Një reagim ndaj tezës “Të gjithë jemi fajtorë” dhe heshtjes së elitës përballë degradimit institucional
Fadil Sahiti
Nga një ish-rektor i Universitetit të Prishtinës dhe ish-kryetar i parë i Gjykatës Kushtetuese pritet më shumë se një analizë e vonuar për zhvillimet politike. Pritet përgjegjësi. Pritet që ai të marrë përgjegjësi për fjalën e pathënë kur duhej, për heshtjen përballë padrejtësisë dhe për mungesën e kurajos në mbrojtje të së drejtës, pikërisht atëherë kur sistemi po shkërmoqej para syve të tij.
Artikulli i tij i fundit, me titullin simbolik “Të gjithë jemi fajtorë”, është një përpjekje elegante për të shpërndarë një version të së vërtetës që, në thelb, shmang çdo lloj vetëreflektimi mbi rolin e tij në institucionet kyçe të Kosovës pas luftës. Duke e veshur argumentin me referenca nga Platoni te Hannah Arendt (të cilën, duket qartë, ose nuk e ka lexuar, ose më keq, e ka lexuar por nuk e ka kuptuar), nga Alexis de Tocqueville te Robespierre, autori synon të fajësojë të tashmen për të larë mëkatin e heshtjes së së kaluarës.
Përballë kësaj ndërtese retorike, heshtja nuk do duhej të ishte më një opsion. Dhe ja pse:
1. Përgjegjësia Intelektuale e Heshtur
Është e lehtë të flasësh për Kushtetutën me ton solemn pas ngjarjes. Por ku ishte zëri i këtij zyrtari të lartë kur rendi kushtetues po dhunohej nga të njëjtat forca politike që sot i mbron me finesë ligjërimore? Si rektor dhe si kryetar i një institucioni suprem të drejtësisë, ai nuk ka ngritur asnjëherë publikisht shqetësim për kapjen e shtetit, për shkatërrimin e sistemit të drejtësisë, për degradimin e meritokracisë në arsim apo për informalitetin që nguliti rrënjë në çdo institucion.
Nuk mjafton të interpretosh normat juridike me pedanteri akademike në letër, nëse je i verbër ose i heshtur përballë abuzimit të tyre në praktikë. Intelektuali nuk është zbukurim i një sistemi në rrëzim, por roje i së vërtetës, sidomos kur ajo është e pakëndshme dhe e rrezikshme për t’u thënë.
2. Llogaridhënia Morale që Mungoi
Për çdo qytetar që ka jetuar dhe duruar këto dy dekada, është e qartë se degradimi institucional në Kosovë nuk është produkt i vetëm një partie apo një figure politike. Ai është rezultat i një elite të tërë që zgjodhi komoditetin në vend të kurajos, heshtjen në vend të denoncimit dhe konformizmin në vend të përballjes.
Ironikisht, sot, zëri i njërit prej tyre dëgjohet më fort se kurrë, jo për të kërkuar falje për rolin e tij në këtë përkeqësim, por për të projektuar fajin mbi të tjerët. Kjo nuk është vetëm hipokrizi morale, por përpjekje e ndërgjegjshme dhe e qëllimshme për të risocializuar opinionin publik në një narrativë të falsifikuar të së kaluarës, ku fajtorët kryesorë zhduken nga pamja.
3. Shmangia e Reflektimit të Brendshëm
Në vend që të përdorë platformën e vet për të reflektuar mbi gabimet e elitës që përfaqësoi, apo për të ndihmuar në ndërtimin e një etike të re të përgjegjësisë, autori preferon të rikthejë retorikën bardhë e zi. Fajtor është vetëm një njeri, një parti. Jo sistemi, jo heshtja e gjatë e intelektualëve, jo mungesa e drejtësisë.
Ky është një diskurs i rrezikshëm. Jo sepse mbron një palë apo sulmon një tjetër, por sepse e mohon tërësinë e së vërtetës. Dhe një e vërtetë e sakatuar është vetë një padrejtësi.
4. Në vend të përmbylljes
Po, Kosova është keq. Jemi të ngujuar në një qorrsokak të rrezikshëm institucional dhe moral. Dhe kjo është e keqe. Por e keqja nuk ka filluar me Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen, të cilit, me të drejtë, mund t’i kritikosh shumëçka dhe i cili duket se ka humbur busullën. E keqja në Kosovë është mbjellë shumë më herët. Dhe ata që e kanë mbjellë nuk ishin as të panjohur, as të padijshëm. Ishin intelektualë dhe akademikë që dijen dhe diplomat i kthyen në mall tregu. I tregtuan për poste, ndikim dhe interesa materiale personale.
Këta njerëz nuk e ngritën zërin kundër padrejtësive. Nuk u mungonin njohuritë. Mungoi guximi. Mungoi ndershmëria intelektuale. Disa prej tyre madje u bënë ministra, ambasadorë, autoritete “morale” të tranzicionit. Autoritete që të keqes i jepnin autoritet moral. Dhe sot, pas gjithë këtij shkatërrimi, ata flasin si të pafajshëm, si të jashtëm, si komentues neutralë të një historie ku vetë ishin aktorë. Dikush ka përgjegjësi direkte për këtë, sidomos intelektualët që, me vetëdije, i kanë dhënë legjitimitet të keqes tash e 25 vjet.
Kosova ka nevojë për më shumë ndershmëri në diskutimin publik. Për më shumë kujtesë kritike. Për më shumë etikë në veprim, jo vetëm në fjalë. Sepse nëse ata që kishin mundësinë të flisnin dje, sot flasin vetëm për të rishkruar historinë, atëherë përgjegjësia nuk është më vetëm e tyre, por e të gjithëve ne që nuk i sfidojmë.