Mbrëmja e parë e RLIOF, edicioni i katërt me radhë, shënoi mbrëmje muzikore “Nexhmije Pagarusha”, në Sheshin Skënderbeu në kryeqytet.
Këngët ikonike të Nexhmije Pagarushës jehuan në zemër të kryeqytetit në mbrëmjen e parë muzikore të edicionit të 4-të të RLIOF që ngjalli emocione të paharrueshme me nostalgjinë dhe magjinë e vlerave të trashëguara muzikore. Mbrëmja “Nexhmije Pagarusha” bëri bashkë në skenën e ngritur nën qiell të hapur zëra të njohur nga Kosova, Shqipëria dhe Egjipti. Mezzo-soprano Farrah El Dibany, soprano Adelina Thaçi e Kaltrina Miftari, dhe baritoni Artur Vera interpretuan këngët me të cilat mishërohet trashëgimia muzikore shqipe.
Këngët e pavdekshme të Nexhmije Pagarushës si “Baresha”, “E kujtoj atë takim”, “E dehur jam” etj., u interpretuan në një frymë unike që u mirëprit dhe u duartrokit nga publiku i mbledhur në sheshin “Skënderbeu”.
Shoqëruar nga Keli Band: Emiliano Dhimo, bateri, Xhino Daja, trumpetë dhe Ilir Vorpsi, trombon
Aranzhues: Brikel Guga (tenor saksofon), bashkë-aranzhues Genti Shahini (pianist) dhe Ron Gjura (double bass).