Kosova nuk ka nevojë për më shumë mite – ka nevojë për institucione. Dhe asnjë institucion nuk ndërtohet mbi heshtjen.
Fadil Sahiti
Në historinë moderne të Kosovës, Fondi 3% dhe më vonë “Vendlindja Thërret” kanë zënë një vend qendror në narrativën e qëndresës kolektive dhe mobilizimit patriotik. Në periudha të jashtëzakonshme, kur institucionet shtetërore ishin të pamundura ose të papërfaqësuara, këto fonde u ngritën si mekanizma vetëfinancimi për të mbështetur arsimin, administratën dhe përfaqësimin ushtarak e politik të shqiptarëve të Kosovës.
Por përkundër funksionit të tyre jetik në fazat e ndryshme të historisë sonë të re, një dimension i rëndësishëm është lënë në heshtje: mungesa totale e transparencës dhe llogaridhënies në menaxhimin e këtyre fondeve. Deri më sot, nuk ekziston asnjë dëshmi se Fondi 3% apo “Vendlindja Thërret” janë audituar ndonjëherë nga ndonjë firmë e pavarur kredibile as vendore e as ndërkombëtare si Deloitte, KPMG, EY apo PwC. Nuk ka pasqyrë financiare të bërë publike dhe as raport të verifikueshëm për mënyrën se si janë mbledhur dhe shpenzuar fondet që mbajnë emrin e një populli të tërë.
Kjo nuk ishte pasojë e rrethanave të jashtme apo mungesës së kapaciteteve teknike. Përkundrazi, këto fonde operonin në juridiksione me standarde të larta raportimi si Zvicra, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara – vende ku auditimi financiar nuk është luks, por normë ligjore. Zgjedhja për të mos pasur auditim ishte e vetëdijshme. Çdo pyetje mbi menaxhimin e fondeve u interpretua si rrezik për unitetin kombëtar dhe u hesht në emër të kauzës.
Ky model i paauditueshëm i menaxhimit të fondeve nuk u la pas pas luftës. Përkundrazi, u trashëgua dhe u institucionalizua në qeverisjen e pasluftës. Shumë nga individët që kishin pasur rol kyç në administrimin e Fondit 3% apo të “Vendlindja Thërret” morën pozita të rëndësishme në institucionet e reja të Kosovës. Me ta u bart jo vetëm përvoja, por edhe kultura e mosllogaridhënies: shmangia e raportimit, mungesa e mbikëqyrjes dhe besimi në individ, jo në institucione. Ajo që dikur ishte “mos pyet për fondin”, u bë “mos pyet për tenderin”.
Kjo trashëgimi e errët vazhdon të riprodhohet edhe sot. Dhjetëra fonde humanitare, organizata dhe nisma që operojnë nën flamurin e humanizmit, diasporës apo solidaritetit kombëtar grumbullojnë miliona euro pa asnjë transparencë publike. Asnjë firmë e pavarur kredibile ndërkombëtare nuk verifikon se nga vijnë këto para dhe si shpenzohen ato. Po ashtu, asnjë institucion shtetëror (në dijeninë time) nuk ka mandat të qartë, ligjor dhe funksional për t’i mbikëqyrur. Në praktikë, këto fonde veprojnë në një zonë gri – jashtë kontrollit fiskal, institucional dhe demokratik.
Në këtë kontekst, zbardhja e menaxhimit të Fondit 3% dhe të fondeve të ngjashme nuk është as hakmarrje dhe as sulm ndaj historisë. Është akt themelor për ndërtimin e një etike të re të përgjegjësisë institucionale. Qytetarët kanë të drejtë të dinë se si janë përdorur mjetet që janë mbledhur në emër të tyre. Historia e Kosovës nuk mund të ndërtohet mbi mite, por mbi të vërteta të verifikuara.
Po të kishte pasur vullnet politik, pasqyrat financiare të atyre fondeve do të ishin bërë publike. Po të kishte pasur ndjenjë përgjegjësie, auditimi i jashtëm do të ishte kërkuar që në fund të viteve ’90. Por, në mungesë të këtyre veprimeve, keqqeverisja u ngrit mbi themele të vjetra dhe kultura e informalitetit u kthye në normë shtetërore.
Nëse dëshirojmë të dalim nga ky cikël i mbrapshtë, reforma duhet të fillojë me zbardhje. Arkivat duhet të hapen. Fondet e vjetra dhe të reja duhet të auditohen nga institucione të pavarura dhe kredibile ndërkombëtare. Ligji duhet të garantojë transparencë për çdo mekanizëm që operon në emër të interesit publik. Institucionet e mbikëqyrjes duhet të fuqizohen dhe shoqëria civile nuk mund të përjashtohet nga ky standard.
Kosova nuk ka nevojë për më shumë mite – ka nevojë për institucione. Dhe asnjë institucion nuk ndërtohet mbi heshtje.
Sepse, siç thotë një fjalë e vjetër popullore: “Faji i mbuluar bëhet plagë.”
Nëse nuk përballemi me të shkuarën me ndershmëri dhe llogaridhënie, ajo do të vazhdojë të infektojë të tashmen dhe të sabotojë të ardhmen.
Shënim:
Fadil Sahiti është profesor i Menaxhmentit dhe Zhvillimit Industrial. Fokusi i tij kërkimor përfshin rolin e qeverisjes në zhvillimin e aftësive teknologjike dhe transformimin strukturor të ekonomive në zhvillim.
Ky editorial është pjesë e një analize më të gjerë mbi kulturën e qeverisjes në Kosovë dhe nevojën për standarde të reja të transparencës dhe auditimit në sektorin publik dhe civil.