“Nëse do të ketë lëvizje, ajo do të ndodhë gjatë këtij muaji”, beson Albin Kurti, i cili po mban kontakte të vazhdueshme me Fatmir Limajn për gjetjen e një marrëveshjeje të mundshme që do ta zgjidhte ngërçin në Kuvend dhe do ta mundësonte formimin e qeverisë së re. Këtë javë, ata do të takohen sërish.
Gazeta Express
Albin Kurti dhe Fatmir Limaj janë në kontakt të vazhdueshëm dhe po takohen herë pas here. Ata do të ulen përballë njëri-tjetrit edhe këtë javë për të diskutuar edhe një herë tjetër mundësinë për një marrëveshje politike për Qeverinë Kurti 3.
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj tha të premten se këtë javë do ta ftojë për takim kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje.
“E kam ndërmend ta ftojë për kafe, dhe kështu të tentojmë ta gjejmë një zgjidhje”, tha ai.
I pyetur nëse shpreson se do të arrihet diçka, Limaj tha: “Për besë… po shpresoj. Unë gjithmonë shpresoj. Me bisedime gjithmonë ka diçka që sjell rezultate. Sa herë të flasim, gjithmonë është e mirë”.
Zhvillimin e këtij takimi e paralajmëroi me siguri edhe deputetja e Nismës, Arbëreshë Kryeziu. “Sigurisht që do të takohen”, tha ajo, pasi seanca për konstituimin e Kuvendit u ndërpre për herë të 46-të të dielën.
Ngërçin politik në Kuvend nuk e ka zgjidhur as një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese i shpallur më 26 qershor dhe seanca konstituive vazhdon e ndërpritet çdo dy ditë.
Kurti, i cili ka pasur disponim të përplaset në distancë me kryetarët e PDK-së, LDK-së e AAK-së për aktgjykimin e Kushtetueses – të cilin sipas tij ata po e keqlexojnë – me Limajn i ka ruajtur raportet.
Ai e di se do t’i duhet të gjejë një partner nga ana e përfaqësuesve të partive tjera shqiptare, të cilët i quajti “hajvanë” kur partia e tij doli e para në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, por pa marrë mjaftueshëm vota për të qeverisur e vetme sërish.
Kurti po negocion herë pas here me Limajn dhe po pëballet me dy kërkesa konkrete nga kryetari i Nismës: pozitën e kryetarit të Kuvendit dhe një “paketë ligjore”, në të cilën përfshihet edhe ulja e pragut zgjedhor nga 5 në 2%.
Aktgjykimi i Kushtetueses i detyron deputetët ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve – më së largu deri më 26 korrik.
Kurti beson se “nëse do të ketë lëvizje, ajo do të ndodhë gjatë këtij muaji”. Ai ka konfirmuar e është në kontakt të vazhdueshëm me Limajn.
“Jemi në kontakt të vazhdueshëm. Atmosfera është shumë më e mirë sesa hapat që janë ndërmarrë deri tani. Tani mbetet të shihet nëse kjo atmosferë e mirë do të çojë drejt një qëllimi konkret apo jo”, ka thënë ai më 2 korrik në një intervistë në Tëvë1.
Ai mendon se do të kenë bashkëpunim me Nismën edhe për Kuvendin, edhe për Qeverinë, por shton se për Limajn kryeparlamentar “nuk ka pasur dakordim” brenda grupit parlamentar të LVV-së.