Vuçiq: Një fuqi e madhe do të kërkojë tërheqjen e KFOR-it dhe UNMIK-ut - Gazeta Express
string(69) "vuciq-nje-fuqi-e-madhe-do-te-kerkoje-terheqjen-e-kfor-it-dhe-unmik-ut"

Vuçiq: Një fuqi e madhe do të kërkojë tërheqjen e KFOR-it dhe UNMIK-ut

Lajme

Gazeta Express

13/05/2021 14:49

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se vendi i tij ka marrë informacione nga burimet e inteligjencës, se një nga fuqitë e mëdha së shpejti do të fillojë të kërkojë zyrtarisht tërheqjen të forcave të KFOR-it dhe UNMIK-ut nga Kosova.

Vuçiq u tha gazetarëve në Beograd se nuk mund të thotë se për cilën fuqi bëhet fjalë, porse informacionet janë nga “burimet zyrtare”.

Lexo Edhe:

Ai po ashtu tha se Prishtina ka paralajmëruar se do të ndajë 100 milionë euro në vit për ushtrinë – shumë që, sipas tij, është e pakrahasueshme me Serbinë, e cila ndan dy miliardë euro.

“Këto nuk janë të dhëna të krahasueshme, nuk duhet të kemi frikë, por është e qartë ajo që dikush dëshiron të bëjë”, tha Vuçiq.

Vuçiq tha se do të përpiqet të flasë për këtë çështje me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin pritet të takohet më 17 maj në Bruksel.

“Kemi marrë informacione se një nga fuqitë e mëdha së shpejti do të fillojë një kërkesë zyrtare për tërheqjen e KFOR-it dhe UNMIK-ut [nga Kosova]. Do të përpiqem të flas me Stoltenbergun për të bërë gjithçka të mundur që kjo të mos ndodhë”, tha Vuçiq.

UNMIK-u, përkatësisht Misioni i Përkohshëm i Kombeve të Bashkuara, është vendosur në Kosovë në vitin 2000, pas sulmeve ajrore të NATO-s në caqet e ushtrisë serbe.

Ai është vendosur në bazë të Rezolutës 1244, e cila është miratuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në qershor të vitit 1999 dhe e cila është ende në fuqi.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, UNMIK-u ia ka dorëzuar shumicën e përgjegjësive të tij Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, është vendosur në Kosovë po ashtu në qershor të vitit 1999, pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova. /REL