Ylli i Barcelonës, Lamine Yamal, ka zbuluar futbollistin që do të dëshironte ta shihte në “Camp Nou” gjatë afatit kalimtar të verës.
Ndërsa është i angazhuar me Spanjën në Kupën e Botës, 18-vjeçari po ndjek me vëmendje edhe lëvizjet e Barcelonës në merkato, teksa synon të fitojë Ligën e Kampionëve me klubin katalanas.
Pas fitimit të titullit të dytë radhazi në La Liga nën drejtimin e Hansi Flick, Barcelona synon të forcojë skuadrën për sezonin e ardhshëm. Deri tani, klubi ka transferuar Anthony Gordon nga Newcastle United, por Yamal shpreson që të ketë edhe afrime të tjera.

Në një intervistë për Cadena SER, talenti spanjoll pranoi se do ta mirëpriste me shumë dëshirë sulmuesin e Atletico Madridit, Julian Alvarez.
“Nuk po mendoj shumë për këtë, por do të më pëlqente, sepse është një futbollist i madh. Nëse vjen, do ta presim me krahë hapur. Po të isha në vendin e tij, do ta bëja këtë hap. Ne do ta presim nëse dëshiron të vijë”, u shpreh Yamal.
Edhe vetë Julian Alvarez ka lënë të kuptohet më herët se do ta mirëpriste një transferim te Barcelona, ndërsa interesim për argjentinasin kanë shfaqur edhe Paris Saint-Germain, Arsenal dhe Real Madrid. Madje, “Los Blancos” panë një ofertë prej 150 milionë eurosh të refuzohej më herët këtë muaj.
Megjithatë, për momentin Yamal e ka të gjithë fokusin te Kombëtarja e Spanjës dhe objektivi për të fituar Kupën e Botës.

“Futbolli me kombëtaren është ndryshe nga ai me klubin. Tani ndihem shumë mirë dhe mezi pres ndeshjen e së enjtes”, deklaroi ai.
Spanja do të përballet me Austrinë në fazën e 1/16 së finales, ndërsa Yamal beson se skuadra ende nuk ka treguar versionin e saj më të mirë.
“Është e vërtetë që të gjithë prisnin të luanim më mirë. Ende nuk kemi zhvilluar një ndeshje vërtet të madhe, por jam i bindur se kur të arrijmë nivelin tonë maksimal, do të jemi pothuajse të pandalshëm”, përfundoi ylli i Barcelonës. /GazetaExpress/