Në një vend ku diploma peshon më shumë se dija, ku fjalët bëjnë më shumë zhurmë se veprat dhe ku në çdo ceremoni citohet Platoni pa u njohur idetë e tij, arsimi i ngjan më shumë një industrie të lehtë mallrash kineze sesa një procesi të mirëfilltë të formimit qytetar. Diplomat kthehen në dokumente zyrtare që certifikojnë mungesën e mendimit. Me stampim institucional.
Fadil Sahiti
Po përfundon edhe një vit akademik në Kosovë. Dallëndyshet janë kthyer, të rinjtë po diplomohen, ndërsa Akademia e Shkencave, ky monument i heshtjes me buxhet vjetor, qëndron stoike, si një orakull ceremonial që pret një mendim të thellë që nuk do të vijë. Në vend të një bilanci të ndershëm, kemi parada diplome me retorikë boshe. Në vend të pyetjeve të vështira, kemi lavdërime recitative për “gjeneratat e ardhshme”. Dhe në vend të një krize intelektuale, që do të meritonte debat e reflektim, kemi fjalime me citime të shtrembëruara nga Sokrati e Kant-i, të interpretuara me aq padije saqë do të skuqnin edhe përkthyesit anonimë.
Në këtë vend, ku shteti është fituar me gjak por qeveriset me slogane, protokolle dhe ndonjë fotografi para flamurit, prodhojmë çdo vit më shumë diploma sesa zgjidhje, më shumë fakultete sesa ide dhe më shumë mastera sesa mjeshtër. Arsimi është kthyer në industri të lehtë, me cikël të shpejtë prodhimi, por pa asnjë garanci cilësie. Kemi arritur në një paradoks që edhe Hegeli do ta kishte refuzuar si tepër spekulativ: një shoqëri që feston arritjet akademike, por frikësohet nga pyetja më e thjeshtë dhe më e rrezikshme njëherësh: “çfarë po bëjmë me to?”
Nëse Platoni do të vizitonte Prishtinën, nuk do të zbriste në ndonjë “agora publike”. Do të shkonte drejt e në Akademinë e Shkencave, për të kuptuar se si një institucion që mban në emër “shkencë dhe arte” mund të funksionojë kaq mirë pa asnjërën. Do të ballafaqohej me një seancë solemne ku emri i tij citohet si dekor retorik, ndërsa përmbajtja e ideve të tij humbet mes broshurave. Pas tij do të vinte Aristoteli, i cili, përballë një institucioni ku qytetari është zvogëluar në një dosje me vula dhe trajnim “soft-skills”, do të përplaste dorëshkrimet e “Etikës” mbi tavolinë dhe do të deklaronte: “Ky nuk është edukim por një sistem prodhimi certifikatash me fonde IPA”.
Ky motorzim i lirë i mendimit klasik nuk është thjesht incident teorik, është kthyer në filozofi shtetërore. Dija është zëvendësuar me dokumentacion, mendimi me formularë, edukimi me manual aplikimi për grante. Arsimi nuk formon më qytetarë, por i ceremonializon me letra me vulë. Kemi më shumë ngjarje diplome sesa ngjarje mendimi, më shumë ceremoni sesa kritikë. Institucionet që dikur ishin hapësira reflektimi, janë shndërruar në zyra stampimi. Qytetaria është zëvendësuar me nota, pjesëmarrja me lista dhe pyetja kritike me ‘rubrikën e vlerësimit’.
John Stuart Mill besonte se “arsimimi i qytetarit është garancia e ekzistencës së shtetit”. Tek ne, kjo ide është përkthyer si “trajnimi për diplomë është garanci për vend pune diku jashtë”. Gjeneratat e reja mësojnë të citojnë parime që nuk do t’i zbatojnë dhe të kalojnë provime pa kuptuar pyetjen. Jeta u mëson se më me vlerë është të njohësh një zyrtar sesa një zanat. Në shkollë përgatiten për PISA, në jetë përballen me MFPT, KEDS dhe call-center-at.
Sipas Entit të Statistikave dhe BERZH-it, mbi 30 për qind e të rinjve janë të papunë. Por kjo nuk na ndal të prodhojmë çdo vit një klasë të re “të diplomuarish të dëshpëruar”, ekspertë që në seminar dinë ta përkufizojnë “firmën”, por në praktikë nuk dinë si të hapin një dyqan biçikletash. Kemi më shumë fakultete ekonomie sesa ide për zhvillim dhe më shumë trajnime për menaxhim sesa njerëz që dinë të menaxhojnë veten. Është më e lehtë të gjesh këshilltar për ‘lidership transformues’ sesa elektricist. Rrjetet sociale janë plot me këshilla për sukses, por jo me njerëz që dinë të mbajnë përgjegjësi.
Nëse Kant-i besonte se arsimi është akt emancipues, tek ne kjo ide është përkthyer në një absurditet praktik: “çdokush me diplomë është i lirë nga çdo përgjegjësi”. Politikat arsimore nuk ndërtohen mbi nevoja reale, por mbi fjalë që tingëllojnë mirë në projekt: ‘kapacitete’, ‘transformim dixhital’, ‘qeverisje e mirë’, ‘partneritet publiko-privat’, ‘ndërmarrësi sociale’… një fjalor që garanton financim, por jo ndryshim. Emancipimi nuk matet me aftësinë për të menduar por me numrin e certifikatave që ngjiten në mur, apo në LinkedIn.
Deri atëherë, deri në ditën kur Akademia të guxojë të flasë për arsimin, e shteti të kuptojë se diplomimi ceremonial nuk është reformë, do të vazhdojmë të shpërndajmë diploma me stampë shteti që më shumë ushqejnë iluzione sesa përfaqësojnë dije dhe shkathtësi; më shumë Excel, më pak mendim; më shumë CV, më pak përmbajtje. Akademia e Shkencave do të vazhdojë të heshtë, por ama me zë institucional. Si çdo monument kombëtar, nuk do të flasë, nuk do të lëvizë, por do të ruajë statusin dhe fondin vjetor. Dhe sigurisht, as nuk do të prishet. Shteti, ndërkohë, sapo të arrijë kompromisin heroik se kush do të jetë kryekuvendar, do të vazhdojë të shpikë strategji për të zëvendësuar përgjegjësinë. Boshllëkun e vizionit do ta mbushë me grafikë të bukur, konsulenca të jashtme dhe ndonjë reformë që ekziston vetëm në PowerPoint.
Dhe ndërsa dija hesht e shteti simulohet, studiot televizive do të mbeten vitrina zyrtare të llafomanisë kombëtare, me ekspertë për gjithçka përveç për atë që na mungon më së shumti: mendim serioz dhe ndershmëri për të filluar nga e para.
Shenim: Fadil Sahiti është profesor në fushën e Menaxhmentit dhe Zhvillimit Industrial, me fokus në qeverisjen zhvillimore dhe transformimin strukturor të ekonomive në zhvillim.