Prania e fuqishme e një Pike të munguar në Marrëveshjen e Washingtonit - Gazeta Express
string(70) "prania-e-fuqishme-e-nje-pike-te-munguar-ne-marreveshjen-e-washingtonit"

Prania e fuqishme e një Pike të munguar në Marrëveshjen e Washingtonit

Gazeta Express

08/09/2020 12:51

Të gjitha palët në procesin e arritjes së Marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë, pra Washingtoni, Prishtina, Beogradi, Brukseli, Berlini dhe Parisi kanë përfituar nga Pika Dhjetë e munguar në tekstin final të Marrëveshjes së 4 shtatorit.

Shkruan: Blerim Shala

Lexo Edhe:

‘Te dy palët zotohen për njohje reciproke, për mbrojtjen e komuniteteve pakicë, për rikthimin e pronës, zgjidhjen e çështjes së apatridëve, dhe pajtohen që t’i hapin zyrat, të cilat do jenë përgjegjëse për mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe do të raportojnë për këtë çështje në baza vjetore’.

Kjo duket të jetë Pika më e rëndësishme e Draft-Marrëveshjes së Washingtonit  (siç me gjasë do të quhet tash e tutje), e autoriteteve më të larta të Kosovës dhe Serbisë, e cila, siç dihet, nuk u gjet fare në tekstin final të saj, i cili u nënshkrua në Dhomën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, të premten, me 4 shtator, nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić.

Pika e Dhjetë e kësaj Marrëveshjeje  (siç u klasifikua në enjten, me 3 shtator, nga Delegacioni i Serbisë), fillimisht u propozua nga nikoqirët e këtij Takimi, Richard Grenell, Emisari Special amerikan për dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit dhe Robert O’Brien, Këshilltari për siguri kombëtare.

Më pas, ajo (Pikë) u hodh poshtë në mënyrë kategorike nga ana e Presidentit Vučić, prandaj, ajo u shmang në atë përmbajtjen definitive të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënive ekonomike në mes të Kosovës  (Prishtinës) dhe Serbisë  (Beogradit)  (siç shkruan fare në fillim të kësaj Marrëveshjeje).

Megjithëse te dy palët kanë pohuar më pas që nuk e kanë pasë të ditur Propozim-Marrëveshjen e cila u soll para tyre ditën e parë të Takimit, të enjten me 3 shtator, akëcili që i ka përcjellur deklaratat e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, gjatë fundjavës së mbramë të gushtit, ka mundur të vërejë paralajmërime interesante dhe madje shqetësuese të tij.

Ai pati theksuar që në përmbajtjen e Marrëveshjes e cila është parimisht ekonomike, mund të ketë edhe pika problematike politike, dhe që ky nuk do ta takojë Presidentin e SHBA-së, Trumpin, të premtën me 5 shtator, nëse kusht për këtë takim është njohja e Kosovës nga ana e tij.

Vučić pra, ose e ka ditur që më parë se çka mund ta gjejë në Washington, ose ka supozuar (me saktësi të plotë) se ai dhe Delegacioni i Serbisë mund të ballafaqohen edhe me këtë sprovë, gjë që nuk ka mundur të klasifikohet edhe si befasi e madhe, nëse dihet qëndrimi i njohur botërisht i Administratës Amerikane  (që nga dhjetori i vitit 2018-të), që normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, duhet të bazohet mbi njohjen formale reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, Vučić ka mundur të parashikojë poashtu me saktësi të madhe, që Grenell dhe O’Brien, mbi të gjitha, vetë Presidenti Trump, janë jetikisht të interesuar që të ketë Marrëveshje të Kosovës dhe Serbisë të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, vetëm dy muaj para zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Në vijim të këtij synimi, Vučić ka mundur të llogarisë në epilogun e dëshiruar për te, i cili në njërën anë, do t’ia bëjë me dije  (edhe një herë), opinionit publik të Serbisë, që pozicioni i i SHBA-së për këto bisedime është fuqimisht në favor të njohjes reciproke,  (këtë qëndrim të përbashkët të SHBA-së dhe të shteteve kryesore të Evropës, Vučić e ka përsëritur pandërprerë në tri vitet e fundit, që prej se në Serbi ai vet ka lansuar ’Dialogun e brendshëm’), ndërsa në anën tjetër, ate do ta shfaqë para këtij opinioni si një ’Super-Hero’  (për mos thënë edhe si një ’Superman’), i cili ishte në gjendje ta kthejë mbrapshtë këtë kërkesë të Administratës Amerikane midis Washingtonit.

Në të vërtetë, duket që te tri palët që morën pjesë në dyditëshin e bisedimeve të Washingtonit, por edhe një palë tjetër  (e munguar, apo BE-ja), kanë përfituar nga kjo përpjekje e Grenellit dhe O’Brienit që ta përfshijnë në tekstin e Marrëveshjes këtë Pikën Dhjetë, e cila, përndryshe, nuk shquhet me një saktësi politike, kur bëhet fjalë për njohjen reciproke në mes të dy shteteve, apo, në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë Pikë, ashtu siç është propozuar nga autoritetet më të larta amerikane, flitet për ’zotimin e dy palëve për njohje reciproke’, i cili disi ri pezull si formulim, apo, nuk ka atë saktësinë aq shumë të kërkuar në këtë rast. Nuk ka afat kohor kur ky zotim do të mund të përmbushej  (edhe pse dikush këtu mund të shtojë që ky afat, në mënyrë të tërthortë, lidhet me atë 12 muajshin e suspendimit të përpjekjeve të Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, dhe të fushatës së Serbisë për ç’njohjet e pavarësisë së Kosovës), teksa njohja reciproke, siç e dimë të gjithë, mund të jetë formale, por ajo mund të jetë edhe de fakto.

Sidoqoftë, u tha tashmë që disi të gjitha katër palët që janë pjesë e kësaj ndërmarrjeje të përbashkët të arritjes së Marrëveshjes Gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, dolën faqebardhë me këtë Pikën Dhjetë që në fund nuk gjeti veten në atë Marrëveshjen që me ceremoni dhe protokoll të veçantë u nënshkrua në Dhomën Ovale të Shtëpisë së Bardhë.

Tashmë u shpjegua pse Vučić doli fitues i dyfishtë në këtë rast, me bërjen publike të përmbajtjes së këtij Propozimi, dhe me kundërshtimin e suksesshëm të saj.

Vet Administrata Amerikane, me këtë Pikën Dhjetë, e ka ri-konfirmuar pozicionin e saj karshi finales politike të këtij procesi që po zgjatë tash e 22 vite të plota  (dihet që bisedimet dhe negociatat e para kanë nisur në majin e vitit 1998).

Nuk ka kurfarë dyshimi që ky qëndrim i Washingtonit zyrtar i ndihmon të gjitha palëve të përfshira në këto bisedime, në radhë të parë Prishtinës zyrtare dhe vet Misionit të Miroslav Lajčakut, Emisarit Special të BE-së për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Atë çka e thotë publikisht Amerika, e mendojnë BE-ja  (pa zë publik, por me qëndrim të qartë në komunikimin me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vučić), Gjermania dhe Franca, si dy shtetet kryesore të Bashkimit Evropian.

Në anën tjetër, edhe kështu si doli, si një përpjekje që nuk arriti të finalizohet, Pika Dhjetë e propozuar nga Grenell dhe O’Brien, i ndihmon goxha shumë autoriteteve më të larta të Kosovës, dhe skenës politike vendore, e cila megjithatë, vazhdon të jetë krejtësisht e përçarë në temën e dialogut me Serbinë dhe vetë përmbajtjen eventuale të Marrëveshjes ligjësisht obligative në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Kjo Pikë si e tillë, konfirmon pritjet, supozimet dhe qëllimet e instancave më të larta të Prishtinës që përkojnë me këtë dialog.

Prej thuaja të gjithë politikanëve relevantë të Kosovës, edhe pse në forma dhe mënyra të ndryshme, tash e tri vjet është pohuar që kapitulli përfundimtar i bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë, nëse njëmend synohet Marrëveshja për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të dy shteteve, do ta arrijë qëllimin vetëm nëse do të ketë njohje formale reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë kontekst pra, duke i marrë parasyshë interesat e të gjitha palëve të cilat kanë hise në këtë proces, Pika Dhjetë, e propozuar nga Washingtoni zyrtar, e ka luajtur një rol pozitiv, të ’hapjes së letrave’ për rrjedhën eventuale të kësaj kaptine të supozuar finale të bisedimeve në mes të instancave më të larta të Prishtinës dhe Beogradit.

Megjithatë, ka ende shumë për tu bërë që të mbërrihet krejt në fund të kësaj ndërmarrjeje, me një qartësi të prerë kur bëhet fjalë për Marrëveshjen Gjithpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Do të ketë, me siguri, shumë rënie dhe ngritje deri në epilogun e këtyre bisedimeve.

Teksa kush nuk mund të ofrojë garanca që do të ketë epilog të sukseshëm të tyre.