Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, thotë se do të donte të shikonte një ekip Amerika Jugore duke luajtur në Kampionatin Evropian.
Trajneri i “Albiceleste” synon të udhëheqë ekipin e tij drejt një suksesi të dytë radhazi në Copa America këtë vit, me ekipin e tij gati për të luftuar kundër Kanadasë në gjysmëfinale këtë javë, pasi tashmë i ka çuar ata drejt një triumfi në Kupën e Botës në vitin 2022.
Ka pasur shumë debate në lidhje me dallimin në cilësi mes ekipeve kombëtare europiane dhe amerikano-jugore.
Ylli francez Kylian Mbappe solli indinjatë tek disa yje amerikano-jugor pasi tha se futbolli në këtë kontinent “nuk është aq i avancuar sa Europa”, duke thënë se ekipet evropiane fitojnë më shumë Kupa të Botës për këtë arsye.
Ky debat është rikthyer sërish në javët e fundit kur “Euro 2024” dhe Copa America e këtij viti po zhvillohet në të njëjtën kohë, dhe Scaloni do të donte të shikonte kombëtaret amerikano-jugore të ftuara në konkurrencën e kontinentit tjetër dhe anasjelltas.
Ai tha: “Nuk mendoj se është më e vështirë nga një anë në tjetrën. Ka disa ekipe të rëndësishme që kanë shkuar në gjysmëfinale të Euros, ekipet që ne u përballëm në Kupën e Botës dhe shkoi mirë për ne, por kjo nuk do të thotë se ne mund të shkojmë në Kampionatin Evropian dhe ta fitojmë atë. Ose ndoshta po [mund të fitojmë]. Mendoj se niveli është shumë i barabartë. Do të doja një ekip evropian të ftuar një ditë në Copa America për të parë se si është të luash në një Copa America dhe e kundërta, po ashtu. Por ajo do të ishte Kupa e Botës, e drejtë? Kështu që në fund vështirësia është e njëjtë. Nuk mendoj se ka shumë dallim, në të vërtetë, por këto janë thjesht opinione”.
Argjentina do të synojë të arrijë në një finale tjetër të Copa America kur të ballafaqohet me Kanadanë në gjysmëfinalen e Copa America.
Fituesit do të vazhdojnë për të luajtur kundër Kolumbisë ose Uruguajit në finale.
Ndërkohë, në Evropë, Franca dhe Spanja do të përballen për një vend në finalen e Euro 2024, ku do të ballafaqohen me Anglinë ose Holandën.
Fituesit e finaleve respektive do të takohen në “Finalissima”, një finale e organizuar nga CONMEBOL-UEFA, që do të luhet në vitin 2025.