Zoti Rasim Avdyli dhe zoti Albin Kurti - Gazeta Express
string(38) "zoti-rasim-avdyli-dhe-zoti-albin-kurti"

Zoti Rasim Avdyli dhe zoti Albin Kurti

OP/ED

Gazeta Express

27/08/2022 13:49

Ditë më parë e shkarkova në telefon aplikacionin e quajtur Tik Tok. U pata bërë kurioz për ta eksploruar moti kohë, duke dëgjuar se është një rrjet social ku po jepet hapësirë e madhe veçanërisht për promovimin e të marrëve. Në mënyrë direkte më nxiti një personazh i ditëve të fundit me emrin Rasim Avdyli. 

Shkruan: Shkodran Hoti

Lexo Edhe:

Zoti Avdyli e mori paraprakisht vëmendjen time sepse videot e tij u bënë virale edhe në rrjetet sociale të tjera, të cilat i përdor unë. Për më tepër,  ai u bë edhe personazh i mediave. Kështu që, vendosa ta hulumtoj më thellësisht këtë individ që bëri aq shumë bujë duke e digjitalizuar budallallëkun.

Duke shpresuar se ka ndonjë njeri që nuk e njeh z. Rasim Avdyli, po e shpjegoj shkurtimisht profilin dhe veprimet e tij në Tik Tok që ngjallin kaq shumë interes. Ky person katërdhjetë e diçka vjeç është i martuar me një grua të nacionalitetit gjerman, dhe përmes videove rrëfen se si ajo ia ka ndryshuar jetën për të mirë. Shfaq thuajse çdo moment të ditës me të duke dashur të manifestojë lumturinë në çift dhe dashurinë e pafundme për partneren. Së fundi, gjermanja u konvertua edhe në fenë islame. Pas kësaj, u shfaq edhe me veshjen tradicionale shqiptare dhe bashkë me zotin Avdyli ia dhanë valles sheshit të Mitrovicës, para një publiku më të madh sesa numri i pjesëmarrësve në protestat e sindikatave. Ky është z. Rasim Avdyli, pa hyrë në detaje të çdo videoje të publikuar në Tik Tok. 

Në hulumtim e sipër të këtij zotëriu, në këtë rrjet social rastisa edhe në plot video të tjera e marrëzi të shumta. Mes tyre, disa profile ishin përkujdesur të shkëpusnin edhe pjesë nga fjalimet e kryeministrit të Repubilikës së Kosovës, z. Albin Kurti nëpër fushata zgjedhore e foltore të Kuvendit. Natyrisht, nga ato ku z. Kurti shfaqet si “luan” përballë pjestarëve të tjerë të “xhunglës politike kosovare”.

Tek këto videot me z. Kurti, me joshi një teksa po mbante fjalim në një tubim zgjedhor me gjasë. Aty po rrëfente me shumë emocione se si e kishte takuar një plak, i cili kishte qarë para tij. Me delikatesë kryeministri e stërgjati storien me plakun, për të treguar në fund se ai kishte qarë për faktin se i kishte 7 djem më duket? dhe të gjithë kishin emigruar nga Kosova. Për t’u bërë më konkret, Kurti i transmetonte në detaje deklaratat e plakut duke përdorur edhe shprehje pezhorative, si në momentin kur plaku i kishte thënë se po i dukej vetja si “shka”. Kurti po e legjitimonte shqetësimin e plakut për emigrimin nga Kosova dhe paralelen e ngritur nga ai me emigrimin e mëhershëm nga Serbia apo zbrazjen e Kosovës siç i kishte ngjarë Serbisë. Bashkë me to edhe termin “shka” në vend të atij “serb”. 

Teksa e dëgjoja rrëfimin e z. Kurti para disa njerëzve që po ua kërkonte votën, dy gjëra më silleshin nëpër mendje. E para: çfarë ka bërë ky njeri tash e gati dy vite për t’ia larguar shqetësimin plakut? Dhe, e dyta: pse po ma kujtonte z. Rasim Avdyli?

Të parës iu përgjigja shpejt me një “asgjë” sepse para ambasadave radhët vazhdojnë të jenë të gjata. Krahas kësaj, jeta së fundi –  sidomos në kuptimin ekonomik – është vështirësuar dukshëm në këtë vend. E, po ashtu, Kosova nuk po duket që do të bëhet aq atraktive sa për t’u kthyer “truri” nga mërgata. Madje as për atë “trurin” që kanë qenë mbështetës të kësaj qeverie, si profesori junikas Nezir Kraki apo gazetari kamenicas Enver Robelli. 

Për të dytën, ngjashmërinë z. Kurti – z. Avdyli, mendova më gjatë. Gjithsesi, kemi të bëjmë me dy personazhe me një formim krejt të ndryshëm në çdo drejtim. Me dallime të shumta me njëri-tjetrin shikuar nga çdo kënd. Por, kishte një prerje mes tyre. Ajo përfshinte mënyrën e rrëfimit, përmbajtjen e stories së treguar, popullaritetin në publik dhe besueshmërinë e audiencës.

Sikurse rrëfimet e zotit Avdyli së fundi, edhe ato të zotit Kurti prej kohësh (sidomos Kurtit opozitar), në thelb kapin dromca përditshmërie. Të dyja rrëfehen në një gjuhë që publiku e kupton dhe e do. Shikuar përmbajtësisht, ato s’thonë asgjë të re, veçse janë të ekzagjeruara. Megjithatë, ato pëlqehen e besohen prej një mase të publikut që duket që s’është e vogël, e kjo në njërin rast përkthehet në shikime e pëlqime e në tjetrin edhe në vota. Prandaj, të dy kanë fansa, por edhe njerëz që i tallin e nuk i duan, e madje edhe nuk i durojnë. 

Të dy në forma të ndryshme pretendojnë se janë epiqendra nga ku përhapet e vërteta. Zoti Avdyli këtë e shfaq mjaft brutalisht, duke promovuar me krenari islamizimin e shqiptarizimin e partneres, në të cilën thotë se është dashuruar duke qenë ajo e krishterë dhe gjermane. Zoti Kurti në stilin e zëdhënësit të së vërtetës dhe parashikuesit të së ardhmes, shfaqet duke trumpetuar se e di pse gjërat kanë shkuar siç kanë shkuar dhe si do të rrjedhin më tej para çdokujt. Ani pse të pozicionuar në dy botë të ndryshme, kjo dyshe përdor rrëfimet jo për të treguar sa për të udhëzuar. Z. Avdyli këtë e shpreh edhe përmes këshillës famoze me prapavijë fetare: rri drejt se Zoti nuk t’hupë. Kurse, z. Kurti në forma të shumëfishta, të tipit “ballin lart, kurrizin drejt”. 

Sidoqoftë, rrëfimet e zoti Avdyli e zoti Kurti janë të panevojshme e të padobishme. I pari derdh në një rrjet social çdo moment nga jeta e tij personale, e cila do të jetohej më bukur pa ia servuar publikut që nuk përfiton asgjë nga ajo. I dyti, si politikan, rrëfimet për halle të qytetarëve, në vend që t’i tregonte, do të duhej të provonte t’iu bënte zgjidhje, e sidomos tani kur ka pushtet. 

Publiku nuk përfiton asgjë nga rrëfimet e asnjërit, ndërsa humbin kohë duke i dëgjuar. Teksa, të dy personazhet, po ashtu humbin kohë duke u rrëfyer, në vend që njëri të ishte duke tentuar të integrohej në jetën gjermane e tjetri duke kryer misionin prej politikani që punon për ta ndryshuar jetën e kosovarëve. 

Gjithsesi të dy e kanë të drejtën e botës të shfaqen pa ua mohuar askush siç duan, por patjetër që një ditë rrëfimet e tyre do të konsumohen. Zoti Avdyli s’do të jetë një ditë interesant as për fansat e tij sepse do të zbrazë gjithë personalen e tij në publik. E, as zoti Kurti, s’do të lë më përshtypje as për militantët e tij, kur në vend të rrëfimeve ata do të presin nga ai ndonjë lajm për hapjen e ndonjë vendi të punës. Ose të paktën të kenë rrymë që t’iu mundësohet qëndrimi në rrjete sociale.