Në një shoqëri ku zhurma zë vendin e dijes, talk-show-t komandojnë arsyen dhe opinionet e gjithdijshmëve zëvendësojnë mendimin, realiteti kthehet në një farsë të përditshme.
Fadil Sahiti
Në vende të vogla si Kosova apo Shqipëria, ku ka më shumë folës se dëgjues, diskursi publik nuk është më pasqyrë e realitetit. Është kthyer në nervin kryesor të një trupi që reagon, por nuk mendon. Në këtë sistem, impulset nuk vijnë nga mendimi i kthjellët, por nga zhurma. Komandat nuk lëshohen nga qendra e arsyes, por nga studiot e talk-show-ve dhe komandantët e portaleve. Ata nuk janë thjesht prodhues emisionesh. Janë bërë arkitektë të perceptimit. Modelojnë debatin publik ashtu si modelohet një skenë, me dritë, grimasë dhe improvizim. Vendosin kush ka të drejtë të flasë, çfarë është temë, kush shpallet “ekspert” dhe kush duhet të heshtë përgjithmon.
Në portalet tona të zhurmshme dhe sidomos në ekranet tona të ndriçuara me paqe fallco, defilojnë përditë të njëjtat fytyra të ricikluara. Ish-kryeministra që kanë qenë dizajnerët e një shteti që sot mezi mbahet në këmbë sepse e kanë rrënuar vetë duke vjedhur pasurinë dhe ardhmërinë e tij. Ish-ministra që lanë pas vetëm ndërprerje rrugësh dhe fjali të zbrazëta. Ish-kryetarë komunash që nuk mbajnë mend as ku i kanë varrosur premtimet që dikur i shpallnin me fanfarë.
Flasin pastaj analistët e gjithdijshëm. Një natë japin receta për reformën në drejtësi, natën tjetër analizojnë mutacionet e viruseve, të tretën parashikojnë ciklet e hënës. Gjithmonë me tonin e dikujt që nuk ka dyshuar kurrë në asgjë dhe as nuk ka mësuar kurrë nga asgjë.
Pastaj vijnë akademikët. Ata që gjoja punojnë në universitete europiane me emra të mjegullt, por që nuk i gjen askund. As në ndonjë faqe ku bota e mendjes kërkon dije, as në ndonjë rresht të botuar, as në ndonjë citim që lë gjurmë. Ka edhe akademikë vendorë që nuk e dinë as vetë çfarë janë. Një ditë profesorë, një ditë këshilltarë qeverish, një ditë këshilltarë presidentësh të shtetit dhe të kuvendit. Të nesërmen sërish në studio, si zëra të pavarur. Dhe një kategori më të sofistikuar akoma: akademikët e gjykatave dhe bordeve publike. Kryetarë dhe anëtarë trupash gjyqësore që vendosin për fatin e njerëzve, por që para se të jenë gjyqtarë, janë njerëz të kamerës. Të gjithë shfaqen me tituj shkencorë që nuk i ka verifikuar askush, flasin si autoritete të dijes, por pa lënë gjurmë askund, përveç në arkivat e televizioneve. Të gjithë, pa përjashtim, para kamerave shfaqen si orakuj, duke artikuluar me vetëbesim olimpik boshllëkun e tyre të stërvitur.
Ndërkohë, njerëzit e dijes mungojnë. Jo sepse nuk kanë çfarë të thonë. Por sepse nuk bërtasin. Ata merren me fakte, punojnë në heshtje, analizojnë me përkushtim. Flasin atje ku nuk shkojnë të gjithë – në librat që lexohen dhe në punimet që citohen. Mund të ndihmojnë realisht në kuptimin e krizave, ndoshta edhe në kapërcimin e tyre. Por nuk i sheh askund. Sepse studioja televizive dhe zhurma e rrjeteve nuk është vendi i tyre. Ata nuk garojnë për piskama. Nuk kërkojnë fanfare. Nuk janë të uritur për famë, por për kuptim. Dhe pikërisht për këtë përjashtohen. Sepse këtu triumfon ai që flet më shumë, jo ai që mendon më thellë.
Dhe ky është problemi ynë më i thellë. Jo që njerëzit e dijes mungojnë, por që shoqëria jonë nuk i kërkon. Ata janë përjashtuar nga një rend simbolik ku nuk ka më shkallë vlerash. Sepse sistemi i vlerave është rrafshuar. Në këtë moçal diskursi, të gjithë kanë të njëjtën peshë. Profesori dhe propagandisti. Studiuesi dhe spekulanti. Shkencëtari dhe sharësi. Nuk është dija ajo që peshon, por zhurma. Nuk është argumenti, por ‘gjesti’. Nuk është mendimi kritik, por manipulimi emocional.
Nëse një koleg imi që jeton në Kosovë, ndër 5% më të cituarit në botë për punën e tij shkencore, nuk ftohet të flasë për krizën që po përjetojmë, kjo nuk thotë asgjë për të. Thotë gjithçka për ne. Për atë që quajmë vlerë. Për atë që kemi zgjedhur të harrojmë.Në fund, në këtë republikë të talk-show-ve, budallenjtë bëhen të ditur dhe të diturit heshtin. Por kjo nuk është heshtje e pafuqisë. Është një formë mbijetese në një shoqëri që ka zgjedhur zhurmën në vend të dijes, spektaklin në vend të përmbajtjes, dhe farsën në vend të realitetit.
Axians, marka e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit e VINCI Energies, hapi vendndodhjen e saj të sapo ndërtuar në...