Shkrimtarja britanike Zadie Smith ka ndarë reflektime mbi zakonet e saj të leximit, duke theksuar se sot i kushton më shumë vëmendje autoreve femra sesa autorëve burra.
Gjatë një bisede në një festival letrar në Kembrixh, me rastin e promovimit të librit të saj më të ri me ese, “Dead and Alive”, ajo u shpreh se raporti i leximeve të saj ka ndryshuar ndjeshëm me kalimin e viteve. Ndërsa në rini lexonte kryesisht autorë burra, sot kjo situatë është përmbysur.
Smith theksoi se, megjithëse herë pas here lexon edhe romancierë meshkuj – veçanërisht nga brezi i ri – ajo ndjen një afinitet më të madh për zërat e grave, sidomos të autoreve më të pjekura. Sipas saj, me kalimin e moshës, kërkon më shumë thellësi dhe “urtësi”, të cilën e gjen shpesh tek shkrimtaret si Helen Garner.
Në librin e saj të ri, ajo trajton figura të rëndësishme të artit dhe kulturës, duke përfshirë emra si Joan Didion, Kara Walker dhe Celia Paul. Smith shpjegon se një nga arsyet për këtë fokus është dëshira për të dokumentuar zhvillimin e jashtëzakonshëm të artit të grave në dekadat e fundit.
Ajo kujton se në adoleshencë kishte vështirësi të gjente modele femra në letërsi, ndërsa sot panorama është shumë më e pasur dhe frymëzuese. Megjithatë, ajo pranon se edhe autorë burra si John Berger, Stuart Hall dhe James Baldwin vazhdojnë të jenë referenca të rëndësishme për të.
Gjatë diskutimit, Smith komentoi edhe situatën politike aktuale, duke shprehur shqetësim për mënyrën se si zhvillohet politika sot dhe për ndikimin e faktorëve ekonomikë në përfshirjen sociale. Sipas saj, pabarazitë ekonomike kanë ndikim të drejtpërdrejtë në nivelin e përfshirjes në shoqëri.
Në fund, ajo zbuloi se është duke punuar për një roman të ri që trajton jetën e adoleshentëve në vitet ’90, një periudhë që, sipas saj, ndryshon ndjeshëm nga realiteti i të rinjve sot. Ky projekt synon të rikthejë një botë që tashmë, në shumë aspekte, nuk ekziston më. /GazetaExpress/