Ministria e jashtme greke ka zbardhur axhendën e vizitës së krydeplomatit grek, Nikos Dendias në Tiranë.
Kryefjalë e vizitës pritet të jetë marrëveshja e detit Shqipëri-Greqi.
Mediat greke njoftojnë se pikërisht kjo do të jetë temë diskutimi dhe qëllimi i vizitës së Dendias për marrëveshjen e 2009 që nuk u finalizua pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.
Fillimisht Dendias do të takohet me politikanë, teksa i pari do të jetë homologu Cakaj, më pas Rama, Meta, Basha dhe kreu i PBDNJ, Vangjel Dule.
Për ta përfunduar vizitën Dendias ka zgjedhur Kryepeshkopin e Kishës Autoqefale Shqiptare, Anastas Janullatosin.
Tre temat ku do të fokusohen bisedimet janë çështjet europiane dhe rajonale, kryesisht marrëdhëniet shqiptaro-greke, zhvillimet në Mesdheun Lindor si dhe perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor.
Nikos Dendias vizitoi Kosovën javën e kaluar dhe, ndër të tjera, u përpoq të hetojë me udhëheqjen e kosovarëve shqiptarë nëse çështja EEZ mund të vazhdojë normalisht me Shqipërinë , pa ndërhyrjen e Turqisë.
Me përfundimin e marrëveshjes së EEZ me Shqipërinë, “fronti perëndimor” i EEZ greke mbyllet dhe hapet rruga për zgjerimin e ujërave territoriale Greke në 12 milje në Jon në mënyrën që Athina dëshiron.”– shkruajnë mediat greke.