Zbardhet roli i Ilir Xhepajt në vrasje, njihet si i "forti" i Mamurrasit dhe Laçit - Gazeta Express
string(79) "zbardhet-roli-i-ilir-xhepajt-ne-vrasje-njihet-si-i-forti-i-mamurrasit-dhe-lacit"

Gazeta Express

28/06/2020 12:19

Zbardhet roli i Ilir Xhepajt në vrasje, njihet si i “forti” i Mamurrasit dhe Laçit

Gazeta Express

28/06/2020 12:19

Në prangat e policisë për atentatin e 30 majit brenda një hoteli në Laç ku mbetën të vrarë dy persona, përfundoi natën e shkuar edhe Ilir Xhepaj i konsideruar bashkëpunëtor në atentat.

Përveç kësaj ngjarje të rëndë, Xhepaj akuzohet edhe për një plagosje me armë zjarri po në Laç më 15 maj, ku në shënjestër të vrasjes ishte sërish një biznesmen.

Lexo Edhe:

Arrestimi i tij natën e shkuar në zonën e Astirit në kryeqytet, e çon në dy numrin e të arrestuarve, ndërsa janë në kërkim edhe dy të tjerët.

Deri tani të arrestuar janë Eduart Lamaj, Kreshnik Tusha dhe Ilir Xhepaj në operacionin e koduar “Ndjekja”.

Ndërkohë në kërkim për vrasjet e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit vijojnë që të jenë Elson Aliaj dhe Klaudio Perkola.

Ilir Xhepaj (Lika) dyshohet se ka qenë pjesë e skuadrës, prej 4 personash të veshur si policë, që ekzekutuan me 20 plumba, Bujar Hasanin (Lika) dhe Paulin Gjergjin (Markaj). Nuk dihet ende nëse Ilir Xhepaj dhe viktima Bujar Hasani, kanë pasur një lidhje miqësie me njëri-tjetrin, kjo pasi të dy personat, para se të ndryshonin mbiemrin, mbanin të njëjtin (Lika).

Sipas burimeve të policisë së Tiranës, Ilir Xhepaj ka qenë njeriu që ka mbajtur të neutralizuar me armë dy djemtë e Paulin Gjergjit, 27-vjeçarin Nikolin dhe 21-vjeçarin Anton, në mënyrë që ata të mos lëviznin nga makina e tyre “Range-Rover”. Ndërkohë sipas policisë, është sërish Ilir Xhepaj ai që së bashku me një shok tjetër Elson (Oltion), Alija (Vlashi), kanë hyrë brenda në lokalin “A&A” duke ndihmuar të plagosurin Eduard Lamaj, pasi ky i fundit, gjatë shkëmbimit të zjarrit me Bujar Hasanin, mbeti i dëmtuar me një plumb, në gjurin e këmbës së majtë.

Ndërkohë në dëshminë tij, Eduart Lamaj është shprehur se u ka kërkuar ndihmë tre shokëve të tij për realizimin e planit, por objektiv sipas tij kishte Ilirjan Allamanin i cili në ato momente nuk ka qenë aty, pasi me të kishte konflikte të hershme që në Itali për drogë, ky ku i fundit nuk i jepte borxhin, raporton Shqiptarja.com. “Isha në shtëpi, mora në telefon Klaudion dhe Oltin për t’u takuar e për të pirë ndonjë cigare. Në vendin ku u takuam erdhi edhe një shok tjetër që ka shtëpinë afër, Iliri. Pasi u propozova planin shokëve, ata pranuan”.

Lamaj rrëfen edhe mënyrën si u kamufluan. “Në momentin që u nisëm u përgatitëm, unë vesha mushamanë e zezë që lexon policia, një palë tuta të kuqe, një bluzë të zezë me mëngë të gjata. Ilir Lika veshi një kapuç të zi që ia dhashë unë, një jelek me ngjyrë të gjelbër, të cilin e kishte veshur më parë si dhe një palë pantallona ushtarake. Oltioni veshi një kapele sportive dhe kishte veshur një palë xhinse blu. Klaudio kishte veshur një palë tuta sportive me ngjyrë të errët dhe një bluzë kamuflazhi”, tregon ai.

Por cfarë ndodhi pasi u plagos dhe si u fsheh derisa në fund për shkak të rëndimit të gjendjes shëndetësore shkoi në spital në Tiranë me një makinë me qira, ku edhe u zbulua dhe arrestua, ndërkohë që u tha familjarëve që t’i digjnin rrobat. “Me vëllanë u nisëm drejt spitalit më datë 22 qershor, aty pa hyrë ende makina, u takuam me një person me kaçurrela, që ishte mjek dhe që më pa plagën. E lamë pasdite që të shkonim në një spital privat dhe të kryenim ndërhyrjen”, ka dëshmuar Lamaj para grupit hetimor.

Për policinë dhe prokurorinë e Laçit Ilir Xhepaj konsiderohet si person i rrezikshëm në Mamurras dhe Kurbin. Ai është nga fshati Gjorm, i Mamurasit dhe autorët, por edhe Bujar Hasani njiheshin me njëri-tjetrin, pasi rezultojnë nga e njëjta zonë. Xhepaj kishte vetëm tre muaj që ishte liruar nga burgu dhe bënte një jetë mes Tiranës, Laçit dhe Lezhës. I dënuar më herët për grabitje me armë në vitin 2012 në Kurbin, e po ashtu për një plagosje në Fushë-Krujë, Xhepaj, konsiderohet si një emër i rrezikshëm në këtë zonë.

Gjatë kohës së qëndrimit në liri Xhepaj, rezulton se në 15 maj 2020, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të 33-vjeçarit Zef Marku, por pa mundur ta ekzekutojë atë. Pas disa ditësh hetime, prokuroria e Laçit ka vendosur të shpallë në kërkim Ilir Xhepajt për akuzën e “Vrasjes me paramendim”, mbetur në tentativë ndaj Zef Markut. Por edhe pse ishte në kërkim Xhepaj ka lëvizur lirshëm në zonën e Kurbinit, duke u implikuar në një ngjarje akoma dhe më të rëndë, atë të vrasjes së biznesmenit të kazinove, Paulin Gjergjit dhe Bujar Hasanit. Pas arrestimit të tij në kërkim janë dhe Elson (Oltion), Alija (Vlashi) si dhe Klaudio Perkola, djali i një efektivi policie në Laç, Gjovalin Perkola./syri