Dimri afër, KEK’u e anulon një LOT të tenderit për riparimin e bllokut A5, s’flet për tjerët - Gazeta Express
string(88) "dimri-afer-keku-e-anulon-nje-lot-te-tenderit-per-riparimin-e-bllokut-a5-sflet-per-tjeret"

Lajme

Gazeta Express

23/11/2022 16:00

Dimri afër, KEK’u e anulon një LOT të tenderit për riparimin e bllokut A5, s’flet për tjerët

Lajme

Gazeta Express

23/11/2022 16:00

Korporata Energjetike e Kosovës më shumë gjasë do të hyjë në dimër, pa bllokun A5 të Termocentralit Kosova A. Njëri prej Lot’eve të tenderit mbi 5 milionësh që ishte dhënë për riparimin e kësaj, është anuluar. Nga KEK kanë vazhduar të heshtin për këtë dhe gjendjen e njësive të tjera prodhuese.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Dimri po afron, e Korporata Energjetike e Kosovës po vazhdon të heshtë për gjendjen në të cilën ndodhet. Situata pritet të jetë edhe më e rëndë sivjet, sidomos kur duket se KEK do ta ketë jashtë funksionit një njësi prodhuese të Termocentralit Kosova A.

Tenderi për riparimin bllokut A-5, në vlerë mbi 5 milionë euro, i është dhënë më 11 nëntor kompanisë “Monting Energetike DOO”, përmes procedurës së negociuar dhe ka qenë i ndarë në dy pjesë. Në LOT 1 parashihej të bëhej riparimi kapital i turbinës dhe gjeneratorit, ndërsa në LOT 2 riparimi kapital i kaldajës. Ky i dyti është anuluar para dy ditësh.

Në njoftimin për anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit, thuhet se ky Lot është anuluar meqë kompania s’ka arritur t’i sigurojë materialet.

“Autoriteti Kontraktues, anulon LOT 2 pas përfundimit të negociatave, për arsye se OE i propozuar për kontratë ka njoftuar Autoritetin Kontraktues se për shkak të pamundësisë së sigurimit të materialeve nga prodhuesit (ndryshimet globale në treg) nuk është në gjendje ta realizojë këtë kontratë brenda afatit të përcaktuar në dosje te tenderit”, thuhet në njoftim.

Gazeta Express ka dërguar pyetje në adresë të KEK’ut për të marrë vesh nëse kjo njësie do të jetë e gatshme për prodhim së shpejti, por s’janë përgjigjur.

Përgjigje s’kanë kthyer as kur janë pyetur për gjendjen e njësive të tjera prodhuese të kësaj ndërmarrje publike.

Për riparimin e kësaj njësie, s’ishte gjetur kompani “e përgjegjshme” për mbi tre muaj. Problemet e KEK’ut me këtë njësi i kishte zbuluar muajin e kaluar zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

“Ka 2-3 muaj që po kemi telash me e gjet një kompani të përgjegjshme, e cila e rehabiliton A5shin. Nuk ka. Tash kanë ardh disa oferta, jemi në process të trajtimit. Shumica e tyre të papërgjegjshme, jo serioze, sepse thjeshtë ka pak gatishmëri të kompanive me renome të vazhdojnë të merren me renovim të kapaciteteve të vjetra me qymyr. Nuk po aplikojnë, sepse kanë marrë udhëzime me shku me u marr me energji të ripërtëritshme, kapacitetet e tyre me u marr me energji të ripërtëritshme. Nuk është tu punu fare A5’shi, aty është problemi. Pa u kry renovimi…”, kishte deklaruar Bislimi.

Procedurat e prokurorimit për remontin e kësaj njësie kishin filluar në fund të gushtit. Në njoftimin e atëhershëm të KEK’ut, thuhej se shumë shpejt do të përzgjidhet kompania.

“Për njësinë A-5 aktualisht janë duke u zhvilluar procedurat e prokurimit për remontin kapital dhe shumë shpejt pritet te perzgjidhet Operatori Ekonomik i përgjegjshëm për këtë aktivitet”, thuhej në njoftim.

Njoftim tjetër për këtë bllok, s’ka pasur më.

Edhe rryma pritet të shtrenjtohet

Ende pa u bërë një vit nga hyrja në fuqi e tarifave të shtrenjta, rryma pritet të shtrenjtohet sërish për kosovarët gjatë dimrit. Në këtë periudhë, nevoja për import rritet, pasi kapacitetet vendore nuk mbulojnë nevojat për gjithë vendin.

Shtrenjtimin e energjisë e ka paralajmëruar javë më parë Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë raportimit në Komisionin Hetimor për Energji.

Sipas Rizvanollit, si rrjedhojë e motit të mirë në këtë kohë dhe uljes së kërkesës për energji elektrike, çmimi i rrymës në tregjet ndërkombëtare ka shënuar rënie dukshëm, por shtoi se nuk përjashtohet mundësia e rritjes së çmimeve sërish me ftohjen e motit gjatë dimrit.

Për këtë paralajmërim të Ministres, janë deklaruar nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

Nga ZRRE kanë thënë se ende s’kanë pranuar ndonjë kërkesë për rritje të tarifave, por s’e kanë përjashtuar mundësinë që të ketë shtrenjtim të energjisë.

Petrit Pepaj nga ky institucion i ka thënë Gazetës Express se meqë kostot e blerjeve të energjisë kanë pasur rritje të vazhdueshme, kjo duhet të reflektohet edhe në tarifa.

“Zyra e Rregullatorit për Energji ende nuk ka pranuar aplikacionet nga të licencuarit e rregulluar KOSTT, KEDS dhe KESCO, që kanë të bëjnë me të Hyrat e lejuara Maksimale dhe tarifat për vitin 2023. Përgjatë këtij vitit kostot e blerjeve të energjisë kanë pasur rritje të vazhdueshme, këto kosto mbi nivelin e lejuar për gjatë vitit duhet të reflektohen në tarifa kurdo që procesi i përshtatje të tarifave të ndodh, rrjedhimisht mundë te pritet edhe rritje e tarifave”, ka deklaruar Pepaj./Gazeta Express