Në mes të festës, Rohde ia kujtoi “punën e vështirë” që duhet të bëhet për hapin tjetër në KiE, Kurti s’do trysni - Gazeta Express
string(108) "ne-mes-te-festes-rohde-ia-kujtoi-punen-e-veshtire-qe-duhet-te-behet-per-hapin-tjeter-ne-kie-kurti-sdo-trysni"

Në mes të festës, Rohde ia kujtoi “punën e vështirë” që duhet të bëhet për hapin tjetër në KiE, Kurti s’do trysni

Lajme

Gazeta Express

17/04/2024 13:50

Tash vjen puna e vështirë, paralajmëroi ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ndërsa u shpreh i kënaqur që Kosova të martën avancoi edhe më tej drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës. Ai pati thënë më herët se Kosova s’guxon të rrezikojë në Komitetin e Ministrave, që do të vendosë nëse do ta bëjë Kosovën përfundimisht anëtare të kësaj organizate. Kryeministri Albin Kurti tha se s’bën hapa që e rrezikojnë vendin.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës e dha dritën e gjelbër për anëtarësimin e Kosovës gjatë një seance plenare të martën në Strasburg, duke ua lënë në dorë ministrave që të vendosin përfundimisht për këtë çështje.

Krerët e shtetit u shprehën të lumtur dhe uruan për këtë sukses, por ndërsa u shpreh i kënaqur edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ai kujtoi se Komiteti i Ministrave pret lëvizje për themelimin e Asociacionit.

“Tani vjen puna e vështirë: në mënyrë që ta sigurojë shumicën e nevojshme prej dy të tretave në Komitetin e Ministrave në maj, Kosova duhet të bëjë çfarë është e nevojshme për të bindur me merita dhe veprime”, shkroi Rohde në X.

Deputetja greke, Dora Bakoyannis, e arsyetoi në Asamblenë Parlamentare raportin e përpiluar që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, ndërsa tha se çështje e Asociacionit është “përtej” mbulimit të saj. Ajo përmendi lëvizjet e Kosovës për implementimin e aktgjykimit për Manastirin e Deçanit dhe për çështjen e shpronësimit të pronave të serbëve.

Megjithatë, u ndal të flasë për Asociacionin si “një prej çështjeve më të rëndësishme të hapura për të drejtat e pakicave në Kosovë”.

“E shoh themelimin e Asociacionit si çështje e njëanshme, vendore e Kosovës që ndikon vetëm te qytetarët e Kosovës. Duke e pasur këtë parasysh kam bërë çdo përpjekje drejt materializimit të saj. Fatkeqësisht, kjo çështje nuk ka arritur të negociohet”, tha Bakoyannis, duke theksuar se marrëveshja e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë thotë se “çdo lloj negociate për themelimin e tij duhet të bëhet në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

“Si rezultat, Asociacioni, fatkeqësisht, është përtej mbulimit tonë, edhe nëse Komiteti i Ministrave inkurajohet fuqimisht që ta marrë parasysh këtë çështje”, tha ajo.

Pra, është e mundur që Komiteti i Ministrave të kërkojë lëvizje për Asociacionin në mënyrë që ta bëjë Kosovën përfundimisht anëtare të Këshillit të Europës.

“Qeveria s’guxon të rrezikojë”

Rohde tha para një jave se Qeveria e Kosovës nuk duhet të rrezikojë, ndërsa synon që të anëtarësohet në Këshillin e Europës muajin e ardhshëm.

Rohde tha se duhet të ketë lëvizje nga Kosova, një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe për të krijuar një atmosferë pozitive përpara se Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës ta thotë fjalën përfundimtare në maj për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në KiE.

“Tani vijmë deri te çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Tash na nevojitet një shumicë për këtë çështje dhe Qeveria nuk guxon të rrezikojë, sepse aty kemi, në Komitetin e Ministrave, kemi të bëjmë me secilën votë për ta çuar përpara aplikimin, për ta marrë Kosovën në Këshillin e Europës dhe secila votë është e rëndësishme, sepse aty ka edhe shtete anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën dhe të cilat, vota e tyre dihet se çfarë mund të jetë. Prandaj Kosova duhet të lëvizë. Dua qartas ta them se nuk bëhet fjalë për realizimin e Asociacionit, por për t’u bërë hapa të vazhdueshëm, për të mos u ndalur”, tha Rohde në një intervistë në RTK.

Për të pasur sukses edhe në Komitetin e Ministrave, Rohde tha se “ka një pritshmëri se ka një lëvizje, se do të duhet të ketë edhe një draft të Asociacionit, se do të respektohen të drejtat e pakicave”.

“Prandaj, po mundohem ta qartësoj se neve na nevojitet një shumicë në Këshillin e Europës dhe kjo shumicë arrihet duke lëvizur Qeveria e Kosovës dhe këtë nuk duhet ta rrezikojmë. Për të krijuar një atmosferë pozitive, nuk mjafton të themi vetëm se e kemi bërë çështjen e Manastirit të Deçanit sepse edhe kjo ka ndodhur në momentin e fundit dhe kjo natyrisht që nuk është pritur gjithherë nga të gjitha shtetet si një gjë e mirë. Por e rëndësishme është që shteti i së drejtës duhet të veprojë dhe të gjitha obligimet të implementohen për të arritur në cak”, tha Rohde.

Kurti: S’bëj hapa që e rrezikojnë Kosovën

Kryeministri Albin Kurti ishte në Strasburg të Francës dhe nga atje tha se pret që Komiteti i Ministrave të mos e injorojë vullnetin e deputetëve në Asamblenë Parlamentare, 80% e të cilëve votuan pro anëtarësimit të Kosovës, dhe që shtetet e QUINT-it të mos kërkojnë më shumë sesa raportuesja që vjen nga Greqia, e cila s’e njeh Kosovën.

“Unë jam shumë i gatshëm dhe i interesuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës dhe unë pres nga vendet e QUNT-it që e kanë njohur Republikën e Kosovës të mos mbajnë qëndrime të cilat janë më poshtë sesa të raportueses Dora Bakoyannis, e cila vjen nga një shtet mosnjohës. A nuk ju duket absurde që të ketë shtete njohëse, qofshin ato edhe të QUINT-it, të kërkojnë nga Kosova diçka që nuk ka kërkuar as ish-ministrja e jashtme dhe zonja më e fuqishme në politikën greke, një shteti i cili nuk na njeh. Pra është normale nga qytetarët e Republikës së Kosovës, nga unë si kryeministër, nga Qeveria e Parlamenti, nga e gjithë shoqëria, përfshirë edhe gazetarët, që të presin që vendet e QUINT-it të mos kërkojnë për Kosovën më pak sesa Dora Bakoyannis ose mos të bëjnë për Kosovën trysni më shumë se Dora Bakoyannis që vjen nga një shtet që ende s’na ka njohur”.

Kurti tha se nuk mund të pritet që ndërkombëtarët ta duan Kosovën më shumë se vendorët dhe i pyetur nëse do të lëvizë për Asociacionin përpara takimit të Komitetit të Ministrave, ai tha: “Unë s’bëj hapa të cilët rrezikojnë Kosovën, sovranitetin, integritetin territorial, kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e saj”.

Gjatë debatit në seancën e Asamblesë Parlamentare, disa deputetë përmendën nevojën, siç thanë ata, që Kosova të bëjë hapa drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe përpara votimit final të ministrave.

Në këtë seancë, 131 deputetë votuan që Kosova të avancojë edhe më tej drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës, 29 ishin kundër, ndërsa 11 abstenuan.

Kosova hapin e parë të rëndësishëm drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës e bëri më 27 mars. Me gjithë votën kundër të Serbisë dhe dy vendeve të tjera, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i KiE e pati miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandon se vendi i ka plotësuar kushtet për t’u anëtarësuar plotësisht në Këshillin e Europës.

Tani, fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës duhet ta japë në maj Këshilli i Ministrave të Këshillit të Europës.