Bislimi: Pala serbe kërkoi financimin e strukturave paralele deri në krijimin e Asociacionit, as Lajçak nuk i mirëkuptoi - Gazeta Express
string(115) "bislimipalaserbekwrkoi-financimin-e-strukturave-paralele-deri-nw-krijimin-e-asociacionit-as-lajcak-nuk-i-mirwkuptoi"

Bislimi: Pala serbe kërkoi financimin e strukturave paralele deri në krijimin e Asociacionit, as Lajçak nuk i mirëkuptoi

Lajme

Gazeta Express

25/04/2024 19:56

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, pas takimit në Bruksel me Petar Petkoviq dhe Miroslav Lajçak, për çështjen e “dinarit” ka folur para mediave.

Bislimi ka thënë se pala serbe ka kërkuar që deri në themelimin e Asociacionit t’i financojë strukturat paralele të Serbisë, por sipas Bislimit, pa dashur të tregojnë, se cilat janë këto struktura paralele.

Lexo Edhe:

Por, Bislimi ka thënë se as emisari Lajçak nuk e ka mirëkuptuar këtë kërkesë.

“Një prej problemeve i cili është diskutuar në javët e kaluara është si të mundësohet financimi edhe më tej i shkollave dhe ambulancave të cilat operojnë në katër komunat në veri e në komunat tjera, por sot pala serbe ka kërkuar që të financohen çfarëdo strukture paralele e Serbisë, por pa dashur të tregojnë se cilat janë këto struktura paralele të cilat ata duan t’i financojnë, dhe ideja e tyre që ka qenë që këto duhet të financohen derisa të themelohet asociacioni se pastaj ato kalojnë në kompetenca të asociacionit. Natyrisht që propozimi i tij nuk ka hasur as në mirëkuptimin e z. Lajçak e as tonin”, ka deklaruar Bislimi.

Bislimi ka dhënë më shumë detaje se çka u diskutua në këtë takim trepalësh.

“Takimi i sotëm për dallim nga takimet e tjera ka qenë shumë më i konkretizuar, ku palët kanë diskutuar nen për nen rreth ideve që ka prezantuar z. Lajçak dy javë më herët. Ne kemi shpresuar që ky diskutim konkret do jetë i dobishëm meqë do të na ndihmojë që t’i afrojmë qëndrimet. Fatkeqësisht ne kemi dëgjuar disa deklarata bukur brengosëse nga ana e Serbisë, të cilat kanë bërë që faktikisht qëndrimet në vend që të afrohen të largohen”.

Sipas Bislimit pala serbe për herë të parë sot e ka bërë të ditur se si e sheh Asociacionin. Kryenegociatori kosovar thekson se për Serbinë Asociacioni është legjitimim i strukturave paralele.

“Për shembull sot për herë të parë ne kemi parë haptazi të dokumentuar nga Serbia se si ata e shohin procesin e krijimit të asociacionit, përderisa për bashkësinë ndërkombëtare dhe Kosovën, asociacioni është nënkuptuar si një mekanizëm që ndihmon komunat me shumicë serbe të koordinojnë ushtrimin e disa veprimeve të tyre, Serbia sot tregoi se e sheh si mekanizëm për legjitimimin e prezencës së strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë”, ka thënë ai.

Tutje, Bislimi ka thënë se pala serbe ka dashur të marrë garanci për licencimit e dy institucioneve ilegale dhe se Lajcak duke e parë që qëndrimet s’po afrohen ka dalë me propozim të ri.

“Vazhdoi loja e vjetër me tendenca që të sigurohen metoda përmes të cilave do të merrnin garancione për licensimin e institucioneve ilegale siç është “Postanska Banka” në Kosovë. Duke parë se qëndrimet nuk po mund të afrohen, pas disa orëve bisedime, Lajçak duke respektuar linjat e kuqe të palëve, ka dalë me një propozim të ri, e i cili pak a shumë do të duhej të ishte propozimi i fundit që del nga z. Lajçak dhe në të cilin ne duhet të japim komentet tona gjatë ditëve në vijim. Mund të them se propozimi i z. Lajçak është një përafrim apo një tendencë për përafrimin e qëndrimeve, shkon në drejtimin e duhur, por kërkon kohë nga të dy palët që t’i analizojnë elementet brenda tij, qoftë implikimet ligjore apo të ngjashme”, ka thënë Bislimi.

Zëvendësi i Kurtit tha se propozimi i Lajçakut ishte konstruktiv dhe në rrugë të duhur.

“Kemi thënë është propozim konstruktiv që shkon në drejtimin e duhur”, ka deklaruar ai.

“Le të themi që propozimi i sotëm është më i detajizuar sesa propozimi i javës së kaluar dhe sqaron më mirë disa prej pikave dhe vërejtjeve të cilat ne kemi pas në idetë e tij fillestare”, ka shtuar Bislimi.

BE po kërkon një zgjidhje të përkohshme për pagesat me para të gatshme pas vendimit të BQK-së.

“Unë mendoj që është një përpjekje e mirë e z. Lajçak që të gjejë një zgjidhje. Edhe z. Lajçak njësoj si pala kosovare brengën kryesore e ka se si individët të cilët janë prekur nga vendimi i BQK-së apo rregullorja e BQK-së, të mund të vazhdojnë të marrin mbështetjen financiare përderisa Serbia edhe sot gjithë brengën e saj e ka patur se si duhet të licensohen institucione paralele të Serbisë në Kosovë”, ka deklaruar Bislimi.

“Ne kemi marrë përkushtimin që në një periudhë kohore prej një jave të dërgojmë sygjerimet apo brengat tona për propozimin e fundit e pastaj z. Lajçak do përpiqet të aranzhojë një takim, le të themi në fundin e javës së dytë të muajit maj”, ka deklaruar tutje ai. /Gazeta Express.