Grupi shtetëror për prodhimin e naftës në Arabinë Saudite, “Aramco”, të dielën raportoi rënie të fitimit prej 73.4 për qind gjatë tremujorit të dytë të këtij viti.
Eksportuesi më i madh i karburanteve në botë tha se përhapja e shpejtë e koronavirusit në nivel botëror e ka ulur në masë të konsiderueshme kërkesën për naftë të papërpunuar, gaz natyror dhe produkte të benzinës, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
“Po shohim rimëkëmbje të pjesshme në tregun e energjisë pasi vendet përreth botës po marrin hapa për lehtësimin e kufizimeve dhe fuqizimin e ekonomive të tyre”, tha shefi ekzekutiv i kompanisë “Aramco”, Amin Nasser.
Fitimi neto i kësaj kompanie për tremujorin e dytë të këtij viti ra në 24.6 miliardë rialë nga 92.6 miliardë rialë sa ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Të gjitha kompanitë kryesore të naftës kanë pësuar goditje gjatë tremujorit të dytë për shkak se masat për parandalimin e koronavirusit kufizuan udhëtimet, gjë që ndikoi në rënien e kërkesës për karburante.
Çmimi i naftës së papërpunuar në fund të tremujorit të dytë ishte 38 për qind më i ulët në krahasim me një vit më parë, pavarësisht marrëveshjes së vendeve të organizatës OPEC për pakësimin e prodhimit në nivel rekord.
Në një botë që vazhdon të përparojë me shpejtësi në fushën e teknologjisë, përdorimi i tabletëve ka marrë një...