Mbrojtësi i Arsenalit dhe Ekuadorit, Piero Hincapie, është bërë lojtari i dytë në Kupën e Botës që ndëshkohet me karton të kuq sipas rregullit të ri të FIFA-s, pasi mbuloi gojën gjatë një përballjeje me një kundërshtar.
Ekuadori u eliminua në fazën e 1/16 së finales pas humbjes 2-0 ndaj Meksikës, në një ndeshje ku golat u shënuan nga Julián Quiñones dhe Raúl Jiménez.
Në minutat shtesë, Hincapie u përfshi në një debat me sulmuesin e Meksikës, Santiago Giménez. Gjatë bisedës ai mbuloi gojën me dorë, ndërsa Giménez reagoi menjëherë duke i bërë shenjë gjyqtarit Slavko Vinčić.
Pas ndërhyrjes së VAR-it dhe rishikimit të pamjeve, arbitri vendosi ta ndëshkojë mbrojtësin ekuadorian me karton të kuq.
Çfarë thotë rregulli i ri?
Sipas udhëzimit të ri të FIFA-s, mbulimi i gojës gjatë një përballjeje apo debati me kundërshtarin konsiderohet sjellje e papranueshme dhe mund të ndëshkohet me karton të kuq.
Hincapie u bë lojtari i dytë që përjashtohet për këtë arsye, pas paraguaianit Miguel Almirón, ndërsa është gjithashtu futbollisti i parë i Premier League që ndëshkohet sipas këtij rregulli.
Pas vendimit, 24-vjeçari reagoi me zemërim, duke hequr shiritin nga kyçi i dorës dhe duke u larguar i irrituar nga fusha.
Kritika të shumta
Veprimi i Hincapies u kritikua ashpër nga tifozët dhe analistët.
“Veprim i marrë dhe i panevojshëm”, shkroi një tifoz në rrjetet sociale, ndërsa një tjetër e cilësoi mbrojtësin si “idiot të plotë” për mënyrën se si e la skuadrën.
Edhe analistët e kanalit australian SBS e kritikuan futbollistin.
“Ndeshja kishte përfunduar. Nuk kishte asnjë arsye të bënte diçka kaq të pamend. Ishte një veprim fëmijëror dhe krejtësisht i panevojshëm”, u shpreh një prej tyre.
Si funksionon rregulli?
Ky rregull u miratua nga IFAB dhe FIFA pas incidentit të Gianluca Prestiannit të Benficës, i cili mbuloi gojën gjatë një debati me Vinicius Junior. Pas atij rasti, autoritetet vendosën të ashpërsojnë sanksionet.
Shefi i arbitrave të FIFA-s sqaroi se mbulimi i gojës nuk është i ndaluar në çdo rast.
“Nëse lojtarët mbulojnë gojën gjatë një bisede normale me shokët e skuadrës, nuk ka asnjë problem. Por kur kjo ndodh gjatë një përballjeje apo debati me kundërshtarin, konsiderohet sjellje e papranueshme dhe ndëshkimi është kartoni i kuq”, shpjegoi ai.
Pas eliminimit të Ekuadorit, Hincapie pritet të dënohet automatikisht me një ndeshje pezullim, ndërsa Komisioni Disiplinor i FIFA-s mund ta ashpërsojë dënimin nëse e vlerëson të nevojshme. /GazetaExpress/