Kur një shkrimtar pretendon të jetë humanist, por gjykon një popull të tërë si të mallkuar, absurdi dhe racizmi marrin përmasa Kafkiane.
Fadil Sahiti
Është e frikshme të lexosh një shkrimtar që pretendon se flet në emër të humanizmit, ndërkohë që përdor gjuhën e mohimit, të dehumanizimit dhe të kolonializmit. Ben Blushi shkruan sikur palestinezët janë një popull i mallkuar, që meriton një proces “ekzorcizmi” për të “nxjerrë djallin nga shpirti”. Ky nuk është argument politik; është demonizim mesjetar. Dhe kur një shkrimtar e quan një popull të tërë të pushtuar “të përlyer nga djalli”, atëherë kemi hyrë në gjuhën e racizmit.
Blushi thotë se “për 80 vjet palestinezët kanë bërë gjithçka keq” dhe “janë armiqtë më të mëdhenj të shtetit të tyre”. Kjo është një gjykatë Kafkaiane: të akuzuarit ndëshkohen jo vetëm për çdo veprim, por edhe për çdo refuzim, edhe për çdo përpjekje. Në 1947 palestinezët refuzuan planin e OKB-së – dhe Blushi këtë e sheh si faj të tyre. Por çfarë refuzuan ata? Refuzuan copëtimin e tokës së tyre në mënyrë të padrejtë, refuzuan të pranojnë që shumicës së tyre t’i merrej territori për t’u dhënë një pakice të sapoardhur. Refuzuan një krim, dhe sot ky refuzim paraqitet si krim. Kjo është absurdi në formën më të pastër Kafkaiane.
Më tej, Blushi i quan luftërat e 1948 dhe 1967 thjesht “gabime”. Si të ishin faji i palestinezëve që shtetet arabe humbën betejat ushtarake kundër një fuqie të mbështetur nga Perëndimi. Por a do të thotë kjo se një popull humb të drejtën për vetëvendosje vetëm sepse nuk fitoi një luftë? Nëse po, atëherë edhe shqiptarët do të duhej të ishin zhdukur nga historia pas çdo disfate që pësuan shekuj me radhë.
Blushi vazhdon me një krahasim numerik: Izraeli ka 600 miliardë dollarë ekonomi, Palestina vetëm 15 miliardë. Dhe nga ky krahasim, ai përfundon se Izraeli është popull i zgjuar e punëtor, palestinezët janë dështakë. Por ky është argument kolonial në trajtën më të pastër: të kesh ekonomi miliardëshe ndërkohë që kontrollon tokën, ujin, hapësirën ajrore dhe kufijtë e një populli tjetër, e bën zhvillimin tënd të mundshëm dhe atë të tjetrit të pamundur. Është njësoj sikur të lavdërosh shfrytëzuesin pse është i pasur dhe të poshtërosh të shfrytëzuarin pse është i varfër.
Blushi e quan Izraelin “demokraci të fortë” dhe Palestinën “popull që nuk do zgjedhje”. Por kjo është logjikë Orwelliane: kur pushtuesi quhet “demokratik” ndërsa i pushtuari quhet “i paaftë për demokraci”. Po, Izraeli mban zgjedhje për qytetarët e vet, por mbi miliona palestinezë mban një regjim ushtarak pa të drejtë vote, pa liri lëvizjeje, pa pronë. Demokracia e njëanshme është fasadë, jo standard. Dhe sa për zgjedhjet në Gaza, Blushi harron se paqe nuk ndërtohet duke i mohuar një populli zgjedhjen vetëm pse rezultati nuk na pëlqen. Shqiptarët votuan komunistët, gjermanët votuan Hitlerin – por askush nuk tha se këto popuj nuk meritojnë shtet. Vetëm palestinezëve u kërkohet të zhduken nga harta për shkak të zgjedhjeve.
Më tej, Blushi shkon deri aty sa thotë se palestinezët “adhurojnë Hamasin” dhe se “terroristët i shpallin martirë”. Kjo është një tjetër përgjithësim racist: të barazosh një popull të tërë me një organizatë. Është njësoj si të thuash se të gjithë gjermanët janë nazistë, të gjithë rusët stalinistë, të gjithë shqiptarët enveristë. Një shkrimtar që di të lexojë historinë nuk do të bënte kurrë një barazim kaq brutal.
Pika më absurde është kur Blushi flet për “procesin e ekzorcizmit” – sikur palestinezët të mos ishin njerëz, por shpirtra të pushtuar nga djalli. Kjo nuk është më politikë, është gjuha e dehumanizimit. Çdo herë që një pushtues do të justifikojë mohimin e tjetrit, ai e përshkruan tjetrin si të papjekur, si barbar, si i infektuar nga e keqja. Ky është diskursi kolonial që ka justifikuar skllavërinë, kolonializmin dhe gjenocidet. Të përdorësh të njëjtën gjuhë në vitin 2025 dhe ta shesësh si “moral” është ironia më e hidhur.
Në fund, Blushi thotë: “Palestina nuk është gati të jetojë si ne”. Por kush është ky “ne”? Shqipëria më 1913 ishte pa ekonomi, pa institucione, pa demokraci. Dhe megjithatë u njoh, sepse shtetet nuk njihen si shpërblim për zhvillimin, por sepse popujt kanë të drejtë të kenë një shtet mbi tokën e tyre. E drejta e palestinezëve për shtet është e natyrshme, e patjetërsueshme dhe nuk varet nga miratimi i Blushit.
Prandaj, në kundërshtim me logjikën raciste e koloniale të një shkrimtari që e quan veten humanist, Palestina duhet njohur. Sepse liria nuk jepet si dhuratë, nuk fitohet si shpërblim dhe nuk shtyhet pafund si provë e pjekurisë. Liria është e drejtë natyrore e çdo populli – edhe e palestinezëve.