Ish-kampioni i madh i tenisit, Andy Murray, ka thyer heshtjen mbi marrëdhënien e tij me Emma Raducanu, pas zhurmës së krijuar nga tërheqja e saj nga dyshet e përziera në Wimbledon 2024.
Murray, i cili u tërhoq nga tenisi pas Lojërave Olimpike të Parisit 2024, kujtoi se situata e vitit të kaluar ishte një moment i vështirë emocional për të, por ka sqaruar se çdo keqkuptim mes tij dhe Raducanu është tashmë pas krahëve.
Në një intervistë për The Times, fituesi i trefishtë i Grand Slam tha:
“Ne kemi shkëmbyer disa mesazhe pas Wimbledon-it dhe gjithçka u qartësua. Ishte një periudhë shumë emocionale për mua dhe të gjithë rreth meje, ndaj ishte e vështirë, por jam i lumtur me mënyrën si përfundoi karriera ime. E mbylla duke luajtur ndeshjen e fundit në Wimbledon me vëllain tim, Jamie.”
Murray shtoi se marrëdhënia e tij me Raducanu është e njëjtë si më parë:
“Emma nuk është dikush me të cilën unë flisja vazhdimisht apo diskutonim për lojën e saj, ndaj nuk ka ndryshuar asgjë në këtë drejtim.”
Raducanu, e cila u tërhoq nga dyshet për shkak të një dëmtimi në dorë, kishte kërkuar ndjesë publikisht pas vendimit të saj. Në atë kohë, zhgënjimi i Murray-t dhe i nënës së tij, Judy, bëri bujë në media, por duket se tensionet janë shuar.
Murray ka lënë pas një karrierë brilante, me tre Grand Slam, dy medalje ari olimpike dhe dy tituj në Wimbledon (2013 dhe 2016). Nga ana tjetër, Raducanu mbetet shpresa kryesore e tenisit britanik tek femrat, pas triumfit të saj në US Open 2021. /GazetaExpress/