“Kam përjetuar luftën, pandemia më ngjante në të”, Express sjell rrëfimin e ushtarit të IKSHPK’së - Gazeta Express
string(92) "kam-perjetuar-luften-pandemia-me-ngjante-ne-te-express-sjell-rrefimin-e-ushtarit-te-ikshpkse"

“Kam përjetuar luftën, pandemia më ngjante në të”, Express sjell rrëfimin e ushtarit të IKSHPK’së

Edina Avdiu

01/10/2020 17:42

Ndonëse kanë kaluar rreth gjysmë viti që nga paraqitja e rasteve të para pozitive, ka ende prej atyre që refuzojnë të testohen sepse nuk besojnë në ekzistencën e këtij virusi që ua ka marrë jetën 627 personave në Kosovë. Laborantit Sead Zeka, që ka qenë në vijën e parë të frontit gjatë gjithë kohës, pandemia i duket si lufta e 1999’s. Gazeta Express sjell të plotë rrëfimin nga brenda laboratoreve të IKSHPK-së.

Sead Zeka, laborant në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik tregon për vështirësitë që ka hasur ai bashkë me kolegët e tij, gjatë kohës sa ishin duke marrë mostra në qytete e fshatra të ndryshme të Kosovës.

Lexo Edhe:

Zeka thotë se shpeshherë e kishin të pamundur t’i bindnin qytetarët që të testoheshin, pasi këta të fundit e mohonin ekzistencën e një virusi të tillë.

“Gjurmimi i kontakteve ka qenë mjaft i vështirë, për shkak se kemi pasur punë me adresa. Kemi shku nëpër fshatra të thella që s’kemi qenë asnjëherë më herët. Është dashur me i thirrë disa herë deri sa i kemi gjetë. Ka qenë problem sepse ata nuk guxonin me dalë nga shtëpitë pasi dyshoheshin si të infektuar me Covid-19. Kemi humbë deri në 1 orë deri sa ua kemi gjetë shtëpinë. Ka pasë edhe prej atyre që nuk kanë besu. Kur kemi shku me i marrë mostrat kanë thënë “s’ka virus”. Kemi pasë edhe këso raste. Jemi mundu me i bind. Ju kemi thënë që duhet me e dhënë mostrën, mos me ju besu fjalëve. Ka pasë raste kur kanë refuzu, nuk na kanë leju me hy fare në shtëpi edhe kanë mbetur pa u testuar”, ka treguar Zeka për Gazetën Express.

Zeka thotë se puna në terren në fillim të pandemisë ka qenë mjaft e vështirë dhe thekson se punën  e bënte edhe më të vështirë numri i vogël i punëtorëve që kishte ky Institut. Si rrjedhojë, ai dhe pesë kolegët e tij detyroheshin të ktheheshin nga terreni në laborator, e nga laboratori në Qendrën e Thirrjeve për rreth tre muaj rresht.

“Fillimisht kemi qenë numër i vogël i punëtorëve. Kemi qenë të angazhuar në terren, njëkohësisht është dashur me u kthy nga terreni me e vazhdu punën në labrator, s’kemi pasë orar. Kështu kemi funksionu deri më 1 qershor, i kemi kry nga dy-tri punë. Nëse na kanë thirrë me asistu në terren është dashtë me shku në disa vende. Kemi qenë numër I vogël i punëtorëve, ekipe të terrenit kanë qenë vetëm 3, pra 6 punëtorë gjithsej edhe 2 rezervë në rast nevoje. Ata 6 e kemi kry punën në krejt Kosovën për një kohë të gjatë, diku deri kah gjysma e prillit, kur janë angazhu pastaj edhe regjionet. Pas një kohe është plotësu numri i punëtorëve edhe pak është lehtësu edhe puna jonë”, ka thënë Zeka.

Për Zekën, puna më e rëndë ka qenë përdorimi i dezinfektuesëve e alkoolit. Në një moment ai tregon se i ishin ngrirë gishtat nga alkooli, kur kishte qenë duke marrë mostra në Malishevë në temperatura të ulëta.

Zeka kujton ditët kur në laborator vinin mbi 1 mijë mostra në ditë dhe detyroheshin të punonin deri në 24 orë pa e ndërperë fare punën.

“Numri më i madh i mostrave që i kemi pranu brenda ditës ka qenë mbi 1 mijë. Edhe terreni ato ditë ka qenë punë e vështirë, sidomos prej 13 marsit deri më 1 qershor, ka qenë shumë e rëndë për ne. Ka qenë si ndjenjë e luftës. Është dashtë me shku deri në 10 vende të ndryshme brenda ditës, ka ndodhë që kemi mbetur pa ngrënë bukë gjithë ditën. Më ka ndodhë me punu deri në 24 orë pa ndërprerë. Në mëngjes kam dalë në terren në ora 08:00, kur jam kthy ju kam ndihmu në laborator deri në mbrëmje në ora 20:00. Prej orës 20:00 kam shku në Qendrën e Thirrjeve deri në mëngjes. Të nesermen kam vazhdu prapë në terren deri në ora 14:00, në ora 14:00 kam shku në shtëpi. Nga e premtja deri të dielën nuk kam shku në shtëpi fare”, tregon Zeka.

Ai tthotë se gjatë kohës kur qytetarët ishin të izoluar, Instituti pranonte mbi 100 thirrje brenda natës, për shkak të panikut që ishte krijuar.

“Pesë telefona kanë qenë, tërë kohën është dashtë me u përgjigj. Fillimi ka qenë shumë  vështirë, ka pas shumë panikë te qytetarët, pastaj filluan pak me u relaksu edhe me u rrallu thirrjet. Personalisht i kam pranuar deri në 120 thirrje brenda një 8 orëshi, gjatë natës. Kanë qenë disa thirrje të arsyeshme e disa të paarsyeshme. Njerëzit janë frikësu dhe kanë thirrë edhe për gjëra që nuk kanë të bëjnë me virus. Është dashtë me u tregu shumë të kujdeshëm në komunikim me personat që kanë telefonu. Kur filloj ajo ngrirja e institucioneve në atë kohë, njerëzit që kishin probleme shëndetësore të ndryshme, mendojshin që aty e kanë zgjidhjen për çdo gjë, por na është dashtë me i orientu ku me shku”, tregon tutje Zeka.

Periudha në fillim të marsit e deri nga gjysma e prillit, Zeka thotë se i ngjasonte në kohë lufte, teksa kujton ditët e tij në terren, kur vendi ishte mbyllur e ai shihte vetëm kolegët e tij të punës dhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës nëpër rrugë.

“Unë e kam përjetu edhe luftën, kam qenë ushtar. Pandemia më ka ngjasu si një periudhë lufte. Vishim në punë i shihja personat e njejtë, kur dilshim në terren vetëm ne dhe Policia, nuk ka pasë njerëz të tjerë. Ka qenë një ndjenjë sikur në vitet e 99-ta, njerëzit u përgatitshin, i shihnim duke ble ushqim duke u mbyllë nëpër shtëpija”, rrëfen Zeka.

E për ata që vazhdojnë të besojnë se ky virus nuk ekziston, Zeka i këshillon që t’i pyesin personat që e kanë përjetuar e kanë qëndruar në spital me javë të tëra.

I kënaqur nga ulja e numrit të viktimave dhe të infektuarve në vend, Zeka thotë se puna e tij është lehtësuar shumë. Ai thotë se tani punon vetëm në orarin e tij dhe arrinë t’i procedojë të gjitha mostrat që i vijnë nga terreni.

“Çdo mëngjes i presim mostrat. Numri më i madh i mostrave vijnë prej orës 11:00 deri në ora 14:00, pastaj i fusim në procedim. Pas orës 14:00 fillon punën ekipa tjetër kur vazhdon leximi i mostrave. Tash për momentin jemi duke i përfundu të gjitha mostrat, nuk po na mbetet asnjë mostër për nesër”, ka përfunduar Zeka.

Sipas të dhënave të fundit nga IKSHPK-ja, numri total i rasteve pozitive ka arritur në 15 mijë e 663 raste nga 68 mijë e 463 persona sa janë testuar gjithsej.

Betejën me Covid-19 e kanë humbur 627 persona, ndërkohë që janë shëruar  gjithsej 13 mijë e 677 pacientë. Mbi 68 mijë persona janë testuar deri më sot në laboratorin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik si të dyshuar për virusin Covid-19./Gazeta Express/