Përfaqësuesit e Qeverisë në Ambasadë: S’kemi nevojë për Asociacion - Gazeta Express
string(64) "perfaqesuesit-e-qeverise-ne-ambasade-skemi-nevoje-per-asociacion"

Përfaqësuesit e Qeverisë në Ambasadë: S’kemi nevojë për Asociacion

Lajme

Gazeta Express

31/01/2023 16:23

Pas presionit të shtuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës së dhe Bashkimit Europian se Kosova duhet të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ambasada amerikane në Prishtinë sot ishte nikoqire e një diskutimi mbi këtë çështje me aktorë të ndryshëm nga politika, shoqëria civile e ambasadat.

Alma Baxhaku

Lexo Edhe:

Në takim ishin përfaqësues të Presidencës, Parlamentit e Qeverisë për të dërguar qëndrimet e institucioneve përkatëse.

Nga Qeveria, kryeministri Kurti çoi shefin e stafit të tij, Luan Dalipi, për të cilin pak para fillimit të takimit tha se do ta dërgojë fjalën e tij në takim. Por, Dalipi s’ishte i vetmi nga Qeveria meqë në takim shkuan edhe pesë ministra nga kabineti, si dhe zëvendëskryeministret Donika Gërvalla dhe Emilja Rexhepi.

Siç mëson Gazeta Express nga burime të saj, qëndrimi i Qeverisë në takim ishte që s’ka nevojë që të krijohet Asociacioni.

Kryeministri Kurti, në vazhdimësi dhe përkundër presionit të shtuar së fundi nga diplomatë të lartë të SHBA-së e BE-së që erdhën në Prishtinë për të nxitur Qeverinë që të përmbushë marrëveshjen mbi Asociacionin, ka deklaruar se Asociacioni njëetnik është kundërkushtetues dhe si i tillë nuk do të formohet.

Sidoqoftë, këtë qëndrim s’e përsëriti sot pas homazheve që i bëri për heronjtë Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.

Ai paralajmëroi se këtë do ta thonë në takimin e ambasadës të dërguarit e Qeverisë e Presidencës.

“Në këto minuta ka filluar takimi dhe besoj që ata që janë në takim do ta thonë fjalën e tyre. Atje ndodhet shefi i stafit tim dhe shefi i stafit të Presidentes”, deklaroi ai.

Takimi në ambasadë zgjati për dy orë dhe kjo ngjarje ndoqi rregullin “Chatham House”.

Nga Presidenca në takim shkuan shefi i kabinetit Blerim Vela dhe këshilltari i jashtëm, Bekim Sejdiu. Nga Parlamenti ishte shefi i stafit të kryeparlamentarit, Ilir Kërçeli. Nga Qeveria ishte shefi i stafit të kabinetit të Kurtit, Luan Dalipi, zëvendëskryeministret Donika Gërvalla dhe Emilja Rexhepi, si dhe për fushat përkatëse ishin edhe ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, ministri për Kthim dhe Komunitete Nenad Rashiq, ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Nga partitë opozitare shkoi Bernard Nikaj nga PDK, Lutfi Haziri nga LDK dhe Ardian Gjini nga AAK.

Në takim shkuan edhe ambasadorët e Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe ai i BE-së.