Albin Kurtit i konvenon kolapsimi i sistemit ekonomik, ja pse - Gazeta Express
string(59) "albin-kurtit-ikonvenon-kolapsimi-i-sistemit-ekonomik-ja-pse"

OP/ED

Gazeta Express

15/09/2025 19:35

Albin Kurtit i konvenon kolapsimi i sistemit ekonomik, ja pse

OP/ED

Gazeta Express

15/09/2025 19:35

Sikur ujku që do mjegull – Albin Kurti do kriza.

Shkruan: Sefer Zogaj

“Liria ekonomike konsiston në lirinë politike”, thoshte Milton Friedman, fitues i Çmimit Nobel për Ekonomi. Ai argumentonte se cenimi i së parë automatikisht minimizon të dytën.

Një këndvështrim i ekonomisë përtej kurbave makroekonomike–perspektivë që ngërthen sociologjinë, filozofinë politike – zinxhir disiplinash për shpjegimin e nyjes mes institucioneve dhe shoqërisë.

Kësisoj, Albin Kurti qëllimshëm e manipulon këtë zinxhir duke u shmangur nga rigorizmi kompleks i ekonomisë si shkencë – ai ka paraqitur ekonominë si të ngjitur me shtetin si mishi me trupin.

Një ekonomi të varur nga shteti që punon për të si robi për padronin pa të drejtë që t’i përdor frytet e punës vetjake.

Një individ pa liri ekonomike që nuk ka më si të ketë liri politike.

Kjo mendësi e ekonomisë për botën dhe shqiptarët është e njohur. Është centralizëm i ekonomisë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës – neni 10 i aktit më të lartë juridik përcakton qartazi: Ekonomia e tregut me konkurrencë të lirë është bazë e rregullimit ekonomik.

Kapitalizmi ka shumë variacione, mund të reformohet për më shumë drejtësi – Kurti s’ka interesim për këtë, dëshiron “kokën” e kapitalizmit – realizimi kërkon revolucion, jo thjesht reforma.

Historia tregon se revolucioni shpërthen kur njerëzit nuk kanë çfarë të humbin më përveç jetës, kosovarët e pasluftës kishin çfarë të humbin; lirinë e fituar me luftë– për këtë revolucioni klasik në tentativë i Albin Kurtit përmes dhunës në rrugë dështoi.

Hoqi dorë, jo nga dëshira – Albin Kurti në vitin 2010 pranoi zyrtarisht institucionet e rendit demokratik kapitalist – megjithëse vitet në vazhdim shfaqën diç tjetër: Albin Kurti është subversionist, po synon revolucionin institucional.

Po Albin Kurti e pranon këtë, kur thotë se kompromisi më i dhimbshëm politik ishte kur Lëvizja Vetëvendosje hyri në garë zgjedhore, por shton tekstualisht “kemi ndryshuar strategji, jo qëllim”.

Pra, strategjia ishte marrja e pushtetit përmes institucioneve – qëllimi revolucioni institucional duke i degraduar e shuar po ato institucione ekzistuese politike dhe ekonomike.

Këtë, pikërisht këtë po e bën Albin Kurti.

Po lufton Gjykatën Kushtetuese, sistemin prokurorial, sektorin privat, pluralizmin e mediave, shoqërinë civile, sindikatat ekzistuese, administratën publike. Po lufton gjithçka nga ky sistem që të mos mbetet as hiri prej tij.

Aspiron rrëzimin e objektit të ndërtuar për 20 vjet, për ta nisur një të ri.

Dhe, Albin Kurti nuk po e tregon planin arkitektonik të atij objekti –e ruan sekret, ndonëse veprimet e tij mund të lexohen – vetë ai i ka lexuar diku.

Literatura etatiste është e mbushur me modalitete për një barazi të pretenduar shoqërore, aso barazie që shkrumon lirinë <barazi mes të palirëve> ku person i vetëm i lirë është kreu – Albin Kurti.

E do lirinë absolute individuale për vete në emër të barazisë së rreme kolektive.

Sistemi aktual i shërben edhe kolektivit – sipërmarrësi merr rreziqe, krijon biznes – paguan taksa, punëson punëtorë. Qëllimi i sipërmarrësit është maksimalizimi i fitimit, por detyrimisht duhet të bashkëveprojë me kolektiven. I nënshtrohet një vargu ligjesh.

Këta sipërmarrës u krahasuan me kriminelin e kërkuar nga Republika e Kosovës Milan Radojçiq – vetëm se protestuan për kërkesa bazike; furnizim me energji elektrike dhe dalje graduale në tregun e hapur energjetik – jo të dhunshme siç do ekzekutivi.

Qeveria nuk pranoi, i kishte në tavolinë të gjitha pasojat eventuale; falimentim të bizneseve, humbje të vendeve të punës, deficit potencial buxhetor, etj. Injoroi realitetin për ndërtimin e një të riu.

Realitet i ri, ku shteti i shpërndan të mirat – jep shtesa të vazhdueshme, dora e shtetit ndjehet vazhdimisht, derisa ajo dorë nga popullsia përjetohet si dorë shpëtimtare ndonëse është dorë sundimtare.

Të sundosh i improvizuar si shpëtimtar.

Nga shtysa për ta arritur këtë Albin Kurti nuk po mund të përmbahet, që tash proklamon arritjen e madhe <bukën e motmotit> një slogan intervencionist – ku buka e bën të varur individin me shtetin.

Kur individi punon në sektor privat bukën e blen me kuletën e tij– pa sektor privat këtë produkt duhet të sigurojë nga kuleta e shtetit.

Shteti intervenon me masa radikale kur ka mungesë produktesh – krizë humanitare.

Vetëm buka gjatë majit 2025 ishte shtrenjtuar 20 për qind si rezultat i shtrenjtimit të energjisë elektrike me vendim të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) me mbështetje të Qeverisë.

Sikur ujku që do mjegull – Albin Kurti do kriza.

Një krizë që po përjetohet në Kosovë, çmimet në qiell, bizneset thuajse në varr, investimet kapitale në erë.

Pse Qeveria nuk po intervenon brenda sistemit?

Sepse, ka shkaktuar një tërmet për ta rrëzuar objektin, dhe jo t’i pastrojë rrënojat por t’u këndojë atyre –  përmes melodisë tragjike të fajësojë projektuesit e objektit.

Të prezantojë një të ri – pa shumë detaje, siç thuhet “djalli qëndron në detaje”.

Historia e këtij objekti duhet të arkivohet – sistemi kosovar po forcohej, por u shemb sepse nuk mbante emrin e Albin Kurtit.