Shkruan: Blerim Shala
Më mirë një ujk plak, se dhjetëra ujq të ri.
Në këtë mënyrë një diplomat i shquar perëndimor, në një bisedë private, komentoi zhvillimet e fundit politikë në Serbi, pas mbajtjes së protestës së radhës së Lëvizjes studentore, e cila të shtunën e kaluar tuboi mbi një qind mijëra veta.
Duket se kjo Lëvizje, me 28 qershor, hyri në fazën e tretë dhe finale (sipas të gjitha gjasave), të zhvillimit të saj.
Faza e parë që nisi në vjeshtën e vitit të kaluar, menjëherë pas tragjedisë në Novi Sad (kur në rrëzimin e strehës në stacionin kryesor hekurudhor, vdiqën 16 qytetarë), shquhej me kërkimin e përgjegjësisë për këtë ngjarje shumë të rëndë, dhe me insistimin që kjo Lëvizje nuk ka kurrfarë synime dhe pretendime politike.
Kulmi i kësaj faze ishte tubimi i 15 marsit në Beograd, kur u mblodhën 300 mijë veta në sheshet e këtij qyteti.
Faza e dytë filloi pak javë pas kësaj proteste më masive në historinë e re të Serbisë, kur studentët u shfaqën të politizuar, dhe për më shumë, pohuan që do të marrin pjesë në zgjedhjet e reja parlamentare në Serbi, si ‘Listë studentore’. Gjithashtu, studentët i bënë presion Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të shpall zgjedhjet e reja në Serbi, jo më vonë se në fund të muajit qershor apo në fillim të muajit korrik.
Natyrisht, Presidenti i Serbisë refuzoi një gjë të tillë, duke akuzuar që studentët janë argat të huaj në këtë rrëfim, apo që duan të realizojnë një ‘Revolucion të ngjyrosur’ në Serbi (aludimet në ndryshimet përmes protestave në Ukrainë dhe në disa shtete të tjera).
Faza e tretë e kësaj Lëvizjeje doli në shesh (njëmend, në shesh), të shtunën në mbrëmje, përmes transformimit të kësaj Lëvizjeje, kur të kihet parasysh çfarë u tha dhe u dëgjua krejt në këtë grumbullim, në një entitet me thekse të vrazhda nacionaliste, të cilat e kthejnë temën mitologjike dhe politike të Kosovës në qendër të politikës serbe.
Mediat në gjithë rajonin u stepën, sepse përkundër shenjave të qarta në të kaluarën për praninë e elementeve nacionaliste në këtë Lëvizje, ajo, deri në këtë fundjavë, arriti disi ta ruajë atë identitetin sipëror të një organizimi qytetërues.
Doli që e tëra kishte qenë një mashtrim i madh, sepse në ditët e fundit nuk pati një reflektim sqarues dhe kthjellues të prijësve të studentëve karshi një narracioni të së shtunës së kaluar, që e ktheu, realisht, Serbinë në atë 28 qershorin e vitit 1989, kur Slobodan Milosheviqi, lideri i atëhershëm nacional-komunist i Serbisë, prezantoi, në Gazimestan të Kosovës, vullnetin e tij dhe të lidershipit të Serbisë për luftë me synim të përmbushjes së interesave të kësaj republike të atëhershme të RSFJ-së.
Thuajse asgjë nuk ka ndodhur në 36 vitet e kaluara. Teksa asnjëri prej studentëve që janë pjesë e kësaj Lëvizjeje sot, as nuk kanë qenë të lindur atëherë. Madje, shumica prej tyre nuk dinë gjë për shkaqet e mirëfillta të luftërave të shkaktuara nga Serbia e Slobodan Milosheviqit. Zaten, po të mos ishte kështu, nuk do të ndodhte kjo kthesa radikale në të djathtë e kësaj Lëvizjeje të shtunën e kaluar, e cila pastaj çoi në këtë vlerësimin që zuri vend krejt në krye të këtij shkrimi.
Të thuash, nuk ka aspak dilema në kryeqendrat perëndimore sa i përket Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump vetëm pak ditë më parë theksoi që sivjet ka ndalur një përpjekje të re të Serbisë, për të nisur një luftë të re me Kosovën.
Megjithatë, ka pak ose fare nuk ka vullnet që një politikan që është i njohur për të gjitha kryeqendrat perëndimore, i cili e ka hapësirën e manovrimit gjithnjë e më të ngushtë, (për shkaqe të njohura për të gjithë), dhe i cili nuk ka ku të shkojë (si politikan), nëse Serbia dëshiron të hyjë në Bashkimin Evropian, të luftohet me të gjitha mjetet për shkak që në vend të tij të vijnë shumë Vučića të vegjël, të cilët do të jenë në gjendje t’ia humbin rajonit dhe Evropës edhe dhjetëra vite të tjera, duke ecur tutje me një narracion nacionalist.
Vučić u mundua për vite të tëra ta bëjë Serbinë qendër të rajonit, të Ballkanit Perëndimor.
Duhet thënë që ky ia ka dalë ta jetësojë këtë qëllim. Serbia është njëmend qendra e problemeve më të mëdha të kësaj pjese të Evropës. /Klan Kosova