Ish-sportisti i UFC-së, Khabib Nurmagomedov, ka sulmuar verbalisht presidentin francez, Emmanuel Macron, pas komenteve të tij rreth sulmeve të fundit terroriste në Francë, me një postim në Instagram që bën thirrje për “të Plotfuqishmin t’ia shpërfytyrojë fytyrën kësaj krijese”.
Khabib është një mysliman praktikues nga Republika e Dagestanit dhe ka folur rregullisht për ndikimin e besimit të tij në jetën dhe karrierën e tij në sportin e Arteve të Përziera Martiale, transmeton Gazeta Express.
Por ai e vuri në shënjestër Presidentin Macron të premten me një postim në Instagram që përmbante një shenjë çizme mbi fytyrën e liderit francez, së bashku me një fragment me fjalë në gjuhë ruse e arabe, së bashku me një pasazh nga Kurani.
Ai shkroi: “I Plotfuqishmi le t’ia shpërfytyrojë fytyrën kësaj krijese dhe të gjithë pasuesve të saj, të cilët, nën parullën e lirisë së fjalës, ofendojnë ndjenjat e më shumë se një miliard e gjysmë besimtarëve myslimanë. I Plotfuqishmi i poshtëroftë ata në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Allahu është i shpejtë në llogaritjen dhe ju do ta shihni këtë”, ka thënë Nurmagomedov.
“Ne jemi muslimanë, ne e duam Profetin tonë Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) më shumë sesa nënat, baballarët, fëmijët, gratë dhe të gjithë njerëzit e tjerë të afërt me zemrat tona. Më besoni, këto provokime do t’u kthehen atyre, fundi ekziston gjithmonë për ata që kanë frikë nga Zoti”.
Khabib shtoi ajetin 33:57 nga Kur’ani, në të cilin thuhet: “Në të vërtetë, ata që e shajnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Allahu imallkoi në këtë botë dhe në Ahiret dhe përgatiti për ta mundime poshtëruese”. /Gazeta Express/