Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, në një lidhje direkte në emisionin “Favoriti i Botërorit” në T7 ka folur rreth incidenteve të ndodhura në Superkupën e Kosovës në basketboll.
Pas një përplasje që ndodhi ditë më parë mes tifozëve të Pejës dhe Bashkimit, sonte skena të turpshme u panë edhe në finalen e kësaj gare, që u zhvillua mes Sigal Prishtinës dhe Trepçës, shkruan Gazeta Express.
Kjo ndeshje u zhvillua sonte në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, teksa u fitua nga kryeqytetasit me rezultatin 73:54.
Kjo ndeshje u përshkrua me tensione në tribuna, ku të pranishëm ishin “Plisat” dhe “Torcidat”.
Një përplasje e madhe mes tyre ndodhi pasi përfundoi pjesa e parë, me ç’rast u nevojit edhe ndërhyrja e policisë.
Zyrtarët e ndeshjes pastaj vendosën për zbrazje të palestrës dhe pjesa e dytë e ndeshjes u zhvillua pa praninë e tyre.
Lidhur me këtë foli sonte edhe kreu i FBK-së, i cili i cilësoi këto veprime si të papranueshme dhe tolerueshme.
“Akt që ne e dënojmë. Akt i papranueshëm dhe i patolerueshëm. La hije të keqe për organizimin. Kishim dy incidente gjatë Superkupës”, tha fillimisht ai.
Tutje, Fetahu foli edhe për vendimin e FBK-së për ndalimin e udhëtimeve të tifozëve në ndeshjet e Superligës.
“Kur kemi marrë vendimin kemi them që është i zbatueshëm për Superligë. Për Kupë dhe Superkupë, pasi luhet në një qytet dhe janë krejt ekipet, konsiderohet se duhet të ketë kushte të barabarta. Sonte rastisi që Prishtina të ishte në finale. Por, edhe po të ishte shembull Ylli, do të kishte numrin e njëjtë të biletave. Ne kemi kryer të gjitha procedurat për të shmangur atë që ndodhi sonte, por kur ka veprime të individëve të caktuar, konsideroj se është e pamundur t’i ndalim”.
Nga Policia e Kosovës u konfirmua se katër policë u lënduan nga kjo përleshje e tifozëve.
“Kemi informacionin e njëjtë. Janë katër policë, fatmirësisht me lëndime të lehta. Është shumë keq që të flitet për 4 polic të lënduar në ndeshje basketbolli, kur të gjithë kemi sytë te Veriu se çfarë do të ndodhë me policët tanë atje. Dhuna nuk ka vend në arena sportive. Gjithçka po bie në rend të dytë shkaku i këtyre”, tha kryetari i FBK-së.
“Kam takuar palët pas ndeshjes. Nuk mund të fajësoj klubet. Përleshja ishte mes tifo-grupeve. Sigal Prishtina e ka bërë punë më të mirë të mundshme në aspektin organizativ. Kur kemi një atmosferë të tillë mes dy tifo-grupeve, mjafton një shkëndi që të ndezët dhe të bëhet e pamundur të zhvillohet ndeshja”, deklaroi Fetahu.
Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Komiteti Olimpik i Kosovës, si dhe Ministri Hajrulla Çeku.
Gjithashtu është njoftuar se nesër do të mblidhet Këshilli për Parandalimin e Dhunës në Sport. /Gazeta Express/