Një detaj në veshjen e saj është bërë shkak që ajo të kritikohet, pasi u konsiderua si fyes nga shumë njerëz.
Siç vihet re edhe nga fotografitë e publikuara nga mediat e huaja, Lisa u shfaq me një veshje të “Louis Vuitton” që përfshinte një xhaketë me dantellë, geta të zeza me logon e LV, të brendshme, këpucë me takë dhe një çantë të markës.
Deri këtu çdo gjë në rregull, por në veshje janë të qëndisura portrete të figurave të njohura, mes tyre edhe aktivistja e të drejtave civile, Rosa Parks, konkretisht në zonën e të brendshmeve.
Ky detaj u vu re nga njerëzit në rrjete sociale dhe u cilësua si i papërshtatshëm, sidomos në kontekstin e temës së këtij viti.
Rosa Parks ishte një nga figurat më të rëndësishme të lëvizjes për të drejtat civile në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo u bë ikonë pasi refuzoi t’i lëshonte vendin një burri të bardhë në një autobus në vitin 1955. Veprimi i saj shërbeu si nisje e protestave kundër padrejtësive raciste të asaj kohe.
Kujtojmë se tema e “Met Gala 2025” ishte “Superfine: Tailoring Black Style”, me fokus në historinë e stilit të komunitetit afrikano-amerikan.
Edhe pse “Louis Vuitton” nuk ka konfirmuar nëse portreti në fjalë është me të vërtetë i Rosa Parks, prania e imazhit në atë pjesë të veshjes u cilësua si një zgjedhje jo vetëm e pandjeshme, por edhe thellësisht e papërshtatshme për një event që synon të nderojë kulturën dhe historinë e komunitetit afro-amerikan.
Për më tepër, dalja e Lisa-s vjen vetëm disa javë pasi një video e vjetër e grupit “Blackpink” qarkulloi online, ku anëtaret – përfshirë Lisa, Jennie dhe Rose – akuzohen për përdorimin e fjalës ofenduese “n*gga”, pa asnjë reagim apo kërkim faljeje publike.
Deri tani, as Lisa dhe as përfaqësuesit e saj nuk kanë komentuar për situatën.