Lexohen deklaratat e katër dëshmitarëve në gjykimin për krim të organizuar me narkotikë - Gazeta Express
string(87) "lexohen-deklaratat-e-kater-deshmitareve-ne-gjykimin-per-krim-te-organizuar-me-narkotike"

Lajme

Gazeta Express

18/01/2024 15:41

Lexohen deklaratat e katër dëshmitarëve në gjykimin për krim të organizuar me narkotikë

Lajme

Gazeta Express

18/01/2024 15:41

Në rastin ku Fatmir Musliji dhe Brahim Xhemajli po akuzohen për krim të organizuar me narkotikë, me propozimin e prokurores speciale Merita Bina-Rugova janë lexuar deklaratat e dëshmitarëve Ahmet Baftiu, Fitnete Musliu, Flaka Ahmeti dhe Sahit Bislimoviq

Kjo pasi që sipas gjykatësit Mentor Bajraktari prezenca e tyre është bërë dukshëm e vështirë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lexo Edhe:

Lidhur me mungesën e dëshmitarit Baftiu, i akuzuari Musliji tha se babai i tij për shkaqe shëndetësore nuk është i pranishëm, duke i dorëzuar gjykatës edhe raporte mjekësore, kurse për dëshmitaren Musliu, tha se e njëjta ka rast vdekje dhe nuk ka mundur të jetë e pranishme.

Kurse, lidhur me mungesën e dëshmitares Ahmeti, gjykatësi Bajraktari bëri të ditur se e njëjta e ka njoftuar gjykatën përmes telefonit se për shkaqe shëndetësore nuk mund të prezantojë në këtë seancë.

Tutje, lidhur me mungesën e dëshmitarit Bislimoviq, gjykata kishte lëshuar urdhëresë për sjellje dhe dërgimin e thirrjes mirëpo sipas raporteve të policisë adresa e tij është e mbyllur dhe nuk mund të sigurohet prezenca e tij momentalisht.

Ndërsa, propozimin e prokurores speciale Bina-Rugova për leximin e deklaratave të këtyre dëshmitarëve, mbrojtësi i të akuzuarit Musliji, avokati Besnik Berisha e ka kundërshtuar me arsyetimin se mbrojtja në atë kohë në masë të madhe ka neglizhuar rëndësinë e dëshmisë së dëshmitarëve përballë akuzave të kësaj natyre dhe ekzaminimi i këtyre dëshmitarëve nuk ka sjellë dobinë që në realitet dëshmia e tyre e gëzon.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Xhemajli, avokati Hamdi Podvorica është pajtuar me avokatin Berisha duke propozuar që gjykata të ndërmarrë të gjitha veprimet në kompetencë për sigurimin e dëshmitarëve që të dëgjohen në seancën e radhës me qëllim të vërtetimit të fakteve dhe rrethanave vendimtare.

Pas propozimit të prokurores dhe pretendimeve të mbrojtjes, trupi gjykues ka aprovuar propozimin që të bëhet leximi i deklaratave të dëshmitarëve Baftiu, Musliu, Ahmeti dhe Bislimoviq të dhëna në shqyrtimet gjyqësore pranë kësaj gjykate.

Gjykatësi Bajraktari bëri të ditur se kundër këtij vendimi lejohet vetëm ankesë ndaj aktgjykimit.

Ndërsa, sa i përket dëgjimit të dëshmitarit Naser Bllaca, ai tha se i njëjti do të ftohet me ftesë të rregullt kurse për dëshmitarët Kristian Dolfhuber dhe Tomas Atler, gjykata do të bëjë përpjeke që të sigurohen përmes Ndihmës Juridike Ndërkombëtare.

Në këtë rast, i akuzuar ka qenë edhe i pandehuri Z.G., mirëpo pasi që i njëjti ka ndërruar jetë, ndaj tij ka pushuar procedura penale.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 13 shkurt 2018, Fatmir Muslijin, Z.G. dhe Brahim Xhemajlin i kishte shpallur fajtorë për shpërndarje të narkotikëve, kurse Muslji ishte liruar nga akuzat për shpëlarje të parave.

Shkalla e parë, të akuzuarit Musliji i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 10 vitesh si dhe dënim me gjobë prej 10 mijë eurosh. I akuzuari Xhemajli, ishte dënuar me katër vite e gjashtë muaj burgim dhe katër mijë euro gjobë. Kurse, Z.G ishte dënuar me tre vite e tre muaj burg dhe 500 euro gjobë.

Të akuzuarit Musliji, gjykata i kishte konfiskuar edhe 6.63 ari tokë, një shtëpi, një veturë, narkotikun e gjetur tek ai dhe disa telefona.

Mirëpo, Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të ankesave si dhe shkresat e lëndës ka vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë sërish është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, andaj kjo gjykatë e kishte anuluar aktgjykimin dhe çështjen ia kishte kthyer gjykatës së shkallës së parë për rigjykim.

Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, thuhet që në rigjykim kjo çështje penale t’i jepet një trupi tjetër gjykues pasi që është hera e dytë që anulohet kjo lëndë e trupit gjykues duke mos përfillur vërejtjet e Gjykatës së Apelit, e që për gjykatën e shkallës së parë janë obligative.

Kurse, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 prill 2016, tre të akuzuarit i kishte shpallur fajtorë. Muslijin e kishte dënuar me 8 vite burgim dhe me gjobë në shumën prej 10 mijë eurosh. Ndërsa, ndaj Xhemajlit, gjykata kishte shqiptuar 4 vite e 6 muaj dënim me burg si dhe me gjobë në shumën prej 4 mijë eurosh. Kurse, të akuzuarin G., e kishte dënuar me 3 vite e 3 muaj burgim si dhe me gjobë prej 2 mijë eurosh.

Mirëpo, pas ankesave të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe ankesave të mbrojtësve të të akuzuarve, Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin dhe çështjen ia kishte kthyer gjykatës së shkallës së parë për rigjykim dhe rivendosje.

Sipas Apelit, i akuzuari Musliji ishte dënuar duke u bazuar vetëm në aktgjykimin e Gjykatës së Munchenit në Gjermani si dhe dëshmitë e dëshmitarëve, të cilët kishin deklaruar se narkotikun e kishin marrë nga Musliji. Një nga arsyet e Apelit, ishte se pa u dëgjuar këta dëshmitarë, nuk mund të ketë prova në procedurën penale që zhvillohet në Kosovë.

Ndërkohë, sipas aktakuzës, tre të akuzuarit kishin vepruar si një grup kriminal i strukturuar dhe i organizuar me qëllim të përfitimit të dobisë financiare, ku pa autorizim kanë shitur dhe transportuar substanca narkotike të llojit heroinë.

Sipas aktit të akuzës, i pandehuri Fatmir Musliji e kishte formuar dhe organizuar këtë grup kriminal të përbërë nga persona të ndryshëm në mes tyre edhe të pandehurit, Brahim Xhemajli dhe Z.G.

Sipas Prokurorisë, Musliji nga dhjetori 2008 e deri në shkurt 2009 ka organizuar transportimin dhe shitjen e mbi 40 kilogramë heroinë për në Gjermani nëpërmjet rrugëve tokësore të disa shteteve, ndërsa për pjesën me të vogël të heroinës e ka organizuar shitjen e paautorizuar në tregun kosovar.

Musliji dhe Xhemajli akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës, për krim të organizuar që ndërlidhet me veprën penale të blerjes, posedimit dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm.