Nga triumfi në GJND te kriza e shtetit të Kosovës - Gazeta Express
string(49) "nga-triumfi-ne-gjnd-te-kriza-e-shtetit-te-kosoves"

OP/ED

Gazeta Express

30/07/2025 11:37

Nga triumfi në GJND te kriza e shtetit të Kosovës

OP/ED

Gazeta Express

30/07/2025 11:37

Shkruan: Adri Nurellari

15 vjet më parë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i dha Kosovës një nga fitoret më të mëdha diplomatike të saj duke vendosur se pavarësia e Kosovës ishte plotësisht legale sipas së drejtës ndërkombëtar. Sot, ky triumf historik duket si një kujtim i largët, i errësuar nga aktualiteti i bllokadës institucionale dhe realiteti i një qeverie që vazhdimisht pengon interesat shtetërorë për hir të përfitimeve meskine elektorale. Verdikti i GJND-së i dha Kosovës një avantazh diplomatik të hovshëm në forume ndërkombëtare, sepse interpretohej si një “vulë” legale për mëvetësinë, duke forcuar kështu sovranitetin e Kosovës, si dhe duke krijuar më shumë hapësirë për veprim të pavarur në marrëdhënie ndërkombëtare. Ndikoi gjithashtu në qëndrimin e vendeve të lëkundura që ishin në pritje të një interpretimi ligjor para njohjes së mundshme të Kosovës, duke sjellë një dallgë të re të njohjeve dhe aplikimeve në organizata ndërkombëtare.

Akti i GJND-së ishte një disfatë e madhe për Serbinë, pasi legjitimiteti i pavarësisë u vlerësua nga autoriteti më i lartë ligjor ndërkombëtar. Ironikisht, ishte vetë Serbia ajo që e kishte dërguar çështjen për gjykim. Kjo e vendosi Beogradin në një pozitë të vështirë, duke e bërë thuajse të pamundur mbajtjen e narrativës së tyre për “shkelje të integritetit territorial”. Serbia u detyrua të tërhiqte rezolutën e saj të parë për Asamblenë e OKB-së, që kërkonte shpalljen e pavarësisë si të paligjshme në OKB, sepse mbeti pa mbështetje dhe u arrit një kompromis me BE-në, që solli një rezolutë të re. Rezoluta e shtatorit 2010 theksonte dialogun si mjet për normalizimin e marrëdhënieve, duke çuar më vonë te dialogu në Bruksel.

Politika e atëhershme e Serbisë, e udhëhequr nga agresiviteti impulsiv, emocionet e urrejtjes, retorika populiste nacionaliste, dëshira për hakmarrje dhe nxitja e vazhdueshme e tensionit, nuk rezultoi të ishte rruga e duhur, por çoi në dështim. Pas humbjes së kauzës juridike në GJND dhe humbjes së terrenit në OKB, Beogradi u detyrua të ndryshonte strategjinë, duke u fokusuar në “luftën për mosnjohje” dhe në bllokimin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Ky ndryshim, ndonëse ende i dëmshëm për Kosovën, ishte një pranim indirekt i dështimit të thellë të strategjisë së tyre të mëparshme.

Mbi të gjitha, vendimi historik i GJND-së shërbeu si një dëshmi e qartë dhe e fortë se politika e elitës së atëhershme me në krye Hashim Thaçin, e karakterizuar nga maturia, pragmatizmi, vetëpërmbajtja nga provokimet apo radikalizmi, ishte rruga e duhur. Ajo qasje strategjike i mundësoi Kosovës të triumfonte në arenën ligjore globale duke demonstruar se partneriteti ndërkombëtar, vetë-përmbajtja dhe mençuria diplomatike janë mjete më efektive se konfrontimi.

Por aktgjykimi dhe pasojat në Asamblenë e OKB-së delegjitimuan dhe diskredituan edhe qëndrimet ekstremiste të Kurtit dhe Vetëvendosjes, të cilët e konsideronin shpalljen e pavarësisë së vitit 2008 si të paplotë ose jo dinjitoze. Procesi që çoi në vendimin e GJND-së tregoi se Kosova kishte mbështetjen e bllokut demokratik ndërkombëtar dhe se ecja përpara vinte përmes reformave dhe bashkëpunimit e jo përmes izolimit apo ekstremizmit. Konfirmimi i ligjshmërisë ndërkombëtare rrëzoi, gjithashtu, tregimin e Vetëvendosjes se 17 shkurti ishte një akt i kompromisit apo nënshtrimit ndaj Perëndimit. Argumenti antiperëndimor i Kurtit se kinse vendi ishte “nën neokolonializëm ndërkombëtar” humbi forcën pasi komuniteti ndërkombëtar e mbështeti qartazi shtetësinë e saj dhe GJND-ja konfirmoi të drejtën e popullit tonë për vetëvendosje. Në këtë mënyrë u përgënjeshtrua diskursi anti-perëndimor i Kurtit përderisa pikërisht aleatët ndihmuan haptazi e pa kursim Kosovën që të fitonte rastin gjyqësor.

Vendimi ndihmoi që qytetarët të perceptonin shtetin si një realitet të përhershëm, duke përgënjeshtruar të gjithë ata që premtonin “ndryshime rrënjësore” dhe talleshin me “flamurin lara-lara” të Kosovës. GJND-ja i dha forcë dhe legjitimitet institucioneve shtetërore të krijuara pas 2008-ës, si dhe konfirmoi Thaçin dhe liderët e tjerë politikë të kohës si timonierët e duhur për nevojat e kohës.

Përpara gjithë këtyre dështimeve dhe diskreditimeve të parashikimeve, duhet duartrokitur aftësia e Kurtit për ta rishpikur veten në një mënyrë që çdo kameleon i Madagaskarit do ta kishte zili – dhe që sot ka guximin të flasë mirë për GJND-në. Ai, i cili dikur e quajti pavarësinë e Kosovës “të cunguar” dhe “nën hijen e kolonializmit”, sot e quan fitore të drejtësisë ndërkombëtare, duke harruar se pikërisht ky proces, i cili kulminoi në GJND, e delegjitimoi retorikën e tij ekstremiste. Kjo kthesë oportuniste 180 gradë nuk është hipokrizi dosido, por edhe dëshmi e një aftësie të jashtëzakonshme për t’u përshtatur me realitetin kur interesi personal ta kërkon.

Po ku është Kosova sot, 15 vjet më pas fitores në GJND? Fatkeqësisht, nën lidershipin aktual të Albin Kurtit, rrezikon të bëhet unike jo për sukses, por për thellësinë e polarizimit të brendshëm, duke dëmtuar seriozisht interesat kombëtare. Nëse dikur Kosova ishte rast unik për pavarësi si popull i vogël që me sakrificë e mundim fitoi zemrat dhe mendjet e botës demokratike, sot “unikaliteti” i saj lidhet me rekordin Guinness të kandidaturës për kryetare kuvendi më të refuzuar ndonjëherë, që rrezikon të bëhet alibi për paaftësinë për të ndërtuar konsensusin e brendshëm, duke dëmtuar rëndë imazhin. Ai shtet i ri që dikur dinte të ndikonte pozitivisht te vendet skeptike, sot ka arritur të zhgënjejë edhe aleatët e saj më të ngushtë dhe katandiset e renditur përkrah Rusisë e Bjellorusisë si vende të sanksionuara nga BE-ja.

Nëse dikur sfidat vinin nga jashtë, sot Kosova po “vetë-pengon” veten me grindje sterile dhe mungesë vizioni të përbashkët. Partia që me emrin pretendon se është Vetëvendosje, sot në fakt është shndërruar në vetë-izolim. Debatet shterpë politike dhe bllokimi i Kuvendit e kanë lënë shtetin në një gjendje paralize, duke e përjashtuar nga ndihma bujare ekonomike e partnerëve dhe duke zhgënjyer edhe aleatët më të ngushtë. Kosova rrezikon humbje strategjike nëse vazhdon me një qasje të brendshme të tensionuar e populiste për qëllime meskine elektorale, duke ushqyer pretendimet e armiqve tanë historikë se shqiptarët janë të paaftë për të bërë shtet.

Nga një vend i vogël që i ofronte botës një histori frymëzuese të luftës për liri dhe drejtësi, është kthyer në një rast zhgënjimi për ata që dikur investuan politikisht e financiarisht në të. Në vend që ta thellojë sovranitetin funksional, polarizimi politik dhe papërgjegjshmëria e LVV-së e kanë kthyer atë në një sovranitet jofunksional, duke i dhënë municion çdo kundërshtari që synon ta paraqesë Kosovën si një shtet të dështuar. Ndaj ky përvjetor reflektimi dhe kjo pasqyrë e hidhur duhet të shërbejë si një thirrje zgjimi. që Kosova të braktisë polarizimin, të rikuperojë maturinë diplomatike dhe të rikthehet në rrugën e bashkëpunimit me partnerët strategjikë, para se të humbasë plotësisht kredibilitetin e fituar me aq mund. Pritet që ta ringrejë vizionin e dikurshëm dhe të bashkohet për të dëshmuar se nuk është një fatkeqësi e vetë shkaktuar, por një histori e lavdishme suksesi që pret të rifillojë.