Michael Caine për jetën, politikën dhe largimin nga filmi - Gazeta Express
string(56) "michael-caine-per-jeten-politiken-dhe-largimin-nga-filmi"

Michael Caine për jetën, politikën dhe largimin nga filmi

Arte

Gazeta Express

20/10/2021 19:28

Karriera e tij shpërtheu në vitet ’60 të shekullit të kaluar, si pjesë e një brezi të ri aktorësh. 60 vjet më vonë, në heshtje po ia jep lamtumirën e fundit filmit. Bashkëbisedimin e gazetarit Xan Brooks për ditoren “the Guardian”, me legjendën e aktrimit Michael Caine

Michael Caine është 88 vjeç. Ecën me bastun. Ka një këmbë të çalë dhe probleme me boshtin kurrizor. Tregon se rastet a vetme kur këto ditë e lë shtëpinë janë ato kur gruaja e tij ka kohë që ta nxjerr jashtë me makinë. Javën e kaluar ia dërguan një skenar për një karakter që ikën nga një bandë hajdutësh, dhe kjo e bëri të qeshte – ideja se ai mund ta luajë atë. “Nuk mund të eci e lëre më të vrapoj”, thotë ai. “Dhe, në një mënyrë kam mbaruar me filmat”.

Lexo Edhe:

Pothuaj ishte i mbaruar, meqë nuk ka marrë pjesë në asnjë film për më shumë se një vit. U fut në filmin e tij të fundit, “Best Sellers”, para se të godiste pandemia e koronavirusit. Sot dyshon se do ta bëjë një tjetër film; gjë normale për të e jo një humbje e madhe. I ka titullin e kalorësit dhe Oscarët. Çfarë i ka mbetur tjetër ta dëshmojë veten? Për këtë thotë: “I kam 150 filma. Mendoj se mjaft kam bërë”.

Për një kohë të gjatë Caine ka qenë si orendi që përshtatej lehtë – si pjesë e mobileve, një fytyrë e njohur në ekran – ndaj të shqetëson paramendimi i peizazhit pa të; si të hysh në Kullën e Londrës e të shohësh se korbat kanë ikur. Është akoma më shqetësuese fakti të kuptosh se kjo tashmë mund të ketë ndodhur; se ka dalë në pension pa bërë zhurmë. Caine e kaloi pjesën e parë të karrierës duke mësyrë barrierat dhe në të dytën duke e shijuar plaçkën e suksesit. Dikush do ta priste një akt të madh final, një rol të fundit mahnitës. Në vend të kësaj, e kemi këtë: një largim të thjeshtë.

Aktori flet përmes video-lidhjes nga shtëpia e tij në Sërej (hera e parë, siç thotë ai, që jep intervistë në këtë mënyrë). Ai do të duhej ta promovonte filmin e tij “Best Sellers”, rolin e mirë të autorit të vjetër dispeptik që bëhet sanzacion viral. Por, nuk e ndjen këtë; duket se ka vazhduar me planet e veta. Kur i them se kam dëgjuar se e bazoi personazhin e Harris Shawit tek një regjisor i vjetër monstruoz me të cilin dikur punonte, reagon me një injorancë totale duke thënë se nuk mund ta di se për këtë e kam fjalën. “Nuk e mbaj mend. Mund ta kem bërë. Kanë kaluar dy vjet qëkur e bëra, kështu që është qesharake të flasësh tash për të”. E pi çajin e tij. “Pastaj, jam 88 vjeç. Mendja ime nuk e kthjelltë si dikur.”

“Shih ti”, shton ai, “kjo është një tjetër gjë që duhet marrë parasysh. Dua të them se jam mirë, mirë. Por, nuk mund të ec dhe nuk mund të qëndroj shumë gjatë në këmbë, e tash nuk e di nëse kujtesa ime e shkalafitur po ikën krejt. Kam punuar me njerëz të tillë. Kam punuar me një aktor i cili i kishte të gjitha fjalët e tij të shkruara në mur, sepse nuk i mbante mend. Dhe, ka të tjerë që mbajnë kufje e që e kërkojnë suflerin ta lexojë rreshtin tjetër për të. Johnny Depp. Ai e bën këtë [Depp e thotë të kundërtën]. Nuk mbaj mend kush është tjetri. Aktor më i vjetër amerikan. Ishte shumë kohë më parë”.

Kur ndodhi mbyllja e pandemisë, Caine u përball me një zgjedhje. Ose të rrinte në shtëpi e ta shikonte televizorin gjatë gjithë ditës, ose ta shtonte një qark të ri në zinxhirin e sukseseve. Kështu që u ul dhe e shkroi një roman, një thriler – sfida e tij e parë në letërsi pas disa memoareve. Këtë vepër do ta botojë vitin e ardhshëm, meqë po e rishkruan dhe po rregullon, për ta bërë më të mirë. “Paragrafët”, thotë ai, duke qeshur. “Pikësimi, gjithçka.”

Cili është titulli dhe për çfarë bëhet fjalë?

“Epo”, thotë ai. “Titulli është ‘Nëse nuk do të vdesësh’. Kam lexuar vetëm thrilerë. Jam tip aventurier, jo tip i letërsisë, kështu që nuk po synoj ta zëvendësoj Shekspirin. Por, bazohet në diçka që kam lexuar dikur për dy pastrues, për dy mbledhës plehrash në Ist End”. Një pauzë dramatike. “Dhe, ata gjejnë uranium në mbeturina”.

Si djalë i ri në jug të Londrës, pasionet e tij ishin filmat dhe librat, kinemaja dhe biblioteka. E përmbylli pjesën e kinemasë, kështu që mendon se duhet t’i kthehet bibliotekës – në mënyrë metaforike meqë ndërtesa ku shkonte dikur është zhdukur prej kohësh. Herën e fundit që vizitoi ‘Elefantin dhe Kështjellën’ vërejti se ishte zëvendësuar me një bllok banesor. Por, ky është përparim, tjetra është histori. Përfshin ndryshime të mira dhe të këqija. Kur e nisi punën si aktor, për shembull, filmi dhe teatri britanik ishin ruajtës të madhështisë. “Ishte si: ‘Filani po e bën një gosti dhe të gjithë janë veshur me kostume”. Një tjetër e qeshur e shkurtër. “Pastaj u futëm ne dhe i ndryshuam të gjithat”.

E shikojmë karrierën e hershme të tij në terma gjithëpërfshirës historikë. Ishte tip i zakonshëm, ngucakeq, hero i klasës punëtore me theksin e pastër të Temzës, djalosh me syze i lindur për posterë të ndryshimeve shoqërore të viteve 1960. Tani ka arritur në pikën kur ka filluar ta shikojë veten në ato aspekte, si pjesë e një brezi të ri aktorësh që përfshinin emrat si Albert Finney, Richard Harris, Peter O’Toole dhe Tom Courtenay. Por, në ato kohë, natyrisht, ai e çonte jetën si në një fotografi pa perspektivë. “Rrija në diskoteka”, thotë ai. “Nuk dija çfarë dreqin po ndodhte”.

Ndonjëherë, duke kaluar nëpër kanale televizive, do ta kapë ndonjë pjesë të klasikëve të tij. Mund të jetë duke e luajtur Harry Palmerin e qetë në “The Ipcress File”, Jackun e vështirë në “Get Carter”, ose Peachy Carnehan e lodhur te “The Man Who Would Be King”. Por, thotë se nuk ka interes të rishikojë lavditë e vjetra dhe se rrallë kthehet prapa në karrierën e tij. Mendon se “Alfie” ishte ndoshta filmi më i mirë që e bëri, por këtë e bazon në kujtesë pa i ka përditësuar skedarët. “E kam parë vetëm dy ose tre herë”.

Ajo që i mungon, nëse ka diçka, janë njerëzit e jo filmat. Filmat janë atje në iPad-in e tij sa herë që ai dëshiron t’i shikojë. Por, shokët e tij kanë ikur; edhe ata i përmbyllën largimet e tyre. “Brezi im po shkon. Të gjithë miqtë e mi po vdesin. Sepse, të gjithë jemi plakur. Roger Moore dhe Sean Connery ishin dy nga miqtë e mi më të ngushtë që ikën. Nja dy ditë më parë iki Johnny Gold, që ishte pronar i diskotekës ‘Tramp’ në Londër. E kam një shok tjetër shumë të ngushtë që është shumë, shumë i sëmurë. Befasohem nëse mbijeton deri në fundjavën e ardhshme. Nuk do ta përmend emrin e tij, por do të lexoni për të në gazeta”.

Pyes nëse mendon se shteti është në gjendje më të mirë sot, sesa kur e nisi karrierën, apo nëse progresi shoqëror që e mishëroi atëherë është i përmbysur. “Nuk e di”, thotë ai. “Ende asgjë nuk është perfekte. Ndoshta kurrë nuk do të jetë. Shikoje gjendjen ku jemi tash. Nëse rritesh sot je në një kohë të vështirë”.

Në të kaluarën, Caine e ka përshkruar veten në mënyra të ndryshme, si një tori i majtë dhe si socialist i krahut të djathtë. Tradicionalisht (por, jo ekskluzivisht) i voton konservatorët. E adhuronte Margaret Thatcherin, e respektoi David Cameronin dhe votoi në referendumin e vitit 2016. Një ditë, mendoj unë, mbase do ta rishqyrtojë atë pozicion, por tash jo. Ai ende e mbështet Brexit-in, pavarësisht kaosit të zinxhirit aktual të furnizimit; pavarësisht krizës në rritje të karburanteve dimërore.

“Oh, kjo është të mësosh nga telashet”, thotë ai. “Ashiqare nuk do të bëhet mirë menjëherë”. Pastaj ndryshon pak qëndrimin. “Dua të them se nuk e di se çfarë do të ndodhë. Më duhet të pres që Borisi të kthehet nga pushimet. Në fakt, ta bësh këtë, të shkosh në pushime tash, kjo është e pabesueshme. Raftet bosh. Njerëzit në radhë për benzinë. Dhe thua: ‘Prit veç pak. Ai ka shkuar në Marbella’”?

Pra, veç pak – ai mendon se Brexit-i është i mirë, por nuk është i kënaqur me Johnsonin, personalisht? “E mbështeta. Mendova se ishte i mrekullueshëm. Por, tash jam shumë i zhgënjyer prej tij. Bëri gabim të madh atje, duke shkuar në Marbella. Të shohim nëse kur të kthehet do të mund t’i zgjidhë të gjithat. Përndryshe, mund të kemi një qeveri socialiste”.

Dhe, a mund të votojë për të? “Mbase. Kurrë nuk i dihet. E bëra më parë. E bëra me Blairin. E bëra me dikë tjetër; po harroj kë, se ishte shumë kohë më parë. Gjithmonë votoj sipas asaj që mendoj. Atë që është e mirë për ne. Atë që është e mirë për shtetin”.

Ai, dyshoj unë, është një tori klasik i klasës punëtore – i rritur në varfëri, burrë i vetëbërë. Nëse je rritur i varfër, paratë kanë shumë rëndësi. Doni t’i grumbulloni. Doni t’i mbani. Ndoshta mendon se ka diçka që i mungon.

“Jo, jo, jo”, kundërshton Caine. Ai nuk e mendon këtë. Është i mbushur me para, i larë nga paratë “Kam jetuar gjithmonë në kufirin më të lartë që e lejonin paratë e mia. Dua të them, nuk jam ekstravagant. Nuk jam budalla. Nuk blej havjar për çdo ditë. Por, po, unë flas me ju nga një shtëpi e madhe me 10 hektarë tokë. Është fantastike, sepse kjo do të thotë se nipërit e mbesat e mia mund të vijnë e të më vizitojnë, por zhduken në çast dhe thjesht vrapojnë. Dy milje duke vrapuar rreth e qark kopshtit”.

Edhe një herë e kontrollon veten. Bëhet emocional për shtëpinë e tij në fshat, por realiteti është se ajo shtëpi e kreu të veten. E bleu 30 vjet më parë si shtëpi të madhe familjare, mjaft e madhe për ta strehuar atë, gruan e tij të dytë Shakira, dy vajzat dhe tre nipërit e tij. Këto ditë është kryesisht ai dhe Shakira duke u sjell vërdallë. “Pra, do ta marrë një më të vogël”, thotë ai. “Sepse, nipërit dhe mbesat kanë shkuar që të gjithë. Ata të gjithë po rriten. Kështu që do të shkoj për të qenë më pranë tyre, aty ku e kanë më të lehtë të më vizitojnë. Do të shkoj në Uimbëldon. Vajza ime, Natasha, jeton atje”.

U quajt Maurice Micklewhite, sipas babait të tij që punonte si roje i tregut të peshkut. Kam lexuar se e ndryshoi emrin, zyrtarisht, disa vjet më parë, sepse u lodh me shpjegimet sa herë që rreshtohej në kontrollin e pasaportave në Mbretërinë e Bashkuar. Por, thotë se kjo nuk është e vërtetë: e ndryshoi atë shumë vjet më parë, të paktën 10 vjet. Më duket se kështu e ndërpreu lidhjen e fundit me të kaluarën e tij.

Kur u bë Michael Caine, natyrisht, njerëzit ende e quanin Maurice. “Por, tash nuk e kam asnjë anëtar të familjes, kështu që me vite të tëra askush nuk më quan më Maurice. Të gjithë kanë vdekur. Vëllai im, nëna ime, babai im. Nëse kam ndonjë lidhje tjetër, ata do të jetonin në Bermondsej”. I ngre supet. “E, unë nuk shkoj në Bermondsej”.

Po ai? A është Maurice, thellë në zemër? “Jo. Ditën që u bëra Michael Caine, unë isha Michael Caine. Jo më Maurice, po një person krejtësisht tjetër. Ishte gjë e mahnitshme. Përrallore”.

Çfarë nuk shkonte me personin Maurice? “Epo, askush nuk e njihte. Ishte pa para. Ishte i papunë. Në momentin që u bëra Michael Caine, kisha një punë dhe rrugëtimin tim”.

Kthehet pastaj në një anekdotë që me siguri e ka thënë 100 herë më parë – në ahengje, në diskoteka, në biseda dhe para auditorit. Është rrëfimi sesi e bëri çarjen e madhe me filmin “Zulu” të vitit 1964; si u takua me regjisorin amerikan Cy Endfield, në barin e teatrit, për t’i thënë se pjesa që ai e donte kishte shkuar te një aktori tjetër. Pse mendoi se e kishte saktë? A u kthye në varfëri dhe në harresën e dikurshme? A ishte sërish Maurice Micklewhite?

Ai thotë: “E gjithë karriera ime e filmit bazohet në gjatësinë e banakut të teatrit ‘Princi i Uellsit’, sepse isha duke dalë dhe ecja ishte shumë e gjatë deri te dera. Sapo arrita atje, ai thirri: ‘Kthehu’! Kishte vendosur që mund të luaj rolin e oficerit. Më tha: ‘Dukesh oficer’. Kjo sepse isha 1.88 metra i gjatë e biond. Dera ishte gjysmë e hapur; unë pothuajse e kalova atë. U ktheva dhe hyra përsëri”.

Jeta e tij më bën të mendoj për Dick Whittingtonin, duke u kthyer përsëri në rrugë drejt Londrës. “Pikërisht”, thotë Caine. “Pikërisht ai jam: Dick Whittingtoni i aktrimit”. /Telegrafi/