A është Asociacioni i nevojshëm për anëtarësimin e Kosovës në KiE, Sarrazin heziton të përgjigjet - Gazeta Express
string(96) "a-eshte-asociacioni-i-nevojshem-per-anetaresimin-e-kosoves-ne-kie-sarrazin-heziton-te-pergjigjet"

A është Asociacioni i nevojshëm për anëtarësimin e Kosovës në KiE, Sarrazin heziton të përgjigjet

Lajme

Gazeta Express

24/04/2024 16:40

Emisari gjerman, Manuel Sarrazin, ka refuzuar të përgjigjet drejtpërdrejt nëse themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të jetë kusht që Kosova të pranohet në Këshill të Europës.

Megjithatë, ai i rekomandon Kosovës që të bindë shtetet anëtare të Këshillit të Europës ta përkrahin kërkesën e saj për anëtarësim. Dhe në këtë drejtim e potencon se kjo mund të ndodhë duke i trajtuar si çështje kyçe minoritetet.

Lexo Edhe:

“Autoritetet serbe janë jashtëzakonisht të pakënaqura me progresin e Kosovës duke besuar se Prishtina nuk ka bërë mjaftueshëm për të përmbushur kriteret e nevojshme, para së gjithash në lidhje me formimin e Asociacionit të Komunave Serbe. A do të jetë i nevojshëm themelimi i Asociacionit për anëtarësimin e Kosovës në KiE?”, është pyetja që EWB ia parashtroi emisarit gjerman.

“Më duhet të them se nuk mund ta ndjek vërtet argumentimin e Serbisë. Së paku për palën gjermane, mund të them se kriteret e përmendura nga Serbia nuk janë publikuar asnjëherë si kriteret tona për anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në Këshillin e Europës. Në përgjithësi, situata e ballafaqimit me minoritetet në Kosovë është shumë relevante. Por Kosova ka obligim nga marrëveshjet e Brukselit të arritura në vitin 2011 dhe 2013, si dhe nga marrëveshja e Ohrit për të zbatuar Asociacionin. Ajo që është e qartë është se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit, e cila përfshin themelimin e Asociacioni”.

Asociacioni në kontekstin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Europës është përmendur edhe mbrëmë nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në një bisedë telefonike me kryeministrin Albin Kurti.

“Presidenti i Republikës [së Francës] përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Megjithatë, ai nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, u tha në deklaratën e lëshuar nga Elysee për bisedën e Macronit me Kurtin./Express/