Sipas një studimi britanik, shtypja e lartë e gjakut dhe diabeti shkaktojnë ndryshime në tru që dëmtojnë kujtesën dhe të menduarit.
Mjekët i analizuan fotografimet e trurit dhe të dhënat mjekësore nga 22 mijë vullnetarë që morën pjesë në projektin “UK Biobank” dhe gjetën ndryshime të theksuara strukturore në masën e bardhë dhe të hirtë të trurit te personat që vuanin nga shtypja e lartë e gjakut dhe diabeti.
Personat e njëjtë gjithashtu shënuan rezultat më të dobët në testet për shkathtësi njohëse, me të cilat u mat shpejtësia e të menduarit dhe kujtesa afatshkurtër, duke e ngritur mundësinë që problemet shëndetësore po shkaktojnë rënie të funksionimit të trurit, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
“Në mënyrë të veçantë, rezultatet tregojnë se është e mundshme që të vërehen efektet negative të faktorëve të rrezikut në qarkullimin e gjakut, siç është shtypja e lartë dhe diabeti, në funksionin njohës dhe strukturën e trurit”, tha Masud Husain, profesor i neurologjisë në Universitetin e Oksfordit.
“Ndërlikimi kryesor është se këta faktorë rreziku nuk kanë ndikim vetën në atë që ndodh më vonë gjatë jetës – në rrezikun për zhvillimin e demencës – por ata kanë ndikim në tru dhe nivelin e tanishëm të funksionit njohës edhe në moshën e mesme”, shtoi ai.
Shkencëtarët thanë se lidhja më e fuqishme mes dëmtimit të funksioneve të trurit me shtypjen e lartë dhe diabetin është te personat e moshave 44 deri në 69-vjeçare, por ndikimi është vërejtur edhe te njerëzit që kanë më shumë se 70 vjet.
Studimet e kaluara kanë sugjeruar se shtypja e lartë e gjakut dhe diabeti në moshën e mesme mund ta rrisin rrezikun për t’u prekur nga demenca në fazën e mëvonshme të jetës, por rezultatet më të reja tregojnë se këto sëmundje mund të ndikojnë negativisht në tru para pleqërisë.
Në një studim të fundit të kryer nga ekspertë të industrisë – Data4X, Viva Fresh Store, si një ndër kontribuesit kryesorë, renditet në këtë...