Bakoyannis ia përmend Kosovës zotimet që ia dha për KiE – thotë se do të donte reagime më të qeta nga serbët - Gazeta Express
string(105) "bakoyannis-ia-kujton-kosoves-zotimet-qe-ia-dha-per-kie-thote-se-do-te-donte-reagime-me-te-qeta-nga-serbet"

Bakoyannis ia përmend Kosovës zotimet që ia dha për KiE – thotë se do të donte reagime më të qeta nga serbët

Lajme

Gazeta Express

17/04/2024 14:22

Ish-kryediplomatja greke, Dora Bakoyannis, që hartoi raportin për Kosovën  ka shprehur entuziazmin e saj sot në një intervistë për Mediabox pasi kolegët në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës i dhanë mbështetje të gjerë raportit të saj, i cili rekomandon që Kosova të bëhet anëtare e kësaj organizate.

“Ata [anëtarët e APKE] votuan me një shumicë të jashtëzakonshme raportin tim që nënkupton se raporti është pozitiv për te Komiteti i Ministrave. Ata kërkuan opinionin tonë dhe opinioni ynë është pozitiv. Ne besojmë që ajo vrimë e vogël e zezë në zemrën e Europës duhet të mbyllet edhe dy milionë njerëz të tjerë do të kenë mbrojtjen e Këshillit të Europës, mbrojtjen për të drejtat e njeriut, të drejtat fetare dhe sigurisht mundësinë që të shkojnë në Gjykatën Europiane në rast se këto të drejtat shkelen. Është e rëndësishme për minoritetin serb, është e rëndësishme për të gjithë minoritetet. Por, është e rëndësishme për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe që do të ndiejnë nga sot se e kanë edhe një të drejtë më shumë”, tha ajo, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Bakoyannis thotë se Kosova edhe nëse hyn në Këshill të Europës do të ketë një rrugë të gjatë, duke përmendur zotimet që i ka marrë që nga momenti i parë. Ajo thotë se në këtë rast do të jetë në llupën e tyre.

“Është një situatë shumë e vështirë dhe të jesh greke është edhe më e vështirë sepse e kam thënë që nga momenti i parë se nuk jemi duke folur për shtetësinë. Ne po flasim për të drejtat e njeriut. Nëse do të flisnim për shtetësinë, unë s’do ta merrja këtë raport sepse do të isha e njëanshme dhe s’do ta kisha integritetin që i nevojitet këtij raporti. Por, tani e di që raporti është korrekt. Kosova ka një rrugë të gjatë për të ecur, do të monitorohet nga Këshilli i Europës në rast se hyn. Që nga momenti i parë ata morën përsipër zotime që shpresoj se i plotësojnë, por ne do t’i shikojmë ato shumë seriozisht.

Më pas, Bakoyannis foli për debatin e djeshëm, të cilin e përshkroi si të vështirë. Ajo thotë se si greke nuk e kishte të lehtë dhe shton se do të donte që nga deputetët serbë të kishte reagime më të qeta.

“Unë i kuptoj reagimet emocionale të serbëve. Do të doja që të ishin pak më të qeta, por mendoj që në proces të gjithë do ta kuptojnë që dialogu duhet të vihet në vend.  Nuk ka zgjidhje pa dialog. Konfliktet e ngrira nuk janë të ngrira, ato gjithmonë rihapen dhe dialogu është e vetmja zgjidhje”.