Zyrtari i afërt me Kurtin: Jemi ende larg me LDK’në, Presidenti problemi kryesor - Gazeta Express

Ballina

Arbër Jashari

14/12/2019 15:47

Zyrtari i afërt me Kurtin: Jemi ende larg me LDK’në, Presidenti problemi kryesor

Ballina

Arbër Jashari

14/12/2019 15:47

Partia e Albin Kurtit ende po e sheh pozitën e Presidentit si problemin më të madh për të lidhur koalicion me Partinë e themeluar nga Ibrahim Rugova.

Liburn Aliu, anëtar i Kryesisë së VV’së, ka thënë se përpos pozitës së Shefit të Shtetit kanë edhe dallime tjera me Partinë e Isa Mustafës.

Madje, ka deklaruar se janë larg një marrëveshjeje përderisa ka barrikadim të LDK’së përballë pozitave të caktuara.

 “Marrëveshja nuk është afër por përpjekjet s’kemi me i ndalë, por afër nuk është. Kemi mosmarrëveshje sidomos të çështja e Presidentit, por ka edhe pika tjera, njëfar barrikadim pak i i tepruar është prej anës së LDK-së, ne kemi me insistu me u taku me bisedu”, ka thënë Aliu, në një bisedë për Express.

Sot, dy partitë kanë mbajtur takime të kryesive. LDK ka kërkuar kompromise nga VV’ja nëse dëshirojnë marrëveshje. Në Partinë fituese kanë thënë se s’ka marrëveshje përderisa Partia e dytë s’heq dorë nga pozita e Presidentit.

Pas mbledhjes së Kryesisë, Besian Mustafa, Zëdhënës i LDK’së, ka thënë se Vetëvendosje duhet të bëjë kompromis nëse dëshiron të bëjë koalicion me Partinë e themeluar nga Ibrahim Rugova.

Për sot është paralajmëruar edhe takimi i radhës mes Albin Kurtit dhe Isa Mustfaës në orën 16:00.

Liburn Aliu tha se pas këtij takimi shpreson që të ndërrojë diçka sa i përket arritjes së koalicionit për bashkëqeverisje mes dy partive.

“Po shpresojmë që pas takimit të sotëm ndoshta ndërron ndonjë gjë”, u shpreh anëtari i VV-së.

Albulena Haxhiu tha pas mbledhjes së Kryesisë së VV’së se s’ka marrëveshje me LDK’në nëse vazhdon barrikadimi për pozitën e Shefit të Shtetit. Megjithëkëtë, tha se nëse ka reflektim edhe mund të ketë marrëveshje brenda ditës kur edhe takohen shefat partiakë.

Përpjekje e VV-së dhe LDK-së për arritjen e marrëveshjes për koalicion po vazhdojnë pas takimit të mbrëmshëm të cilin e patën dy kryetarët e partive.

Kurti e Mustafa u takuan mbrëmë për rreth dy orë por pa ndonjë rezultat konkret sa i përket ndarjes së pushtetit.

Pas këtij takimi, Glauk Konjufca i VV-së dhe Avdullah Hoti i LDK-së u deklaruan se janë marrë vesh që të vazhdojnë me takime të tjera deri në arritjen e një marrëveshje për të qeverisur bashkë.

Dy partitë të cilat po tentojnë të formojnë qeverinë kanë afat deri më 26 dhjetor kur edhe do të mbahet seanca konstituive e caktuar nga Presidenti Hashim Thaçi.

Vetëvendosje dhe LDK po tentojnë të bëjnë marrëveshje për herë të parë. Deri më tash kanë pasur raporte armiqësore sidomos kur LDK ishte në Qeveri.

Tash, Albin Kurti sa herë flet për Isa Mustafën i referohet si profesor Mustafa pavarësisht se dikur e quante “argat të Serbisë” e të korruptuar.

Edhe para disa ditësh, Kurti provokoi Mustafën nga Tirana kur tha se Kryeministrat e mëhershëm kanë vjedhur derisa lideri i LDK’së kërkoi të mos bëhen provokime të tilla pasi minojnë çfarëdo bashkëpunimi ndërpartiak.