Ndërtimi i parkingut nëntokësor lë pa strehë 14 familje - Gazeta Express
string(55) "ndertimi-i-parkingut-nentokesor-le-pa-strehe-14-familje"

Ndërtimi i parkingut nëntokësor lë pa strehë 14 familje

Gazeta Express

25/11/2020 9:15

Katërmbëdhjetë familje në qendër të Prishtinës, shqiptare e serbe, duhet të largohen nga barakat që kanë jetuar me dekada për t’ia lëshuar vendin ndërtimit të një parkingu të ri nëntokësor. Ata janë vendosur aty gjatë kohës së ish-Jugosllavisë, për të jetuar përkohësisht, dhe nuk kanë dokumente se ato janë prona të tyre.

Islam Kuleta dhe gruaja e tij Sherifja, po i bëjnë gati thasët me rroba për t’u larguar nga baraka në të cilën jetuan më shumë se 30 vjet.

Lexo Edhe:

Komuna e Prishtinës ka kërkuar që të largohen nga ky vend para datës 1 dhjetor.

“Kah t’ia mbaj unë? Ja ku i kam thasët, gjoja se me të parin, që nuk gjej vend, unë duhet të dal me këta thasë në oborr të Bibliotekës të qëndroj”, thotë Islam Kuleta.

Në këto baraka, që ndodhen në oborrin e Universitetit të Prishtinës, jetojnë 14 familje shqiptare dhe serbe.

Më 11 nëntor, Komuna e Prishtinës, përmes një vendimi, njoftoi banorët se ata duhet të largohen më së largu deri më 1 dhjetor pasi po shfrytëzojnë jashtëligjshëm hapësirat shoqërore.

Në këtë vend tashmë kanë filluar edhe punimet për parkingun nëntokësor. barakat pritet të rrënohen.

Komuna ka premtuar se kush ka dokumentacion të rregullt për shfrytëzim, do t’i paguhet qiraja e banimit deri në pesë vjet. Ata që nuk kanë dokumentacion të rregullt do t’u paguhet qiraja e banimit për vetëm gjashtë muaj.

“Çka bëj unë pas gjashtë muajve, çka? Kah shkoj unë? Gruaja e ka socialin 60 euro, unë pension 90 euro. Kah t’ia mbaj unë? Asgjë, vetëm shpirtin edhe këto rroba që i kam veshur se asgjë tjetër të gjallë nuk kam”, thotë Kuleta.

Shumicës së personave që jetojnë në këto baraka u ishin dhënë hapësirat në shfrytëzim nga Qendra e Studentëve në Prishtinë nga vitet e ’70-ta deri në vitet e ’90-ta.