Trajneri Xavi Hernandez edhe zyrtarisht e ka ndërruar mendjen dhe do të vazhdojë ta drejtojë Barcelonën për së paku edhe një vit.
Legjenda e klubit katalunas përmes konferencës për shtyp të mbajtur sot së bashku me presidentin, Joan Laporta dhe drejtorin Deco, e ka zyrtarizuar vendimin e tij, ndërsa i ka treguar edhe arsyet që e shtynë që ta ndërronte mendjen pasi muaj më parë kishte thënë se do të largohej nga “Camp Nou” në fund të sezonit, shkruan “Gazeta Express”.
“E kam ndërruar mendjen sepse vërtet e ndiej besimin total nga presidenti, nga bordi dhe nga lojtarët po ashtu. Ky projekt nuk ka marrë fund ende.”
“Unë, stafi im, të gjithë së bashku ndiejmë se e kemi forcën për të bërë gjëra të rëndësishme së bashku që ta vazhdojmë këtë projekt.”
“Spekulimet se qëndrimi im ishte kushtëzuar me faktin se kërkoja më shumë para nga viti i fundit i kontratës janë ‘fake’… dhe të shpikura, për të më dëmtuar mua.”
“Presidenti e di se, nëse do të largohesha nga klubi, nuk do të kërkoja nga Barcelona asnjë euro për vitin tim të fundit të kontratës.” /Gazeta Express/