Një opozitë në krah të Albinit - Gazeta Express
string(30) "nje-opozite-ne-krah-te-albinit"

OP/ED

Gazeta Express

03/12/2021 15:40

Një opozitë në krah të Albinit

OP/ED

Gazeta Express

03/12/2021 15:40

Partitë opozitare po presin të përfitojnë poitikisht nga gabimet e Albin Kurtit. Por, përtej parullave boshe e thashethemeve që as vetë nuk iu besojnë, ata po i ndihmojnë qeverisë. Me një opozitë të tillë, Kurti mund të qeveris qetësisht me vite

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Vështirë t’i kujtohen dikujt momente kur ndonjëra nga partitë opozitare ka ndërmarrë ndonjë veprim serioz karshi qeverisjes së Albin Kurti. Përtej sulmeve verbale në Kuvend e në media, që më tepër ngjajnë si sulme inati, përtej deklaratave shpesh qesharake, asnjë – ama asnjë veprim nuk kanë ndërmarrë partitë opozitare për të sfiduar qeverisjen e Kurtit.

Verbalisht, kritikat dhe sulmet drejtuar Kurtit dhe njerëzve të tj në qeveri kanë qenë të tipit “qe, edhe këta po veprojn si na”, duke dashur me çdo kusht që të njëjtësojnë ndonjë veprim a vendim të qeverisë, me veprime a vendime që ishin marrë në të kaluarën.

A ka për çfarë të kritikohet qeverisja e Kurtit? Natyrisht dhe shumë madje. Por, për fat të keq, opozitë karshi tij më shumë bëhet nëpër studio televizive, nga gazetarë e opinionistë, sesa nga partitë opozitare.

Në një situatë normale, opozita do të duhej që nëpërmjet formave demokratike të veprimit t’i bëjë kujdestari qeverisë çdo ditë. Në këtë mënyrë, kritika do të ishte e arsyeshme dhe do të kishte kuptim. Ka mjaft çfarë të kritikohet qoftë në politikat ekonomike e sociale, qoftë në arsim e shëndetësi. Por, jo. Opozita ka zgjedhur të sulmojë Kurtin për çështje krejt palidhje, që kanë të bëjnë me folklorizëm e pseudopatriotizëm. Për dilema e pandehma me të cilat qytetarët janë ngopur tash sa vjet dhe plot nga to nuk janë vërtetuar asnjëherë se janë të vërteta.

Nëse opozita mendon se do ta sfidojë në këtë mënyrë Kurtin, atëherë e ka gabim. Kurti dhe qeverisja e tij mund të sfidohen vetëm me opozitarizëm përmbajtësor e serioz, e jo me thashetheme të cilave as ata vetë nuk iu besojnë.

* * *

Njerëz të caktuar të opozitës, kryesisht të diskredituar politikisht e moralisht, nuk është se e dëmtojnë shumë qeverisjen e Kurtit, kur vendosin ta kritikojnë atë. Përkundrazi, në plot raste mbërrijnë efekt të kundërt.

A nuk është surrealiste të dëgjosh eksponentë të opozitës duke u përpjekur të etiketojnë ministra të caktuar të Kurtit si “hajna”, ndërkohë që vetë sa kanë qenë në pushtet nuk kanë lënë gjë pa bërë? A nuk është hipokrizi të dëgjosh të tjerë duke kritikuar për dialogun e Asociacionin, ndërkohë që vetë e kanë futur vendin për një dekadë në “rrugë pa krye” në raport me Serbinë dhe vetë e kanë nënshkruar Asociacionin? A nuk është idiotizëm të dëgjosh kritika e sulme se si Kurti dhe të tjerët afër tij qenkan kundër UÇK’së, ndërkohë që vetë, me vullnet të plotë kanë votuar Gjykatën Speciale?

Të tillët po presin nga qeveria që sa më shpejt t’i zgjidhë të gjitha problemet që vetë i kanë shkaktuar ndër vite, thua se vuajnë nga harresa dhe nuk iu kujtohet se ishin vetë ata që keqqeverisën e keqmenaxhuan, për ç’gjë edhe u ndëshkuan në zgjedhje.

Qeveria Kurti ka një shumicë absolute në parlament, por kjo nuk duhet t’i demoralizojë partitë opozitare që ta kryejnë punën e vet. Përkundrazi, duhet t’i motivojë më shumë, në mënyrë që t’i nxjerrin në pah të metat dhe dobësitë e qeverisjes. Përtej parullave boshe e thashethemeve që shkaktojnë të vjella kur i dëgjon.

* * *

Si për t’ia vënë kapakun situatës tragjikomike me mënyrën e të bërit opozitë, dikujt iu kujtua të kërkojë zgjedhje të reja. Pra, në pamundësi për të sfiduar sa dhe si duhet qeverinë, shefi i një grupi opozitar në parlament propozoi zgjedhje. Tha se ngërçi politik në të cilin ndodhet vendi, zgjidhet vetëm me zgjedhje të reja. Marrëzi e llojit të vet.

E para, ngërç politik nuk po sheh askush përveç atij dhe, e dyta, zgjedhje të reja mund të provokojë vetëm Albin Kurti. Sa për rrezikun nga opozita, veçanërisht nga kjo e tashmja e lodhtë, ai mund të qeverisë vite me radhë.

Nëse dëshirojnë që sadopak ta sfidojnë Kurtin dhe të përfitojnë poenë politikë për të ardhmen, atëherë partitë opozitare duhet të kthjellen dhe të organizohen seriozisht. Mbase ende nën delirin e rezultatit të zgjedhjeve lokale, ato sikur po vetëkënaqëen dhe po vegjetojnë.

Nuk bëhet opozitë duke pritur që Albin Kurti të gabojë. Natyrisht, qeverisja sjell punë të mira dhe gabime. Të gjitha këto në radhë të parë do të duhej të evidentoheshin nga opozita. Të identifikohen gabimet, lëshimet dhe të propozohen zgjidhje. Sigurisht, abstenimi nuk është zgjidhje. Siç nuk është zgjidhje as për qeverinë bojkotimi i pjesës dërmuese të mediave, në përpjekje për të ruajtur në njëfarë forme veten nga kritikat dhe sulmet. Ballafaqimi i opozitës me qeverinë dhe i qeverisë me opozitën e mediat është i shëndetshëm dhe duhet të ndodh. Çdo ditë. Vazhdimisht.