Këshilli i ministrave ka marrë vendim që punonjësit e Policisë së Burgjeve do të mbajnë armën e shërbimit edhe jashtë orarit të punës.
Në vendim janë përcaktuar edhe kushtet për mbajtjen e armës në përdorim personal nga polici i Burgjeve.
Sipas vendimit, punonjësi i policisë së Burgjeve nuk duhet të jetë në ndjekje penale. Një tjetër kusht sipas vendimit të qeverisë është se “në banesën e tij të jetë instaluar kaseta e posaçme për ruajtjen e armës.”
Në vendim janë përcaktuar edhe hapat që do të ndërmarrë punonjësi i policisë në mënyrë që të mbajë armën.
Konkretisht punonjësi i policisë bën një kërkesë drejtuar titullarit dhe ky i fundit ngre një komision për shqyrtimin e kërkesave, që ka në përbërje: Eprorin e drejtpërdrejtë të kërkuesit; drejtorin e burimeve njerëzore të strukturës në të cilin është emëruar kërkuesi; shefin e Policisë së strukturës në të cilën është emëruar kërkuesi; përgjegjësin e armatimit të strukturës në të cilën është emëruar kërkuesi.
Sipas vendimit, kërkesa përgatitet me shkrim dhe shoqërohet edhe me dokumentacionin përkatës. Komisioni merr në shqyrtim dhe shprehet me vendim të arsyetuar, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga marrja e kërkesës së punonjësit të Policisë së Burgjeve, thuhet në vendimin e qeverisë.
Qeveria ka përcaktuar gjithashtu se në rastet kur punonjësi pezullohet, lirohet ose largohet nga Policia e Burgjeve automatikisht humb të drejtën e mbajtjes së armës personale jashtë orëve të shërbimit, si dhe detyrohet ta dorëzojë menjëherë këtë të fundit.