgjë nuk e nënvizoi më shumë këtë zhvendosje sesa kur në vitin 1989, komuniteti katolim shqiptar i bashkuar vendosi që kishën e tyre të madhe ta ngrinte pikërisht në Westchester, në qytezën Hartsdale.
Pra, shqiptarët ishin praktikisht fqinj të DioGuardit dhe pjesë e elektoratit që përfaqësonte ai. Ishte vetëm çështje kohe kur do ta zbulonin njëri-tjetrin. Thuhet se ka qenë në një bisedë me babain e tij, me prejadhje nga fshati arbëresh Geci në Itali, që disa shqiptarë morën vesh për origjinën e kongresistit. Lajme si këto hapen shpejt në komunitet. Brenda pak kohe, të gjithë e dinin se ky kongresisti i ri për të cilin kishin folur të gjitha gazetat e televizionet ishte nga “gjaku i shprishur”.
Në 1986, kur demokratët bënë përpjekjen e parë serioze për t’ia marrë vendin në Kongres DioGuardit, shqiptarët ishin aty për ta mbështetur. Bashkëpunimi kishte filluar dhe do të jepte fryte me rezolutën e parë në Kongres e përpjekje për t’iu mësuar amerikanëve në Washington fjalën “Kosovë”.
DioGuardi ishte një lloj fenomeni politik, por ai nuk mund të ndryshonte trajektoren politike në histori të Westchesterit. Në vitin 1988, demokratët e morën përsëri në dorë dhe zona e tij zgjedhore ka mbetur demokrate për më shumë se gjysëm shekulli, me të vetmin përjashtim, dritaren e katër viteve kur sfidoi parashikimet dhe e ktheu rajonin djathtas.
Humbja e republikanëve në Westchester u vajtua nga shqiptarët, por për ironi shënoi një fitore për ta. I çliruar nga angazhimet legjislative, DioGuardi iu përvesh tërësisht kauzës së Kosovës. Themeloi Ligën Qytetare Shqiptare Amerikane në 1989 dhe filloi lobimin profesional në Washington. Gati e gjithë forca e komunitetit u grumbullua rreth tij. Mësimet e nxjerra nga ajo kohë vazhdojnë t’u shërbejnë shqiptarëve edhe sot e kësaj dite.
Liga ishte një shkollë për shumë veprimtarë shqiptarë që mësuan pastaj se si të veprojnë më vete, të organizuar apo individualisht, duke eksperimentuar dhe përmirësuar punën e tyre.
Ishte një periudhë vendimtare, komunizmi po binte në gjithë Evropën Lindore dhe kishte shpresa të mëdha për hapjen e Shqipërisë. Jugosllavia po tregonte shenja të shpërbërjes duke hapur rrugën për një pavarësim të mundshëm të Kosovës dhe ndryshim të jetës së shqiptarëve në trojet e tyre.
Në 1990, DioGuardi u bë strumbullar i dy vizitave historike. Në të parën, bashkë me kongresistin Tom Lantos vizituan Shqipërinë dhe i kërkuan Ramiz Alisë të pranonte ndryshimin e pashmangshëm. Në mënyrë të veçantë kërkuan të dhëna e dokumente për hebrenjtë në Shqipëri. Me këtë vizitë për herë të parë fillon njohja dhe promovimi në botë i aktit të madh të shpëtimit të hebrejve nga shqiptarët gjatë Holokaustit – deri atëhere çuditërisht tërësisht e panjohur.
Vizita e dytë, ishte ajo në fund të gushtit 1990 nga një delegacion i lartë i Senatit Amerikan drejtuar nga Udhëheqësi i Shumicës, Senatori Bob Dole në Kosovë, në kulmin e shtetrrethimit nga regjimi i Millosheviqit. Kjo vizitë e vuri Kosovën në hartën e botës dhe që aty filloi rruga historike e ndryshimit. Ajo nuk do të kishte ndodhur pa rezistencën e jashtëzakonshme të popullit të Kosovës, por e gërshetuar me punën e diasporës shqiptare shënoi fitoren historike.
DioGuardi ishte gjithashtu i pari që promovoi në Washington veprimtarinë e shqiptarëve në Maqedoni e Mal të Zi, duke filluar që nga përpjekjet për të hapur një universitet në gjuhën shqipe në Shkup, në gjysmën e parë të dekadës 1990.
Ka pasur shumë debate se pse Liga nuk mund të ruante monopolin e lobimit shqiptar në SHBA, që është përmbledhur më shumë në arsye personale e dyshime ndikimesh imagjinare. Në fakt, ka qenë një zhvillim i natyrshëm i kohës, i transformimit të shoqërisë amerikane, i botës shqiptare, i demokratizimit të jetës në Washington e sigurisht, epërsia e tregut të lirë të ideve dhe veprimtarive politike.
Në fakt, ndryshe nga çfarë druhej DioGuardi dhe disa udhëheqës të rëndësishëm të komunitetit që nga miq u kthyen në rivalë, konkurrenca mes organizatave përveçse ishte e pashmangshme, nuk e dobësoi por e forcoi lobimin e shqiptarëve në Washington. Po përmend dy organizata që në veçanti i dhanë forcë lobimit të komunitetit në SHBA: degët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Këshilli Kombëtar Shqiptar Amerikan. Por pavarësisht konflikteve dhe konkurrencës me Ligën, ato ishin njëfarësoj vazhduese të punës së saj, të konceptuara në mënyrë më specifike, dhe më në përshtatje me epokën historike, institucionet amerikane, dhe përbërjen e komunitetit.
Sot, kur shqiptarët u bashkuan edhe njëherë së bashku për të festuar 85-vjetorin e një figure historike si Joe DioGuardi m’u duk një rast i mirë për të kujtuar pak të kaluarën gati të harruar dhe për të nënvizuar rëndësinë e madhe që pati Liga që ai themeloi në fillimin e epokës moderne të organizimit politik e lobist të shqiptarëve në SHBA.
Puna dhe kontributi i tij janë një trashëgimi e madhe historike e komunitetit dhe kombit shqiptar.
Edhe 100, Joe DioGuardi! Faleminderit për gjithshka!