Këngëtarja Adelina Ismaili, ishte e ftuar sot në emisionin “Radar” në RTV Dukagjini, ku foli për rrugëtimin e saj 40-vjeçar në muzikë dhe planet për të shënuar këtë përvjetor të rëndësishëm.
E intervistuar nga gazetarja Edita Doli, Adelina rrëfeu me emocion detaje nga jeta e saj artistike, ndërsa dëgjuesve iu dha mundësia të bëhen pjesë e bisedës përmes telefonatave live.
Një nga pyetjet që ngjalli më shumë interes ishte ajo që lidhej me marrëdhënien mes saj dhe këngëtares Leonora Jakupi.
Pa dashur të hyjë në detaje, Adelina zgjodhi t’i japë pyetjes një përgjigje të rezervuar, duke shmangur çdo koment të drejtpërdrejtë.
Ajo reagoi me të qeshura dhe tha shkurt: “Këtë pyetje duhet ta bësh tjetërkund, jo te unë”.
Publiku shqiptar e mban ende mend konfliktin e hershëm mes dy këngëtareve, konflikt i cili në atë kohë u pasqyrua gjerësisht në media – një moment që konsiderohet një ndër episodet më të përfolura të estradës shqiptare.
Megjithatë, duket se pas dekadash në skenë, Adelina Ismaili po zgjedh të fokusojë vëmendjen në arritjet e saj artistike dhe në përgatitjet për të festuar një karrierë që ka lënë gjurmë në muzikën shqipe. /Prive By Liberta Spahiu/